E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu në Tiranë: Shqipëria duhet të jetë shembulli pozitiv për Kosovën

Nga Tema

Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, falënderoi dje në Tiranë Shqipërinë për mbështetjen që ka dhënë për shtetin më të ri evropian, ndërsa shtoi se zhvillimet në Shqipëri janë një shembull për Kosovën. “Për të gjithë qytetarët e Kosovës për kohët shumë të vështira që kemi kapërcyer me mbështetjen që i keni dhënë në radhë të parë lirisë njerëzore, asaj që është rruga e ekzistencës njerëzore, shpreh falënderimet për mbështetjen që i keni dhënë Kosovës edhe për procese të tjera të saj si shtet demokratik dhe sovran”, - tha Sejdiu gjatë konferencës për shtyp me homologun Topi.

“Kosova po projektohet gjithnjë e më shumë si një shtet multietnik në respekt të të drejtave të qytetarit, të të drejtave të minoriteteve, si një vend ku çdo ditë implementohen ligje me standarde evropiane”, - tha presidenti Topi gjatë konferencës për shtyp.

Presidenti Topi gjithashtu dekoroi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ky urdhër iu dorëzua presidentit Sejdiu me motivacionin “Për kontributin e shquar në udhëheqjen e rezistencës popullore kosovare dhe të gjithë veprimit politik për fitoren e pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimin e një shteti të ri demokratik, për rolin e tij të rëndësishëm si politikan i respektuar nga populli i tij dhe faktori ndërkombëtar, për krijimin e ekuilibrave politikë dhe institucionalë”.

Nga ana e tij, kryeministri, Sali Berisha, deklaroi gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, se “njohja e pavarësisë së Kosovës është një proces i pandalshëm”. Duke e konsideruar një ditë historike, vizitën e Presidentit të Kosovës në Shqipëri, kryeministri Berisha vlerësoi “trendin shumë pozitiv që kanë ngjarjet në Kosovë, rol i cili po vjen gjithnjë e në rritje për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Në fjalën e tij në Kuvend, presidenti Sejdiu ka theksuar nevojën për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. “Vetëm institucionet demokratike, plotësisht funksionale, do të mund të mbështesin iniciativat e zhvillimit dypalësh. Këtu një domethënie të veçantë merr ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë, një arterie e rëndësishme për Kosovën në komunikimin e saj me Detin Adriatik dhe Detin Mesdhe”, - tha Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›