Mocioni, Berisha nuk e përmend Fazlliçin
Mocioni me debat për kryeministrin, Sali Berisha, ka mbërthyer Kuvendin në një debat me akuza të ndërsjella mes opozitës dhe pozitës. Edhe pse duhej të ishte një seancë, ku qytetarët prisnin më shumë sqarime për emrin e Fazlliçit dhe përfshirjen e tij në afera me familjen e kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të mazhorancës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kryeministri ka folur për gati dy orë dhe nuk ka përmendur për asnjë moment emrin e Fazlliçit, por si në një analizë të trevjeçarit qeverisës ka rreshtuar disa nga arritjet e qeverisë së tij. Berisha, pasi ka theksuar disa herë vizitën e presidentit amerikan në Shqipëri, tha se ishte Rama ai që bëri që mediat të nxijnë imazhin e vendit duke transmetuar lajmin për vjedhjen e orës së presidentit Bush. Kryeministri deklaroi se opozita ka shpërfillur ngjarjet historike për vendin tonë, që nga marrja e ftesës për në NATO, e deri në firmosjen nga presidenti Bush të protokollit të anëtarësimit.
Më pas kryeministri, pasi ka numëruar disa raporte që vlerësojnë reformat e qeverisë, ka sulmuar opozitën si të lidhur me mafian. Berisha tha se ka patur nga ata eksponentë të kësaj opozite që përveçse kanë punuar dhe kanë qenë vasalë të mafies, kanë fjetur me këta mafiozë. Berisha e ka quajtur mocionin për debat si një eunuk-mocion, duke nënkuptuar një mocion të kërkuar nga njerëz të tredhur. Kryeministri tha se opozita duhej të kishte kërkuar mocion mosbesimi, siç ndodh rëndom në botën demokratike. “Ky mocion fakton se shoku Rama e ka zhytur këtë opozitë në batakun e blofeve, mashtrimeve dhe falsifikimeve si asnjë opozitë tjetër e këtij kontinenti. Opozita nuk u paraqet shqiptarëve asnjë propozim zhvillimi, por vetëm pret të shpallë të vdekurit të ekzekutuar dhe të pafajshmit kriminelë. Por unë jam i vendosur ta respektoj atë dhe t’i përgjigjem kërkesave të saj, pavarësisht komplekseve të shumëllojta”, - deklaroi Berisha në fjalën e tij.
Kryeministri nuk e ka ndjekur të gjithë debatin, por ka dalë dhe është rikthyer disa herë në seancë për të dhënë përgjigje.
Pas fjalimit dhe pushimit në fund të tij, opozita ka nisur fjalimet me anë të nënkryetarit të grupit parlamentar, Erion Braçe. Ky i fundit ka numëruar disa shkelje të rënda të kryera nga Berisha dhe familja e tij me Fazlliçin, duke nisur që nga blerja e energjisë e deri te blerja e tokës në Porto Romano. Atij nuk i është lejuar të flasë më tej se koha e përcaktuar.
Më pas deputetë dhe ministra të mazhorancës kanë rreshtuar shkelje dhe skandale, që sipas tyre janë bërë nga opozita, kur ajo ishte në pushtet. Duke ripërsëritur të njëjtat akuza si kryeministri Berisha, ata kanë sulmuar dhe fyer opozitën. Edhe ata nuk kanë përmendur emrin dhe çështjen “Fazlliç”, por kanë rreshtuar ato që i quajnë suksese të qeverisë në tre vite. Kështu, Olldashi ka përmendur rrugët që po bëhen nga kjo qeveri dhe Pollo ka numëruar suksese në fushën e arsimit.
Deputeti Ben Blushi tha se debati nuk është për Fazlliçin, sepse ai është si një kuti këpucësh që duhet mbushur me lekë, ndërsa debati i vërtetë është me ata që e mbushin atë kuti me lekë. Blushi, duke akuzuar kryeministrin, tha se ai është bërë palë me mafian nëpër biznese. Ai tha se baxhanaku i Berishës ishte në Gërdec si mbikëqyrës i palës së familjes Berisha në atë biznes. Në përfundim të fjalës së tij, Berisha i është përgjigjur duke thënë se Blushi ka vjedhur dorëshkrimet e gjyshit të tij. “E kanë mbajtur katër vjet me dorën në allçi”, - tha Berisha. Berisha ka lëshuar fyerje dhe në drejtim të deputetit Marko Bello, duke i thënë që ty të ka zënë prapanica kallo duke qëndruar në kafenetë Tiranë, dhe nuk sheh ca po ndërtojmë infrastrukturën kudo.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, i është drejtuar në fjalimin e tij deputetit socialist Ben Blushi, duke aluduar së është gati t’i japë një “dajak”, duke supozuar në këtë mënyrë se ai kishte dalë fitues në një debat televiziv, realizuar para pak ditësh në TV “Klan”. Edhe Basha nuk e ka përmendur emrin e Fazlliçit, duke e quajtur atë një tullumbace mediatike e mirë-financuar.
Më pas deputetët kanë vijuar me akuza e kundërakuza, për afera ku përflitej emri i tyre.
Ruçi: Rezolutë ku të mbështesim prokurorinë
Deputeti socialist Gramoz Ruçi në fjalën e tij ka deklaruar se kryeministri është një njeri i lidhur me krimin e organizuar në rajon. Ruçi hodhi akuza të ashpra ndaj kryeministrit, ndërsa ky i fundit ka ironizuar duke nënqeshur gjatë gjithë kohës kur fliste Ruçi. Deputeti socialist gjatë fjalës së tij ka propozuar që seanca të përfundojë me një rezolutë të Kuvendit, ku të mbështetet prokuroria dhe të dënohet krimi.
Në përfundim të fjalës kryeministri Berisha e ka pyetur Ruçin se e ka zgjidhur problemin me Nanon. “Doja ta pyesja, a e ka zgjidhur çështjen e gjakut me Fatos Nanon apo jo, sepse ai e ka akuzuar se do e vrasë?” - tha Berisha.
Edhe pse kryetarja e Kuvendit i ka dhënë të drejtën të flasë Ruçit, ministri i Transportit, Sokol Olldashi, që ndodhej te folësja, nuk e ka lejuar dhe ky është detyruar të përgjigjet nga vendi. “Në debat po hyn një ministër që nuk ka punë në këtë debat, se nuk është deputet. Nuk është e vërtetë ajo që thua për Nanon. Por të përgjigjem me pyetje, ty që të ka akuzuar e gjithë Tropoja, kur do shkosh në atë qytet?” - tha Ruçi.
Basha mashtron sërish për vizat
Ministri i Jashtëm ka mashtruar hapur dje, kur ka thënë se ministri i Jashtëm çek, vendi i të cilit pritet të marrë presidencën e Bashkimit Evropian, ka premtuar liberalizimin e vizave, kur ai deklaroi hapur gjatë konferencës për shtyp se gjatë presidencës së tyre nuk do jetë e mundur një gjë e tillë.