Oketa pranon hetimin për faksin drejtuar Shkëlzenit
Ministri aktual i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, duke folur në lidhje me faksin që ka mbërritur në këtë ministri nga Ministria e Drejtësisë, dhe që mban shënimin për Shkëlzen Berishën, tha se komentet e tij janë të rezervuara, për shkak se çështja është nën hetim. “Personalisht, në gjykimin tim, mendoj se për çështje që janë tanimë në hetim, komentet do të ishin të rezervuara. Kam përshtypjen se edhe me ligj duhet të jetë e ndaluar”, - tha Oketa.
Ky i fundit ka ardhur në detyrë pas largimit nga ky post i ministrit Fatmir Mediu, që është gjithashtu nën hetim për skandalin e Gërdecit. Faksi i botuar nga gazeta “TemA në të vërtetë është një shkresë e dërguar me nxitim paraprakisht për të koordinuar punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.
Te koka dallohet qartë numri i faksit të Aldo Bumçit. Majtas lart është dhe shënimi për Shkëlzen Berishën, që mendohet se e ka vënë sekretarja e Aldo Bumçit ose një zyrtar i tij, i cili e ka patur urgjente t’ia dërgonte këtë shkresë Ministrisë së Mbrojtjes me faks, ndërsa me postë ka mbërritur dy ditë më vonë.
Faksi është dërguar më 13 mars, kur Aldo Bumçi ishte ende ministër, por që kishin nisur ndryshimet, ndërsa ministri i ri, Ilir Rusmali, ka shkuar në zyrë më 21 mars. Përmbajtja e faksit është normale dhe rekomandon thjesht që në projektvendim të saktësohet se kush është kryetari i komisionit të tenderimit dhe të shmangen fjalët e huaja gjatë hartimit të projektit. Prokuroria e ka sekuestruar faksin gjatë kontrollit për dokumentacion në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ministria e Drejtësisë shmang përgjigjen për faksin drejtuar Shkëlzen Berishës
Faktori Plus
Ministria e Drejtësisë ka dy ditë që ende nuk jep përgjigje se kush e ka dërguar faksin nga zyra e ministrit të Drejtësisë me nr. 234 560, në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, më 13 mars 2007, ora 9:17 minuta paradite.
Faksi i transmetuar në medien e shkruar dhe “Vizion Plus” ditën e diel, tregon qartë orën dhe vendin nga ku është nisur dhe një shënim në krahun e majtë të tij, ku shkruhet: “Për Shkëlzen Berishën”.
Në vend të përgjigjes për këtë fakt, Ministria e Drejtësisë nxjerr shkresën origjinale të protokolluar më 9 mars 2007, me nr. protokolli 1594/1. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky është dokumenti i vetëm i protokolluar në këtë institucion, me objekt
“mendim për projektvendim” drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes. “Shkresa mban firmën e ministrit të Drejtësisë të asaj kohe, Aldo Bumçi. Spekulimi i Ministrisë së Drejtësisë vazhdon dhe më tej, kur thotë se ministri Aldo Bumçi nuk ka vënë asnjë shënim mbi këtë shkresë. Kjo praktikë spekulative duhet të marrë fund. Ministria e Drejtësisë dhe ish-ministri, Aldo Bumçi, nuk kanë arsye të flasin për gjëra që nuk ua ka kërkuar media dhe nuk i ka akuzuar media. Është korrekte të thuhet se Ministria e Drejtësisë ka nisur në rrugë zyrtare komentet e saj për projektvendimin në datën 9 mars 2007 dhe për këtë s’e ka akuzuar askush ish-ministrin Bumçi.
Është po ashtu e sigurt se burokracia e postës mes ministrive mund të ketë bërë që shkresa të ketë mbërritur pas datës 13 mars në Ministri të Mbrojtjes. Akuza që ka ngritur shtypi ka të bëjë me një kopje të kësaj shkrese që është nisur me faks dhe jo me postë. Meqë posta ka vonuar të shkojë, dikush në Ministri të Mbrojtjes ka humbur durimin dhe ka thënë: “Ma dërgoni me faks atë që keni nisur me postë.” Dhe shërbimi është kryer. Mbi fotokopjen e shkresës origjinale është vendosur nga një sekretare shënimi “Për Shkëlzen Berishën” dhe është nisur nga faksi i zyrës së Aldo Bumçit në faksin e Ministrisë së Mbrojtjes. Aty faksi është marrë dhe për fat është protokolluar me nr. 622, datë 13 07 2007. Përkrah është firma e protokollueses dhe është depozituar në protokoll. Më pas ka mbërritur dhe shkresa origjinale që thotë zoti Bumçi, dhe i është bashkangjitur kësaj shkrese. Ky dokument tashmë gjendet në prokurori.
Sqarimet që kërkohen nga ish-ministri Bumçi janë të thjeshta.
Ai duhet të komentojë ose jo, kush e ka nisur faksin nga zyra e tij më 13 mars 2007, ora 9:17 minuta dhe jo kush ka nisur shkresën me postë. Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes duhet të komentojë
faktin që e ka marrë edhe faksin, edhe shkresën origjinale dhe i ka protokolluar të dyja. Ministria e Drejtësisë është e lutur të mos bëjë komente për akuza që nuk i janë bërë dhe për fakte që nuk kanë rëndësi. I vetmi fakt kompromentues në këtë histori ka të bëjë me nisjen e faksit nga zyra e ministrit në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes me të njëjtën përmbajtje dhe dizajn si letra origjinale që është nisur me postë. Për shkak se posta ka vonuar, dikush ka kërkuar urgjent komentet për projektvendimin me faks dhe ato i janë nisur. Sipas shënimit sipër faksit, në anën e majtë, i bie që njeriu që priste komentet në anën tjetër të faksit ka qenë Shkëlzen Berisha.
Historia dëshmon se njeriu i interesuar për projektvendimin e Gërdecit ishte djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, dhe ai mbante nën presion zyrtarët që t’i bënin sa më shpejt komentet rreth kuadrit ligjor që atij i interesonte. Dhe zyrtarët e shtetit ia kanë bërë këtë nder djalit të kryeministrit. Ai interesohej që kompania amerikane “Southern Ammunition Company” të fitonte të drejtën e një kontrate me qeverinë shqiptare për çmontim municionesh në Gërdec.
Në përpjekje për të shqyrtuar këtë kërkesë, Ministria e Mbrojtjes filloi procedurat për hartimin e një projektvendimi qeverie. Sipas ligjit, pasi përfundoi projektvendimin, Ministria e Mbrojtjes, më datë 5 mars 2007, i kërkoi mendim për këtë çështje Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë. Përgjigjja nga Ministria e Drejtësisë u dha me këtë shkresë zyrtarisht (origjinalja) dhe personi i interesuar u njoftua me faks për përmbajtjen e tyre më 13 mars nga zyra e ish-ministrit Aldo Bumçi.
Të gjitha provat që tregon Ministria e Drejtësisë forcojnë më shumë faktin që përveç shkresës zyrtare dikush po priste me padurim komentet dhe atij i janë dërguar me faks. Sidoqoftë, prokuroria ka hetuar rreth kësaj çështjeje dhe ka thirrur në pyetje disa sekretare të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Mbrojtjes. Nuk dimë, nëse do të thirret apo jo zoti Bumçi, por e sigurt është se ai nuk ka bërë ndonjë faj, por thjesht zyra e tij ka përcjellë në rrugë jozyrtare te djali i kryeministrit komentet e nisura disa ditë më parë në rrugë zyrtare.
Qeveria shmang debatin për faksin drejtuar Shkëlzen Berishës
Mero Baze
Qeveria shqiptare po konsolidon një praktikë të pandershme përgjigjesh për akuzat që ngrihen në shtyp, duke mos dhënë përgjigje konkrete për faktet. Kjo praktikë e nisur fillimisht nga kryeministri, Sali Berisha, po përcillet tani te ministrat e tij dhe po kthehet në praktikë normale pune. Rasti më i freskët është seanca e sotme parlamentare dhe debati rreth faksit të nisur nga zyra e ministrit të Drejtësisë për te Ministria e Mbrojtjes në adresë të Shkëlzen Berishës. Media botoi faksin që mban datën 13 mars dhe orën 9 17 minuta dërguar nga zyra e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, kurse Ministria e Drejtësisë reagon për shkresën zyrtare që është nisur në datën 9 mars 2007. Këtu janë dy fakte krejt të ndryshme. Përgjigjja e vetme që pritet është se kush e ka nisur faksin dhe kush e ka bërë shënimin sipër faksit më 13 mars dhe jo kush e ka nisur shkresën zyrtare në datën 9 mars. Po ashtu, askush nuk ka thënë që shënimi për Shkëlzen Berishën është i Aldo Bumçit, por i zyrës së tij dhe ai duhet të na thotë i kujt është. Në të njëjtin stil dhe kryeministri, Sali Berisha, i thirrur sot në mocion debat rreth çështjes “Fazlliç”, në vend të përgjigjeve korrekte për përfitimet që ka pasur ky sekser i familjes së tij në qeveri, lëshon tymnaja dhe bën akuza për gjëra, të cilat nuk kanë të bëjnë me faktet e dala rreth sekserit Fazlliç. E njëjta praktikë ndodh dhe me ministrin, Lulëzim Basha. Kunati i tij rezulton administrator i shoqërive të Fazlliçit në Tiranë dhe ai del e bën deklarata publike se kunati im nuk është ortak me zotin Fazlliç, gjë që nuk ia ka thënë askush. Po ashtu, ministri Alibeaj, i cili rezulton se ka përgatitur gjithë kuadrin ligjor për projektvendimet e Gërdecit, del e thotë se në cilësinë e këshilltarit të kryeministrit ka punuar në mënyrë korrekte, gjë që nuk ia ka thënë kush. Praktika e deklaratave në formë përgënjeshtrimi për akuza që nuk ua ka bërë askush, duket se po kthehet në një praktikë të shëmtuar të reagimit zyrtar të qeverisë ndaj akuzave për korrupsion apo skandaleve të tjera. Tashmë, nëse qeverinë e kritikon, për shembull, për MSA, ajo mund të dalë dhe të thotë që ata që thonë se nuk do të hyjmë në NATO, gënjejnë. Nëse e kritikon për projektligjin provokues për prokurorinë, siç ishte në versionin fillestar, mund të dalë e të thotë që ligji që do miratohet është projekt dhe i pranuar nga prokuroria. Nëse del e thua që ambasadori amerikan ka bërë vërejtje konkrete për qeverinë lidhur me pavarësinë e institucioneve, del e të thotë se presidenti Bush ishte i qeshur, kur hodhi firmën mbi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Pra, praktika e shmangies së debatit duke u marrë me një çështje tjetër nga ajo që ngrihet publikisht është bërë përfundimisht një praktikë normale pune e qeverisë, e cila jo rrallë fut në konfuzion opinionin publik. Mënyra se si qeveria po përpiqet të shmangë aktualisht debatin mbi faktet rreth sekserit Fazlliç apo përfshirjes së djalit të kryeministrit në procedurën e hartimit të kuadrit ligjor për Gërdecin është e turpshme. Nëse një kuadër ligjor hartohet në interes të një personi, atëherë merr fund historia e shkeljes së ligjit, pasi djali i kryeministrit nuk ka pse shkel më ligje, nëse ato i bën vetë siç i nevojiten. Për këtë arsye nuk shans të gjesh shkelje ligjore te një ligj që është bërë si ka dashur pala e interesuar. Në rastin e Gërdecit ishte shpërthimi dhe vdekja e 26 personave ajo që e bëri situatën dramatike, pasi kuadri ligjor, siç rezulton, është hartuar sipas interesave të atyre që kanë kapur realisht shtetin. Dhe kryeministri duhet t’i përgjigjet debatit për kapjen e shtetit dhe jo shkeljes së ligjeve nga njerëzit që kanë kapur shtetin. Fazlliç ka kapur shtetin, ka shitur energji me lehtësitë që i ka krijuar shteti dhe ka bërë blerje tokash me lehtësitë e informacionit si mik i kryeministrit. Djali i tij po ashtu ka shfrytëzuar ministrat për të bërë një kuadër ligjor në interes të tij. Pas kësaj nuk ka më shkelje ligjesh të shtetit, po shkelje me këmbë të shtetit nga njerëz që i kanë bërë vetë ligjet. Kryeministri duhet të sqarojë publikisht këtë situatë dhe jo të hedh një lumë akuzash pa asnjë bazë ndaj gjithkujt që i kërkon të jetë transparent, gjakftohtë dhe i qetë, kur dalin fakte të tilla në publik. Humbja e qetësisë dhe përpjekja për të mbuluar faktet me shpifje thjesht e bëjnë edhe më të pabesueshëm, edhe më përgjegjës për skandalet e bëra publike.
PS: Të largohet Berisha
Partia Socialiste kërkoi dje dorëheqjen e kryeministrit, Sali Berisha, pas deklarimit të ministrit të Drejtësisë se ai ka ndihmuar në hartimin e infrastrukturës ligjore që solli Gërdecin. “Ditën e shtunë, ministri i Drejtësisë, në një rrëfim për shtyp pranoi se është autori i ligjeve të tragjedisë së Gërdecit. Në kryerjen e detyrës së drejtorit të Antikorrupsionit, ministri konfirmoi me paturpësi se na paskësh qenë detyrë e tij të jepte ndihmë ligjore për të shkruar ligjet e vrasjes dhe plagosjes masive të njerëzve dhe shkatërrimit të pasurisë së tyre.
Me pak fjalë, zoti ministër rrëfeu se si drejtori i Antikorrupsionit na i paska shërbyer korrupsionit shtetëror, të trafikut të municioneve me pasojë vdekjen masive të shqiptarëve, plagosjen e tyre dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre.
Ky zotëri, pa pikë zori, na rrëfeu se paska bërë detyrën e tij për të legjitimuar veprimtarinë kriminale të Gërdecit. Them pa pikë zori, sepse zotëria e tij sot është ministri i Drejtësisë së Republikës sonë!!! Është ministri që shqiptarët e paguajnë me taksat e tyre për t’u mbrojtur nga krimi. Kurse ministri ynë na i paska shërbyer krimit duke i shkruar atij ligjet që legalizojnë veprimtarinë e krimit.
Po në këtë rrëfim, ndoshta pa dashjen e tij, ministri i Drejtësisë zbuloi një të vërtetë të madhe edhe për dijeninë e kryeministrit të vendit. Të gjithë e mbajmë mend se si kryeministri përbetohej se “as që e dinte se ekzistonte Gërdeci”. Ish-drejtori i tij i Antikorrupsionit na konfirmoi se kryeministri jo vetëm që ka pasur dijeni të plotë për Gërdecin, por ka drejtuar gjithçka nga zyra e tij. Në këtë kuadër, zoti Alibeaj paska qenë ngarkuar të bëjë gati ligjet e trafikut që morën jetën e shqiptarëve të Gërdecit.
Tragjedia jonatyrore e Gërdecit vazhdon të na servirë prova të pakontestueshme për përfshirjen e Sali Berishës në aferën e trafikut dhe të korrupsionit. Kjo është arsyeja që Sali Berisha ka marrë peng shtetin për të mos lejuar drejtësinë të hetojë mbi aferat e familjes së tij. Prandaj, edhe njëherë sot, në emër të PSSH, i kërkojmë Sali Berishës të japë dorëheqje, si të vetmen zgjidhje që i ka mbetur për të çliruar shtetin nga pengmarrja, si dhe drejtësinë nga presioni”, - thuhet në deklaratën e PS.