Krimineli për Nobel?
Derisa serbët e konsiderojnë si shkrimtar të madh dhe baba të kombit, shkrimtari serb Dobrica Qosiq te shqiptarët njihet si kriminel, fashist dhe si nxitës i luftërave të viteve nëntëdhjetë në ish Jugosllavi. Edhe pse është një figurë kontroverse, shkrimtarë dhe intelektualë serbë para pak ditësh kanë filluar një iniciativë për kandidimin e tij për çmimin Nobel për letërsi.
Mediat serbe kanë raportuar se këtë iniciativë e kanë përkrahur pothuajse të gjithë shkrimtarët, intelektualët, akademikët dhe politikanët serbë, qoftë të pozitës, qoftë ata të opozitës. Iniciuesit e këtij propozimi kanë deklaruar se përkrahje për këtë iniciativë kanë shfaqur edhe disa prej intelektualëve të njohur botërorë si Noam Chomsky, Edgar Moren, pastaj shkrimtari Peter Handke. Po ashtu kanë deklaruar se do të marrin përkrahjen edhe të shkrimtarëve si Milan Kundera dhe Gunter Grass.
Por cili është reagimi i shkrimtarëve të Kosovës ndaj kësaj iniciative?
Shkrimtari Mehmet Kraja shprehet se Qosiq është shkrimtar mesatar dhe nacionalist, prandaj, sipas tij, gjasat për ta fituar Nobelin janë të pakta.
“Për mendimin tim, kjo nuk do të duhej të ndodhte për dy arsye themelore: e para, Qosiqi është shkrimtar mesatar, pra nuk është ndonjë shkrimtar që është dalluar me veprat e tij; dhe, e dyta, Qosiqi është shkrimtar nacionalist, madje në raport me shqiptarët ka shpërndarë edhe ide fashiste, kështu që nuk do të duhej të ndodhte një marrëzi e tillë e Akademisë Suedeze,” theksoi Kraja.
Ndërkaq, Adem Demaçi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, tha se Dobrica Qosiq në mesin e shkrimtarëve të Serbisë do të ishte i fundit që do të mund të kandidohej për një gjë të tillë. Sipas tij, kjo do të ishte një fyerje.
“Ka shkrimtarë dhe filozofë të tjerë më të mirë. Dobrica Qosiqi është një çetnik i madh, një njeri që e ka marrë në qafë atë popull, me frymëzimin e tij serbomadh dhe është një prej atyre pjesëtarëve që ka marrë pjesë në shpartallimin e ish Jugosllavisë, edhe të Serbisë, kështu që nuk është njëri i cili mund të pranohet nga këshilli i nderuar i Nobelit sepse ka vetëm urrejtje, vetëm përçarje, vetëm njëqind të zeza”, tha Demaçi.
Sipas tij, mjafton vetëm qëndrimi i tij ndaj shqiptarëve që ai njëri të eliminohet nga propozimi. Mirëpo, Demaçi tha se në Serbi ende forcat çetnike dhe serbomëdha janë të instaluara nëpër institucione, nëpër gazeta, nëpër vende të ndryshme atëherë nuk është çudi që e propozojnë një njeri të tillë.
“Unë për veti mendoj se ai njeri nuk meriton të nderohet me një çmim aq të lartë.
Sigurisht prej atij kallaballëkut del edhe dikush prej të jashtmëve që e përkrahin por unë jo vetëm që nuk e përkrahi por jam kundër çdo mundësie që atij njeriu t’i bëhet ndonjë lloj nderimi sepse nuk e meriton”, tha prerazi Demaçi, duke shtuar se “sikur të ishte në rregull Serbia ai nuk do të meritonte as ndonjë nderim kombëtar atje e lere më nderim ndërkombëtar”.
Po ashtu edhe shkrimtari Ramiz Kelmendi shprehet kundër një iniciative të tillë. Ai madje thotë se ndihet i neveritur skajshmërisht dhe nëse do t’i jepej atij një çmim i tillë atëherë kjo, sipas Kelmendit, do të ishte për turp e marre të Zotit e të robit.
Ai gjithashtu të turpshëm e konsideroi edhe rolin që ka pasur Qosiq në luftërat që i zhvilloi Serbia në vitet e nëntëdhjeta.
“Për turp të turpit dhe për marre të Zotit e të robit”, u shpreh shkurt e shqip Kelmendi.
Ndërkaq, se a duhet të reagojnë institucionet e Kosovës ndaj një propozimi të tillë, Demaçi u shpreh se ne nuk kemi nevojë të përzihemi në punët e të tjerëve.
“S’kemi çka reagojmë. Nuk kemi nevojë të reagojmë për kësi lloj iniciativash nëpër dynja. Këshilli i Nobelit është një këshill i përbërë prej njerëzve që e dinë çfarë bëjnë.
Në qoftë se e fiton Qosiqi Nobelin nuk bahet kurrfarë kiameti. E ka fituar edhe Ivo Andriqi, e kanë fituar edhe shumë të tjerë që ndoshta nuk e kanë merituar edhe më hiq, kështu që nuk bëhet kurrfarë kiameti”, tha Demaçi.
Edhe Kraja pohon se institucionet e Kosovës nuk kanë nevojë të reagojnë, pasi që, sipas tij, ky është më shumë problem që i takon Europës.
“Pse do të duhej të bënin diçka? Për secilin maskara që mund të marrë një çmim ndërkombëtar, madje edhe të rëndësishëm siç është Nobeli, nuk do të duhej që Kosova t’i projektonte këto gjëra si çështje të saj. Nëse, ta zëmë, një shkrimtar i dobët ose mesatar, e mbi të gjitha një shkrimtar fashist merr çmimin Nobel, ky nuk është problem i Kosovës, por më shumë i Europës, e cila do të duhej të mendonte për gjendjen e civilizimit të saj”, tha Kraja.
Ndërkaq, në rast se Qosiq e fiton Nobelin, Kraja tha se nuk do të ndihej keq.
“Çfarë pritni t’ju them, se do të ndihesha keq. Jo, aspak... Po mundohem t’ju them se tani duhet të mësohemi të jetojmë pa e përqendruar vëmendjen se çfarë thonë dhe çfarë bën dikush në Beograd. E kuptoni se ku e kam fjalën?”, u shpreh Kraja.
Thënie të Qosiqit
“Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar, i mori si aleatë Amerikën dhe Bashkimin Evropian kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të kulturuar ballkanik – popullit serb”.
“Gënjeshtra është formë e patriotizmit serb”.
“Ne gënjejmë në mënyrë kreative”.
“Virtyti kryesor i serbëve është gënjeshtra”.