Bibliografi e librit shqip në 5 shekuj
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë mbushi në dhjetor të 2010-s plot 90 vjet që nga themelimi i saj. Në përmbyllje të aktiviteteve vjetore me rastin e 90-të vjetorit të saj, Biblioteka i bën dhuratë lexuesit shqiptar të parën bibliografi të librit shqip, që nga viti 1555 deri më 1944. Janë rreth 4000 tituj librash, që nga libri i parë në shqip, Meshari i Gjon Buzukut, që janë bërë pjesë e kësaj bibliografie që u konsiderua nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Sali Bashota, si një nga veprat më madhore që rrëfen udhëtimin e librit shqip në 5 shekuj. Në ceremoninë e mbylljes së aktiviteteve për 90-vjetorin e saj ishte i ftuar dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha; ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj; personalitete të shquara të librit, artit dhe kulturës. Sipas njërit prej autorëve të kësaj bibliografie, Maksim Gjinaj, në këtë bibliografi e gjejnë veten të gjithë punonjësit e Bibliotekës shqiptare që nga themelimi i saj. “Në këtë bibliografi e gjejnë veten të gjithë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare që në themelimin e saj. Ne nuk mund të arrinim në përfundimin e kësaj vepre pa ata që siguruan librin, pa ata që ruajtën librin, e restauruan librin, pa ata që e shërbyen librin etj. Formuam një rrjet shumë te gjerë skedarësh, pa të cilin ne nuk do të kishim këtë mundësi komode që të krijon sistemi i informacionit manual në Bibliotekën Kombëtare dhe këtë e kanë krijuar të tjerë, që ne na mbetet vetëm t’i falënderojmë.” - u shpreh një prej autorëve të këtij vëllimi, Maksim Gjinaj. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, falënderoi të pranishmit dhe shprehu rëndësinë e botimit të bibliografisë së Librit shqip që nga 1555-1944, si një nga veprat më të rëndësishme referuese të librit shqip. Gjithashtu, një tjetër “surprizë” nga drejtori Plasari ishte dhe medalja e krijuar posaçërisht për 90-vjetorin e Bibliotekës si Mirënjohje për disa personalitete. Në emër të Bibliotekës Kombëtare, u nderuan Medaljen e Mirënjohjes kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, si një nga lexuesit e vjetër të bibliotekës dhe mik i librit; ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, për mbështetjen e tij në botimin e të parës bibliografi të librit shqip që nga 1555-1944; studiuesi Sherif Delvina, i këshillit shkencor të Bibliotekës Kombëtare dhe Bujar Hudhri, si botuesi i Bibliografisë së librit shqip 1555-1944. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Sali Bashota, pasi falënderoi për vlerësimin, u shpreh se bibliografia është një vepër madhore që paraqet në 5 shekuj udhëtimin e librit shqip. “Është një vlerë për komplet hapësirën mbarëkombëtare, që i vlen përkthyesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë” - tha ai ndër të tjera. Pas promovimit të bibliografisë së librit shqip 155-1944, të pranishmit vizituan dhe ekspozitën “Naim Frashëri: një aventurë editoriale 1882-1912” .
Kryeministri Berisha premton një bibliotekë të re
Si një nga miqtë e vjetër të Bibliotekës Kombëtare, që kur ishte fare i ri e sot Kryeministër i vendit, Sali Berisha nuk mund të mungonte në atë që ai e quan tempullin e diturisë, por në këtë rikthim të tij ai vjen me një peng me vete. “Në këtë bibliografi paraqitet gjenia krijuese në shekuj e shqiptarëve. Kjo bibliografi është një vepër madhore për shqiptarët. Biblioteka Kombëtare është tempulli që unë e dua më shumë se çdo gjë, por nuk kam bërë aq sa duhej për të, por ju garantoj se do t’ju mbështes duke ndihmuar për një bibliotekë të re. Nëse qeveria jonë ka premtuar dy objekte në 100-vjetorin e Pavarësisë, Parlamentin e ri dhe Stadiumin, ju premtoj edhe një Bibliotekë të re.” - u shpreh ndër të tjera kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Bibliografia e librit shqip 1555-1944
Biblioteka Kombëtare Shqiptare u përurua në dhjetor të vitit 1920 dhe drejtor i parë i saj ishte prof. Karl Gurakuqi. Më 10 korrik 1920 nisi nga Shkodra zhvendosja e fondit të bibliotekës së "Komisisë Letrare Shqipe", e cila shërbeu si fondi i parë i Bibliotekës së ardhshme Kombëtare me 6 000 vëllime, duke shtuar këtu dhe kontributin e dhuratave nga qeveri Perëndimore, si ajo franceze; apo koloni shqiptare, si kolonia e Rumanisë; dhe ndihmën e madhe që dha në veçanti një individ, bibliofili Mithat Frashëri (Lumo Skëdo), Eqrem bej Vlora, Bushatllinjtë e shumë e shumë të tjerë. Biblioteka Kombëtare përfaqësoi institucionin e parë kulturor-shkencor të shtetit shqiptar. “Po të shohësh historinë e Bibliotekës, që në atë kohë kishte njerëz që dhuruan librin për këtë bibliotekë. Dikur ka qenë një praktikë që duhet të rifillojë; që individë, institucione dhuronin libra, që nga Pallati mbretëror, ministritë, albanologë të njohur e kështu me radhë. Edhe ata janë për t’u nderuar me simbolin e Mirënjohjes. Sigurisht që mund të na mungojnë botime, sepse edhe sot ka shtëpi botuese që nuk janë korrekte, por gjithnjë e më tepër minimizohen librat që na mungojnë. Të gjithë librat që janë në arkivin e bibliotekës që nga vitit 1555-1944 janë në këto dy vëllime.”- u shpreh autori i saj Maksim Gjinaj. Bibliografia nis me librin e parë shqip, Mesharin e Gjon Buzukut. Ajo është ndarë në dy vëllime. Në vëllimin e parë janë skeduar librat shqip që nga viti 1555-1912, ku janë përfshirë rreth 600 tituj; dhe në vëllimin e dytë që fillon që më 1913-1944, janë përfshirë rreth 3 000 tituj. Të gjitha janë pasuri e Bibliotekës Kombëtare. Bibliografia u hartua nga Maksim Gjinaj, Margarita Mele dhe Myrvete Elmazi.