“Birrë, gozhdë dhe sapun” e çojnë Çapalikun në Kosovë
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës dje u shfaq drama “Birrë, gozhdë dhe sapun” nga Stefan Çapaliku, që erdhi nën interpretimin e aktorëve të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Teksti, regjia, skenografia është punuar nga Stefan Çapaliku, ndërkaq në rolet kryesore luajtën: Frederik Fistani, Agron Dizdari, Enver Hyseni, Rita Gjeka, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Brikena Sinanaj, Besmir Halitaj, Arbion Rexhepi. Ngjarjet që sjell Çapaliku në këtë vepër zhvillohen brenda 24 orëve në një qytezë të ndërtuar në kohën e komunizmit në Shqipëri, afër një miniere, që rri e mbyllur që prej 20 vitesh. Ndërrimi i sistemit politik e ka nxjerrë minierën jorentabël nga pikëpamja ekonomike. Një pjesë e madhe e njerëzve të mbetur mbas mbylljes së saj kanë emigruar jashtë shteti. Një pjesë e vogël ka mbetur aty, të papunë dhe të pashpresë. Veprimi dramatik nis dhe mbaron brenda katit të parë të një shtëpie buzë rrugës nacionale, që shërben si klub, dyqan dhe pikë takimesh për të mbeturit e qytezës. Ardhja e një të huaji në qytezë zgjon vëmendjen e të gjithëve. Historia merr një kthesë të fortë kur e zonja e shtëpisë dhe pronarja e klubit (një lloj Mirandoline) bie në dashuri me të huajin. Mirëpo dashuria e tyre zbulohet shpejt prej banorëve të tjerë të qytezës, njeri prej të cilëve e vret të huajin, e bashkë me të edhe ëndrrat e të tjerëve. Shfaqja “Birrë, gozhdë dhe sapun” është një dramë e mjedisit me temë sociale dhe aktuale në Shqipërinë në tranzicion, ku regjisori (autori) ka bërë gjetje interesante duke paraqitur në dramë gjendjen në një mjedis të Shqipërisë, ku njerëzit përballen me këtë kohë, me joperspektivën dhe vështirësi të tjera që sjellin shoqëritë në tranzicion. “Birrë, gozhdë dhe sapun” ka udhëtuar dhe drejt Gjilanit, ku është ngjitur në skenë në kuadër të Festivalit të Dramës Kombëtare.