Violinistja Anyla Kraja rikthehet aty ku mësoi tingujt e parë
Zemra është ajo që të bën të shtegtosh dhe rikthehesh, duke sjellë një shpirt të pasuruar edhe më shumë seç e ke pasur këtu. Bëhet fjalë për Anyla Krajën, violinisten virtuoze me famë ndërkombëtare, që prej më shumë se një dekadë është bërë ambasadorja e humanitetit shqiptar në botë. U largua për dashuri drejt Italisë dhe kthehet në Shqipëri po për dashuri, por të një forme tjetër, gjithëpërfshirëse. Me tingujt e saj të violinës ajo ka lotuar publikun për të shuar urinë në botë. Ndërsa këtë herë, humanizmi i saj mori një tjetër formë; kokëfortë në qëllimet e saj fisnike, ajo pretendoi dhe ia arriti që nxënësit e liceut artistik “Jordan Misja” në kryeqytet të kishin mundësinë të studionin denjësisht me një pianoforte të dhuruar prej saj. Dje u kurorëzua në një aktivitet tepër emocionues rruga e gjatë e ardhjes së pianofortes Yamaha në Tiranë. Nën prezantimin e drejtoreshës së Liceut Artistik, Albana Kosovrasti, në sallën e koncerteve në atë shkollë u organizua një minikoncert me talentet e reja për të përgëzuar këtë gjest mbresëlënës dhe njëkohësisht për të inauguruar edhe pianon e re. “Pianoforte e dhuruar nga dy ish-liceiste, violinistja Anyla Kraja dhe pianistja Fatma Spahiu. Drejtoreshë Albana Kosovrasti. Janar 2011” - ishte mbishkrimi mbi pianoforten. “Anyla sot nuk ka sjellë një pianoforte, ajo ka sjellë një pjesë të madhe të shpirtit të saj këtu. Sepse ky ambient ka qenë më i rëndësishmi që e ka formuar atë dhe e ka bërë të ndihet në këtë mënyrë në skenat më prestigjioze të botës” - është shprehur ish-mësuesi i saj Xhovalin Lazri. Ndërsa vetë Anyla tha se ajo nuk i ka humbur ndonjëherë lidhjet me Shqipërinë dhe ky gjest tregon se ajo jo vetëm e do fort dhe është krenare për të gjithë talentet shqiptarë që promovon në Itali, por ajo ka projekte të mëdha në të ardhmen në vendin tonë. “I kam rënë violinës në një publik të rëndësishëm prej 3 000 vetësh, atëherë kur Shqipëria kishte nevojë për përmirësimin e imazhit. Kishte shumë rëndësi për mua. Ishin vitet 2000, pas 1997-ës së tmerrshme. Qëllimi i atij koncerti ishte bamirës. Unë jam aktualisht ambasadore e FAO-s në Romë. Në këto momente që ne po flasim, po vdesin shumë fëmijë në botë nga uria. Një i tillë vdes çdo gjashtë sekonda. Në pesë minuta që ne po flasim, kushedi sa kanë vdekur. Për këtë qëllim, unë vendosa të luftojë për këtë kauzë. 40% të çdo CD-je të koncerteve të mia shkojnë për kauzën që unë mbroj.” - tha violinistja Kraja. Ndërsa duke kujtuar fundin e debutimit të saj në violinë në vitin 2000 në Romë, e emocionuar tregoi se drejtuesit e koncertit i thanë se është pasardhësja shqiptare e Nënë Terezës. Ishte pikërisht ai moment që ajo vendosi të japë një pjesë të shpirtit të saj për ata që kanë nevojë. Ndërsa një pjesë tjetër e solli në Shqipëri, për të ndihmuar talentet e reja që ajo synon t’i promovojë në botë. Në fondet e mbledhura për pianoforten kanë kontribuar shumë deputetë të Parlamentit italian, Grazia Lippi dhe fondet e mbledhura nga koncerti i bamirësisë së dhënë në katedralen e Signës nga vetë Anyla dhe pianistja e talentuar Fatma Spahiu.