Muaji Anagnosti mbyllet me “Përrallë nga e kaluara”
E mërkura e fundit e Muajit Anagnosti vjen me dy filma artistikë. “Dueli i heshtur”, prodhim i vitit 1967 është një rrëfim për heroin që në film vjen me emrin Skënder Guri, i cili përleshet me kapter Rahmiun dhe dy pinjollët e tij që rrëmbejnë një anije ushtarake për të emigruar në Itali. Marinari Guri arrin në fund të triumfojë dhe ta kthejë anijen përsëri në bazë në Shqipëri. Në filmin “Dueli i Heshtur” luajnë aktorët Ndrek Luca, Rikard Larja, Bujar Kapexhiu, Reshat Arbana, Fitim Makashi, Injac Saraçi etj. Në mbyllje të aktiviteteve që u zhvilluan me rastin e 70-vjetorit të datëlindjes së regjisorit Dhimitër Anagnosti, do të shfaqet një prej filmave të tij më të pëlqyer për publikun: “Përrallë nga e kaluara”, një variacion i komedisë “14 vjeç dhëndër” të A. Z. Çajupit. Në këtë komedi autori tregon historinë e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 20-vjeçare. Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe më në fund fiton. Fitues i çmimit "Aleksander Moisiu" në vitin 1988, për skenarin. Nderuar me çmimin e dytë në Festivalin e 8-të të Filmit Artistik Shqiptar, 1990. Aktoret Hajrie Rondo dhe Elvira Diamanti u nderuan me çmimin e dyte dhe të tretë. Fiton çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmave të Europës Lindore në Bondy, Francë, 1990. Të pranishëm, përveç regjisorit Anagnosti, do të jenë dhe autorë dhe aktorë të filmit, që do të zhvillojnë diskutime mbi filmin dhe krijimtarinë e Anagnostit. Në role luajnë: Elvira Diamanti, Admir Sorra, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Mira Minga, Mimika Luca, Mehdi Malkaj, Zef Mosi, Baftjar Cenaj etj.