Krimit në Lucern nuk i jepet prapavija etnike

Aktualisht, në opinion mbizotëron qasja që rastit të mos i jepet prapavija etnike, kur dihet se personi i fajësuar është shqiptar nga Kosova me shtetësi zvicerane.
Krimi i rëndë që ndodhi të mërkurën në Menznau të Lucernit, me ç`rast Viktor Berisha fajësohet se ka vrarë dy persona, ka plagosur shtatë dhe në fund ka varë veten, ka pushtuar me të drejtë hapësirën mediale të Zvicrës. Njerëzit janë të shokuar nga përmasat e tragjedisë dhe vazhdimisht dalin në sipërfaqe të dhëna të reja që çojnë drejt qartësimit të rrethanave vrasjeve.
Mirëpo edhe tash pas sa e sa raporteve të medieve të Zvicrës ende nuk ka indikacione për motivet që kanë shtyrë dorasin për të bërë krimin.
Aktualisht, në opinion duket se mbizotëron qasja konstruktive që rastit të mos i jepet prapavija etnike, kur dihet se personi që ka shkaktuar tri vdekje dhe shtatë plagosje të rënda është shqiptar nga Kosova me shtetësi zvicerane. Madje, në shumicën e raportimeve të medieve kjo përkatësi nuk përmendet ose vetëm evidentohet, pa i dhënë peshë të veçantë.
Në orët e mbrëmjes së të mërkurës është bërë e ditur se njëri ndër te vrarët është kampion i Zvicrës qendrore në mundjen tradicionale të Zvicrës (Schwingen), Benno Studer 26 vjeçar. Studer pas një pauze të shkaktuar nga lëndimi, në prill të këtij viti do t`u kthehej garave. Humbja e një jete të re, e një personi të njohur publik, është pasqyruar në shumicën e medieve të këtushme.
Krimi ka bërë jehonë edhe në nivelet me të larta të Bernës zyrtare. Kështu Qeveria Federale pas një mbledhjeje të mbajtur ka shprehur tronditjen dhe dhembjen e madhe për viktimat dhe të plagosurit, ka thënë zëdhënësi i saj, Andrè Simonazzi. Qeveria u shpreh familjeve të goditura ngushëllimet e saj dhe falënderon autoritetet kompetente në Lucern për ndërhyrjen e tyre.
Ndërsa ministrja e drejtësisë Simonetta Sommaruga me këtë rast ka dhënë një deklaratë në lidhje me dëmet që shkakton në Zvicër mbajtja e armëve. “Rasti i rëndë na vetëdijeson për atë se sa vuajtje mund ë shkaktohet përmes armëve. Ai tregon po ashtu se e drejta për mbajtje të armëve duhet përmirësuar në vazhdimësi. Ne nuk kemi mbërritur ende synimin. Edhe më tutje me qindra mijë armë mbeten të paregjistruara”.
Siç kemi njoftuar tashmë, krimi i rëndë ka ndodhur të mërkurën, rreth orës 9, kur, në kantinën e fabrikës për përpunimin e drurit “Kronospan” në Menznau të Lucernit Viktor B., ka shtënë me armë në një grup bashkëpunëtorësh të tij. Për pasojë janë vrarë 3 persona dhe 7 janë plagosur. Në mesin e të vrarëve është edhe vetë sulmuesi.
Në disa informacione nga personat që kanë qenë në vendin e ngjarjes thuhet se vrasësi kishte për qëllim të vriste edhe më tutje, por atë e kanë ndaluar disa nga të pranishmit duke e goditur me karrige. Mbetet ende e paqartë nëse ai ka vdekur nga kjo ose ka bërë vetëvrasje.
Kohëve të fundit te Viktor Berisha, ka qenë i mbyllur në vetvete dhe mungesa e shoqërimit me të tjerët. Megjthatë ai thotë se autori i vrasjes nuk ka qenë i njohur si tip problematik dhe ka pasur një jetë të qetë e normale.
Kohëve të fundit ai e kishte ndërruar vendbanimin duke kaluar nga Menznau në Willisau. Bashkëbiseduesi ynë thotë se në këtë fabrikë punojnë një numër i madh shqiptarësh, rreth 60 sish.
Nga ana tjetër policia, me gjithë përpjekjet e bëra nga albinfo.ch nuk ka pranuar të japë informata në lidhje me rastin me arsyetim detyrimin për mbrojtjen e të dhënave personale./Indeksonline/