Zhdukja e Remzi Hoxhës, dëshmojnë në Itali tre ish-punonjës të SHIK
TIRANE – Dy gjykata italiane ekzekutuan pak ditë më parë letër-porositë e drejtësisë shqiptare në pyetjen e tre dëshmitarëve për llogari të gjykimit të dosjes “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Pyetja e dëshmitarëve Riza Shehu dhe Flutura e Gjok Hasanaj u realizua në Itali, për shkak të banimit të tyre në këtë vend. Lajmi për ekzekutimin e letër-porosive u konfirmua nga burime pranë Gjykatës për Krimet e Rënda. Sipas burimeve në 23 qershor në Gjykatën e Trevizos, Itali, është realizuar pyetja e dëshmitarit Riza Shehu. Dy ditë më pas në Gjykatën e Pistoia është mundësuar pyetja e dëshmitarëve Flutura e Gjok Hasanaj. Dëshmitarët janë pyetur rreth dijenive që kanë për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995, ngjarje për të cilën akuzohen tre ish-funksionarë të shërbimit sekret. Bëhet e ditur se nga pala shqiptare të pranishëm në seancat e ekzekutimit të letër-porosive ka qenë gjyqtari kryesues i kësaj dosjeje tek Krimet e Rënda, gjyqtari Gurali Brahimllari, si edhe përfaqësuesi i akuzës në çështje, prokurori Xhevat Hana. Pyetjet e palëve në gjykimin në Shqipëri iu janë drejtuar dëshmitarëve Shehu dhe Hasanaj nga ana e gjykatësve italianë. Në vijim, në zbatim të procedurave përkatëse përgjigjet do të vijnë me anë të letër-porosive në Gjykatën për Krimet e Rënda, e cila do t’i bëjë të ditura në proces. Burimet u treguan të rezervuara në përmbajtjen e dëshmive të dhëna pak ditë më parë. Ndërkohë bëhet e ditur se dëshmitarët kanë mbajtur të njëjtën “linjë” me deklarimet e dhëna prej tyre në fazën e hetimeve paraprake. Mësohet se në vitin 1995 dëshmitari Shehu ka qenë punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar. Ndërsa dy dëshmitarët Hasanaj, kanë qenë pjesë e personelit të një baze sekrete të SHIK-ut, në Vain të Lezhës, ku sipas prokurorisë, dyshohet të jetë torturuar dhe më pas zhdukur Remzi Hoxha. Procesi në ngarkim të tre ish-sekretëve të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt, Ziso Kristopulit dhe Remzi Hoxhës, me pasojë zhdukjen e të fundit, ka shënuar 61 seanca tek Krimet e Rënda. Në vijim pritet pyetja me letër-porosi e dëshmitarit Martin Miraj në 8 korrik në Gjykatën e Romës, Itali, si edhe pyetja e dëshmitarit “kyç” në proces, Avdyl Loshaj, pyetja e të cilit do të bëhet në periudhën 2-8 gusht në Kosovë. ar.ba