Presidentët: Shengen ballkanik
ADI SHKEMBI
Pas takimit në Vlorë dhe Ohër, Presidentët e katër shteteve të rajonit, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë takohen në Prizren. Në dy ditët e takimeve krerët e vendeve fqinje kanë biseduar lidhur me lëvizjen e lirë të qytetarëve, integrimin në BE si dhe luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Pas takimeve dypalëshe dhe takimit të përbashkët, Topi, Sejdiu, Ivanov dhe Vujanoviç dolën në një konferencë për shtyp. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se Kosova duhet të përfitojë heqjen e vizave. “Edhe në tryeza të tjera, por edhe sot unë shpreha qëndrimin tim që statusit të lëvizjes së lirë të njerëzve në rajonin tonë kurrsesi nuk duhet t’i qëndrojë larg edhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës, gjë që gjeti mirëkuptimin edhe të kolegëve të mi dhe natyrisht, kjo thirrje është edhe për partnerët tanë të rëndësishëm europianë, që besoj do e shohin lëvizjen e lirë si e drejtë substanciale të çdo qytetari që jeton dhe punon në rajonin tonë ballkanik”. Ndërsa kreu i shtetit kosovar, Fatmir Sejdiu, vlerësoi se pas këtij takimi rajoni ndodhet pranë marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e këtyre vendeve. “Sot themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi vënë si ide më herët për një ‘mini-Shengen ballkanik’, apo të Evropës Juglindore, për të demonstruar pjekurinë tonë edhe për proceset integruese në një plan më të gjerë”, tha Sejdiu. Në fjalën e tij Presidenti malazez shtoi se themelimi i zonës ‘mini-Shengen’ është i rëndësishëm për integrimin në BE, ndërsa homologu maqedonas kujtoi shtatë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën, përcaktimin e kufirit dhe hapjen e ambasadave respektive.
Serbia
Në konferencën për shtyp katër Presidentët nuk shmangën as dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. “është në vullnetin e secilit vend për të vendosur edhe masën e komunikimit me një vend tjetër, por do të ishte e papranueshme që të bësh prezent diplomacinë e hapur apo ‘underground’ për të bërë ‘lobing’ që Kosova të mos jetë pjesë e tryezave rajonale, sikurse ishte Takimi i Vendeve të Europës Juglindore në Stamboll”, u shpreh Presidenti Topi. Ndërsa kreu i shtetit malazez, Filip Vujanoviç, theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në dy realitete që ekzistojnë dhe janë të ndryshme. “Një realitet është që deri më tani gjashtëdhjetë e nëntë shtete e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me të, kanë shkëmbyer edhe ambasadorët dhe realiteti tjetër është se njëqind e njëzetetre vende të tjera anëtare të OKB-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Duke i respektuar këto dy realitete, pra po ashtu duke respektuar edhe dialogun si të tillë, duhet mbështetur dialogu që do t’u sillte të mirën edhe Serbisë, edhe Kosovës”, tha Vujanoviç. Nga ana e tij Presidenti maqedonas propozoi që në takimin e ardhshëm të marrin pjesë edhe Presidentët e Greqisë dhe Serbisë.