E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, fushatë me Panaritin e Rrokajn: Zgjedhjet në LSI do jenë proces i hapur



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, njëherësh zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, tha dje se zgjedhjet për krerët e degëve të kësaj partie do të zhvillohen përmes një procesi të hapur. Meta ishte dje me dy kandidatët për degën e Tiranës, Edmond Panariti dhe Shezai Rrokaj, kur u takua me anëtarët e simpatizantët e njësisë bashkiake nr.1. Në fjalën e tij kreu i LSI-së vlerësoi profilin intelektual dhe qytetar të kandidatëve për LSI-në e Tiranës, Panariti e Rrokaj. “Ky do të jetë një proces i hapur, një proces që do të analizojë disa elementë së bashku dhe që do t’i shërbejë forcimit dhe konsolidimit të kësaj strukture kaq të rëndësishme për të gjithë Lëvizjen Socialiste për Integrim në vend”, u shpreh ndër të tjera lideri i LSI. Sipas Metës, “në gjithë këtë proces Lëvizja Socialiste për Integrim e kryeqytetit, përveç edhe problematikës që ka të bëjë me qeverisjen e vendit, me rolin dhe kontributin që LSI-ja ka dhënë aktualisht, por që mund të japë dhe duhet të japë akoma më shumë edhe në të ardhmen, do të ketë në qendër të vëmendjes edhe problematikën e shumtë vendore të kryeqytetit, por edhe të gjithë komunitetit dhe komuniteteve të veçanta të Tiranës”. Në të njëjtën kohë ai vlerësoi se “në gjithë vendin, zgjedhjet për strukturat e LSI-së do të zhvillohen me transparencë, duke evidentuar nivelin e lartë të demokracisë së brendshme në parti”. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të LSI-së, takimi me strukturat drejtuese dhe anëtarësinë e kësaj partie u zhvillua në kuadër të fazës së ristrukturimit dhe zgjedhjeve brenda strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në fjalën e tij, Meta u ndal në procesin e riorganizimit, që synon forcimin e partisë dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme lokale. “Ky proces do të sjellë një ridimensionim të LSI-së jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin”, u shpreh më tej kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në përfundim ai theksoi se, problematika e pushtetit vendor dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve do të jetë fokusi ku do të përqendrohen platformat e kandidatëve të LSI-së për kryeqytetin, por edhe për gjithë pushtetin vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›