E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovimi i investimeve dhe tregimi mbi ECIKS-in

Uk Lushi

Promovimi i investimeve përfshin aktivitete të ndryshme të një vendi për të tërhequr investime direkte të jashtme (FDI). Këto aktivitete mund të jenë seminare, panaire, ekspozita, shpërndarje e materialeve informuese përmes mediumeve të ndryshme, projekte marketingu, reklamim i shtetit dhe Qeverisë në publikime me renome dhe qarkullim të madh, organizim vizitash të investorëve në vendpunishte, gjetje e partnerëve lokalë për investorët e jashtëm etj. Arsyet e nevojshmërisë së promovimit të investimeve janë të shumta si psh. konkurrenca për kapitalin e jashtëm apo barrierat gjuhësore, kulturore dhe gjeografike. Sidoqoftë, arsyeja kryesore pse qeveritë, sidomos ato të vendeve në zhvillim si vendet e shqiptarëve- Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, duhet të promovojnë potencialin investues të tyre, është dështimi i tregut si mekanizëm i ndërshkëmbimit të informatave.
Siç kanë vërtetuar Bruce Greenwald dhe Joseph Stigliz, ky i fundit laureat i çmimit Nobel për Ekonomi me 2001, investorët e jashtëm, nëse duan të investojnë në një vend për të cilin nuk kanë informacionin e njëjtë sikur vendorët, ata ballafaqohen me problemin e asimetrisë së informatave. Pra, investorët e huaj janë në disavantazh, sepse tregu i informatave është i ndryshëm nga çdo lloj tjetër tregu dhe për shkak të informacionit imperfekt këto tregje ka mundësi se nuk gjenerojnë optimumin eficient të Paretos, që është i pranishëm si ekulibrium në tregjet tjera. Investorët e jashtëm të interesuar të investojnë në vendet në zhvillim, në fakt, janë të hendikepuar edhe nga fakti se statistikat në këto ekonomi shpesh janë rudimentare dhe informata të paorganizuara. Duke përhapur dhe propaganduar informacionin për potencialet dhe mundësitë ekonomike të tij, një vend ka mundësi të rregullojë këtë anomali të tregut, tërheqë investorët e jashtëm dhe lejojë alokimin eficient të kapitalit.
Platforma e promovimit të investimeve mbështetet në katër shtylla: ndërtimi i imazhit të shtetit (Qeverisë), përfitimi i investimeve, shërbimet përcjellëse për investorët që investojnë dhe advokimi i të drejtave të investorëve. Ekzekutimi i platformave të investimeve direkte të jashtme bëhet nga Agjencitë e Promovimit të Investimeve (API). Në aspektin juridik API-t janë të organizuara në forma të ndryshme: si drejtori brenda ministrisë (zakonisht asaj të Ekonomisë ose tregtisë); agjencione publike autonome; entitete të përziera publike-private; apo si entitete krejtësisht private. Statusi legal i një API është i rëndësishëm, sepse ka efekt në rezultatet e punës.
Në këto kohë të vështira ekonomike promovimet e investimeve duhet te bëhen një nga prioritetet qeveritare, sepse edhe Shqipëria, edhe Kosova, edhe Maqedonia, kurrë më shumë nuk kanë nevojitur investimet direkte të jashtme për të rritur mirëqenien e qytetarëve të tyre dhe për të luftuar papunësinë.
Nga shtetet shqiptare në Ballkan, Kosova dhe Shqipëria janë shembuj më të mirë, ngase ato ka disa vite që kanë krijuar API-të e veta, të cilat quhen Agjencia për Promovimin e Investimeve të Kosovës (APIK) dhe AlbInvest. Maqedonia ka mbetur prapa, sepse shqiptarët atje në vend që të inkuadrohen në menaxhimin dhe drejtimin e API-t të Maqedonisë kanë tentuar të formojnë API-n e vet në Tetovë, duke ua lënë maqedonasve, me të cilët e ndajnë shtetin, të udhëheqin me API-n e Maqedonisë.
Sidoqoftë tregimi më i mirë për promovimin e investimeve vjen nga Kosova. Ai është historia e API-t të Kosovës, sukseset më të mëdha të të cilit kanë ardhur nga zyra në Vjenë të Austrisë, që në fakt ka filluar si një iniciativë e shkëlqyeshme vullnetare dhe private nga Kujtim Dobruna, Edmond Shabani, Hamëz Morina, Ali Vishaj dhe Margita Preni. Pesëshja e përmendur, ish-studentë në Austri, më 2003 u mblodhën dhe formuan një organizatë për promovimin e Kosovës dhe potencialeve të saj. Në fillim ata ishin pa mjete dhe pa mbështetje dhe të pajisur vetëm me diturinë që kishin marrë nga fakultetet austriake. Por nuk u dorëzuan.
Bazuar në profesionalizmin e tyre dhe dëshirën për të ndihmuar Kosovën, ata formuan Nismën Ekonomike për Kosovën (ECIKS), një organizatë jopërfituese për promovimin e potencialeve të Kosovës në hapësirën gjermanofolëse. Pas një pune të vlefshme disa vjeçare, në nëntor të vitit 2006, ekipi i ECIKS-it i propozoi Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) financimin e projektit ku ECIKS do të shndërrohej në përfaqësues të APIK-ut nga Prishtina në vendet gjermanofolëse, hap ky që bëri zyrën e ECIKS-it përfaqësinë e parë zyrtare ekonomike të Kosovës jashtë vendit.
Mund të thuhet se ECIKS deri më tani jo vetëm që ka arritur të përmbushë objektivat, qëllimet dhe mandatin e saj si quasi-përfaqësi e Kosovës, por ka kontribuar edhe në forcimin dhe edukimin e vetë stafit të API-t në Prishtinë.
ECIKS dërgon informatorin e përmuajshëm me të rejat e ekonomisë së Kosovës, në adresat e 2600 bizneseve dhe investorëve anembanë Europës. Përpos këtyre punëve të dobishme, ECIKS ka marrë pjesë në 14 paraqitje për promovimin e investimeve nëpër tërë Europën; ka organizuar ose bashkërenditur me API-n e Prishtinës 35 vizita investorësh në Kosovë; ka publikuar 284 artikuj për ekonominë e Kosovës në anglisht dhe 15 në gjermanisht; dhe ka kontaktuar me 556 investorë të interesuar të investojnë në atdheun tonë. çfarë është më e rëndësishme, rezultatet e ECIKS-it kanë filluar të shihen konkretisht. Ata kanë qenë instrumentalë në sjelljen e dy investimeve solide në Kosovë dhe momentalisht mbështesin me shërbime dhe informacion 10 kompani austriake, që tashmë kanë investuar në shtetin tonë më të ri. Gjithë këto aktivitete u kanë mundësuar 106 personave të gjejnë punë. Aktualisht, ECIKS është në proces të përgatitjes së një investimi, i cili mund të krijojë deri në 1000 vende të reja pune.
Rasti i ECIKS-it është një rast model, që duhet të shtyjë qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë të bëjnë çmos të inkurajojnë edhe kuadro profesioniste nga vendet e tjera, ku jetojnë shqiptarët, qoftë në Europë, qoftë në kontinentet e tjera, që të përfshihen në projektin e përparimit të vendeve tona dhe ofrimit të ndihmës profesionale për zhvillimin ekonomik të trojeve tona.
Bashkëpunimi i ECIKS-it me API-n e Kosovës është një shembull i bukur i benefiteve të dyanshme. Në njërën anë ka përfituar API nga Prishtina nga knoë-hoë dhe profesionizmi i ekipit të Dobrunës dhe në anën tjetër, ECIKS në partneritet me APIK-un, që ka nga prapa fuqinë qeveritare, është pozicionuar si palë më kredibile dhe efikase për promovimin e ekonomisë së Kosovës, si një rast i mirë për investorët e jashtëm.
Agjencitë për Promovimin e Investimeve janë të rëndësisë së madhe për të gjitha shtetet, edhe për ato të zhvilluara, dhe në raste të shumta një seri entitetesh janë të involvuara në përcaktimin e politikave të tyre promovuese, si fjala bie zyra e Presidentit dhe/ose Kryeministrit, Ministria e Jashtme, Financave, Industrisë, e deri te Ministria e Tregtisë. Strategjia e API-ve bazohet thelbësisht në planin strategjik nacional të zhvillimit të ekonomisë dhe sektorëve të rëndësisë primare për shtetin. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia i kanë disa sektorë të ekonomisë që janë avantazh i qartë absolut dhe nëse qeveritarët tonë vendosin të punojnë me njerëz si ekipi i ECIKS-it në Vjenë, atëherë investimet direkte të jashtme në vendet tona në Ballkan do të rriten.
Shekulli i ri dhe kriza e fundit kanë sjellë konkurrencë më të madhe të shteteve për investime direkte të jashtme dhe nëse kërkesa për kapital nuk prezantohet si duhet, investimet direkte të jashtme do të shkojnë në vendet fqinje ose në ndonjë regjion tjetër të globit. Studime të shumta që janë bërë kanë treguar një korrelacion të qartë mes punës së API-ve dhe shumave të investimeve direkte të jashtme. Vendet tona si shtete me ekonomi në zhvillim e sipër duhet të bashkërendisin aktivitetet dhe të vrapojnë kur të tjerët mbase kanë komoditetin vetëm të ecin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›