E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kris Anderson: Media, si e shoh të ardhmen e saj

Në një intervistë, Kris Anderson, kryeredaktori i revistës "US technology", dhe i revistës kulturore, "Weired", diskuton për sfidën e internetit ndaj shtypit tradicional dhe modelet e reja të biznesit në rrjet

Le të flasim për të ardhmen e gazetarisë.

Atëherë ju siguroj se do të jetë një intervistë shumë e mërzitshme. Unë nuk e përdor fjalën "gazetari".

Epo mirë, si ju duket fjala "gazetë"? Dihet tashmë se po kalojnë një periudhë shumë të vështirë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në të gjithë botën.

Unë nuk e përdor fare fjalën "media", apo "lajme". Nuk mendoj se këto dy fjalë kanë ndonjë kuptim. Ato përcaktojnë publikimet e shekullit të kaluar. Sot ato përbëjnë një pengesë. Po na zënë rrugën si të ishin karvanë.

Po mirë, cilat janë fjalët që përdorni ju në profesionin tuaj?

Nuk ka fjalë të tjera. Jemi në një epokë të çuditshme, ku fjalët që vijojnë nga shekulli i kaluar e kanë humbur kuptimin aktual. E çfarë kuptimi mund të ketë fjala "lajme" kur shumica e tyre krijohet nga njerëz amatorë? A vijnë nga ndonjë gazetë, grup mediatik apo mik? Nuk mund të jap ndonjë përcaktim për këto fjalë. Në revistën time kemi reshtur së i përdoruri.

Të ashtuquajturit qytetarë-gazetarë dhe bllogjet e kanë ndryshuar domethënien e fjalës "media". Pjesa më e madhe e komenteve të amatorëve janë po aq të mira sa edhe raportimet e shtypit. Kisha një pyetje: A e keni lexuar sot gazetën?

Jo.

Gazeta juaj lokale "San Francisco Chronicle" po lufton për mbijetesë.

Nuk do ta kisha vënë re nëse është apo jo ende në treg. Nuk më ka munguar dhe nuk më ka marrë malli kurrë.

Po në ç‘mënyrë informoheni?

Ka shumë mënyra: përmes Twitter, përmes bisedave. Nuk i kërkoj lajmet.

Nuk ju interesojnë?

Jo, nuk më interesojnë. Unë shoh vetëm burimet e mia dhe u besoj.

Ashtu sikundër miliona vetë u kanë besuar më parë formave klasike mediatike?

Të jesh i sigurt që nëse në botë ndodh diçka e rëndësishme, unë do ta marr vesh. Dëgjova për protestat në Iran, para se të dilnin nëpër gazeta, sepse burimet e mia të informacionit në Twitter janë shumë të informuara.

"New York Times", "CNN", "Reuters" dhe të tjera i publikojnë artikujt e tyre më të mirë në rrjet. Ju nuk i lexoni kurrë ato?

Unë lexoj shumë artikuj nga burimet e medias, të ashtuquajtur "zyrtarë", por nuk janë këto burime të cilave unë u drejtohem në fillim. Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish preferojnë rrjetet sociale për t‘u informuar në vend të rrjeteve profesionale. Ka shumë njerëz që nuk shohin më TV, nuk lexojnë më gazeta e megjithatë janë shumë të informuar, por të informuar për lajmet e duhura, jo vetëm për lajmet e këqija te të cilat përqendrohet media rëndom. Nëse arrij që të marr një informacion, ta dini se është filtruar më parë nga ata te të cilët unë besoj. Ndaj nuk humbas kohë me lajmet broçkulla.

Po, por ju jeni duke prodhuar vetë lajme në revistat tuaj.

Problemi nuk është se mënyra tradicionale e të shkruarit nuk është më e vlefshme. Problemi është se ajo është në minorancë. Dikur ishte monopol, e vetmja mënyrë e shpërndarjes së lajmit.

Kjo sepse kompanitë e madiave kishin nën kontroll shtypin e shkruar?

Pikërisht. Sot, çdokush mund të prodhojë dhe shpërndajë lajme. Ato nuk janë më monopol i kompanive mediatike. Ajo çka gazetat e revistat bëjnë, vazhdon të jetë e dobishme, por po aq të dobishme janë edhe ato që bëjnë të tjerët në mënyrë të pavarur. Ajo për të cilën jam i bindur është se mënyra jonë nuk është më e rëndësishmja dhe sigurisht e vetmja mënyrë e përhapjes së informacionit. Ja përse jemi në një fazë shumë qesharake. Do të na duhet të paktën një dhjetëvjeçar apo dy që të kuptojmë se çfarë po bëjmë, apo cilën rrugë duhet të ndjekim.

E megjithatë, pavarësisht futjes së burimeve të reja të informacionit dhe medias së internetit, kërkesa për një gazetari cilësore është vazhdimisht në rritje dhe nuk ka gjasa që të bjerë. Media on-line ka fituar një audiencë të madhe dhe pavarësisht krizës së gazetave, tirazhi i tyre nuk ka lëvizur në përmasa të mëdha. Problemi qëndron te pakësimi i reklamave, të cilat janë kanalizuar në internet.

Gazetat nuk janë të rëndësishme. Ndoshta formati i tyre i shtypur mund të mos funksionojë më, por procesi i mbledhjes së informacionit dhe i analizimit të tij, e mbi të gjitha i shpërndarjes, funksionon ende sot.

Po cili është modeli më i mirë i biznesit për një media në internet?

Këtë ende nuk e di. Po përpiqemi për një të tillë. Për shembull, reklama në formë banderole në faqen e internetit, që tani ka gjetur një zbatim të gjerë, është shpikur në zyrën time në vitin 1995. Kjo është një nga përgjigjet e pyetjes suaj. Megjithatë ka modele të pafund. Secili prej nesh duhet të gjejë dhe të zgjedhë modelin që i përshtatet. Ne të gjithë fitojmë para, por jo aq para sa fitonim me shtypin e shkruar.

Na flisni për faqen e internetit të revistës suaj "Wired"

Kjo faqe ka 120 klikues në muaj dhe është një nga sajtet më të mëdha në botë. Ajo çka ne bëmë në fillim ishte që të pyesnim të gjithë gazetarët tanë, t‘u merrnim një mendje. Pastaj, personi i ngarkuar me punë për të përzgjedhur e analizuar propozimet, zgjodhi ato më kryesoret, të cilat u shqyrtuan në bordin e revistës. Ne kemi gazetarë me pagesë, kemi blogjet tona. Përmbajtja e faqes është interaktive. Kemi lajmet dhe revistën. Një pjesë e materialeve janë të redaktuara, një pjesë jo. Kemi miliona dollarë të ardhura në vit.

Zakonisht të tjerët paratë që fitojnë nga shtypi i shkruar i investojnë në atë on-line. Aktualisht shumë gazeta të mëdha, përfshi edhe "New York Times", që po humbasin të ardhura nga shitjet, nuk marrin kënaqshëm të ardhura as nga publikimi on-line. A mendoni se edhe ju në të ardhme do të ndesheni me një problem të tillë?

Matematika e fitimit është e thjeshtë: të ardhura, minus kosto. Ti përpiqesh shumë për sa u përket të ardhurave dhe nëse nuk ke fitim, atëherë nis dhe ul koston. Çështja nuk është se nuk ka para për shtypin on-line. Problemi është se kostoja është shumë e lartë.

Apo ndoshta të ardhurat janë shumë të ulëta? Përse shtypi i shkruar ende vazhdon që të ketë më shumë reklama se ai on-line?

Ka të bëjë me efektshmërinë. Ata që klikojnë on-line, nuk kanë tendencë që të shohin te banderolat e reklamave. Në shtypin e shkruar ato bien më shumë në sy, sepse janë më të integruara dhe të kompozuara më mirë. Janë reklama të mëdha, që mbushin gjithë faqen, kanë foto të bukura. Mendoj se ende nuk e kemi zbuluar mënyrën më të mirë për të reklamuar on-line.

Përveç "Google"? Ata bëjnë miliarda me tekste reklamash që vendosen menjëherë pas rezultatit të kërkimit të një fjale?

Ideja e "Google" është fantastike, por kjo mund të bëhet vetëm me tekst. Është një ide e mirë për transaksione, por nuk vlen për banderola. Ne na duhet një formë reklamimi që funksionon po aq mirë në internet. Jam i sigurt që do t‘ia dalim mbanë.

Kush është

Para se të ishte kryeredaktori i "Wired", Kris Anderson shkruante artikuj për "The Economist". Në fillim të vitit 2000, revista e famshme "Wired", e themeluar në vitin 1993, nisi ta humbiste pak rëndësinë që kishte pasur në fillim. Kur Anderson e mori në dorë, ai e shndërroi në një kult për komunitetin e lidhur me teknologjinë dhe tirazhi i saj u rrit e shkoi në 700 mijë kopje. Fatkeqësisht, kriza e shtypit që ka rrënuar shumë gazeta e revista të famshme, goditi edhe "Wired". Reklamat ranë me 40% dhe revista u godit më shumë nga kriza në krahasim me revistat e tjera të përmuajshme. Por që nga botimi i librit të tij, "Bishti i gjatë", ai konsiderohet në komunitetin mediatik dhe atë të biznesit si një "guru" i medias së re.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›