E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat e ETA-s, luftëtaret që kanë marrë komandën në dorë

Një grup njerëzish me foto të mëdha në duar ecin ngadalë në sheshin e Bilbao Albia. Pjesa më e madhe janë gra me fytyra të vrenjtura. Fytyrat e fotove të mëdha u kujtojnë të gjithëve dhunën. Janë fytyrat e pjesëtarëve të grupit separatist bask ETA, që gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit ka marrë jetën e mbi 800 civilëve të pafajshëm. Një pjesë e fytyrave janë fytyra mashkullore, por shumica janë femra. Sot, në burgjet e Spanjës ndodhen pas hekurave qindra gra e vajza të akuzuara për krime që kanë lidhje me ETA-n. Të tjera janë ende në liri, të fshehura nëpër krahina të ndryshme në kufirin mes Spanjës dhe Francës. Numri i femrave në radhët e ETA-s sa vjen e po bëhet gjithnjë e më i madh. Arrestimet e fundit të krerëve të organizatës kanë bërë që lidershipi i saj të reformohet. Sipas burimeve të policisë, mendohet se aktualisht ETA ndodhet në duart e dy grave shumë të fuqishme, që kanë pozicione kyçe, Iratxe Sorzabal dhe Izaskun Lesaka. Në zonat që njihen si bastione të ETA-s, duket sikur koha ka ngelur në vend nga konflikti që ka marrë qindra jetë njerëzish dhe ka bërë që mijëra të tjerë të jetojnë në frikë e tmerr. Në tre krahinat baske që përbëjnë rajonin vetë-qeverisës të Spanjës, jetojnë 2.2 milionë banorë. Ai është një cep i humbur i botës, ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin. Megjithëse numri i vrasjeve të ETA-s ka rënë ndjeshëm në dy dhjetëvjeçarët e fundit, frika e sulmeve të befta të saj ndihet vazhdimisht në ajër. Shpesh objektivi i sulmeve janë njerëzit e policisë, të cilët goditen për t‘u lënë të kuptojnë njerëzve që organizata është ende e gjallë, në veprim dhe nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj. Për pjesën më të madhe të spanjollëve, anëtarët e ETA-s janë ca gjakpirës të pamëshirshëm, ca terroristë që të vrasin pa shumë skrupuj. Por për prindërit e luftëtarëve të ETA-s që ndodhen në burg, fëmijët e tyre nuk janë aspak vrasës. Për ta anëtarët e ETA-s që ndodhen pas hekurave janë "të burgosur politikë", të dënuar me pa të drejtë me dënime të gjata dhe të pabazuara. Anëtarët e ETA-s pretendojnë se po bëjnë një detyrë patriotike dhe se nuk duan që të derdhet gjak njerëzish të pafajshëm. Aktualisht lidershipi i ETA-s është i vendosur në kufi. Nëpër postat e policive përreth, fotot e njerëzve që mendohet se drejtojnë organizatën janë vendosur në muret hyrëse. Bëhet fjalë për fotot e 6 personave, 2 nga të cilat janë foto femrash. Meshkujt janë kapur dhe janë dërguar në burg, ndërkohë që të dyja femrat ndodhen ende në ilegalitet. Ato janë Iratxe Sorzabal dhe Izaskun Lesaka. Sipas burimeve të policisë, këto dy gra drejtojnë linjën e zjarrit në organizatë dhe marrin vendimet për atentatet dhe gjithçka që ka të bëjë me ekzekutimet. Megjithatë, për rolin e vërtetë të të dyja grave nuk ka shumë detaje e hollësi. Organizata, pas arrestimeve të fundit të liderëve kryesorë, ndodhet në një moment paqartësie dhe kaosi dhe është shumë e vështirë që ata, të cilët janë jashtë saj, të kenë informacion mbi çka ndodh me të vërtetë në gjirin e ETA-s. Ajo çka dihet me saktësi është se grupi ka pësuar një ndryshim thelbësor për sa i përket balancës mes gjinive. Të mendosh se bëhet fjalë për një grup me rrënjë të forta në katolicizëm dhe konservatorizëm. Sipas një profesori të historisë, ndikimi i katolicizmit është i jashtëzakonshëm. ETA nuk mund të krahasohej më parë me grupe të tilla si Brigadat e Kuqe apo grupi Baader Mienhof, ku femrat kanë role kyçe dhe mbajnë përgjegjësi shumë të mëdha. Por me kalimin e viteve, edhe ETA, ku gratë konsideroheshin të dorës së dytë, ka ndryshuar shumë mentalitet. Një pjesë e madhe e të dyshuarve për sulmet e fundit janë femra. Njëra prej tyre, Itziar Plaza, ka shumë mundësi që të jetë një komandante ushtarake. Rekrutimet e fundit në gjirin e organizatës përfshijnë gazetare, studente, infermiere e madje edhe mësuese shkolle. Gratë baske i marrin vetë vendimet për të hyrë në organizatë, jo si dikur kur këtë e bënin për hir të të dashurve. Ato mendojnë se qeveria i trajton shumë keq separatistët.

Dikur ETA ishte një botë tërësisht mashkullore. Punëtorët, shtresa e mesme dhe fermerët që flasin gjuhën baske, e cila është gjuha më e vjetër në Europë, të cilët banonin në fshatrat e vegjël e kodrat e Goerrit, u bënë bashkë nga refuzimi që kishin fillimisht ndaj diktatorit gjeneral Francisco Franco. Bëhej fjalë për një grumbullim meshkujsh që për hir të kauzës së tyre morën armët, braktisën shtëpitë, duke lënë pas gratë dhe fëmijët. Për vite të tëra roli publik i grave ka qenë vetëm ai i nënave, motrave, bashkëshorteve që mbanin zi për aktivistët e vrarë. Ato konsideroheshin si "mbajtëse të flakës". Themeluesit e ETA-s donin gra të paqta që t‘ua përkushtonin jetën punëve humanitare dhe çështjeve të kulturës. Iratxe Sorzabal dhe Izaskun Lesaka janë provë e një ndryshimi rrënjësor në mentalitetin fillestar të meshkujve që themeluan organizatën. Sorzabal është 37 vjeçe dhe është një ish-mësuese që vendosi të bëhej pjesë e grupit 10 vjet të shkuara. Ajo u burgos në Francë për një periudhë prej 2 vitesh, pasi u kap me disa anëtarë të armatosur të organizatës. Në një letër që 4 separatiste të burgosura i dërguan një gazete pro-baske, shkruhet: "I dashur vendi ynë! Ka shumë kohë që ne jemi detyruar të jetojmë të fshehura e në arrati, për t‘i ikur tmerrit, por ndërkohë nuk të kemi braktisur për asnjë çast të vetëm. Ti e di shumë mirë që edhe në kushte të tilla nuk mund të na e mbyllin gojën, as të na zhveshin nga dinjiteti, apo çka është më e keqja të na detyrojnë të heqim dorë nga identiteti ynë". Sorzabal hyri në një grevë të gjatë urie për një muaj rresht, në shenjë proteste kundër planeve për ta ekstraduar nga Franca në Spanjë. Edhe pse greva dështoi, atë nuk e ekstraduan dhe ajo doli nga burgu në vitin 1999. Ndërkohë ajo nisi punën si mësuese në një shkollë në kufirin franko-spanjoll, si dhe u bë zëdhënëse për fushatën e një grupi të burgosurish. Në vitin 2001 u arrestua nga Guardia Civil, policia anti-terroriste në qytetin bregdetar të San Sebastianit. Në gjykim e sipër e lanë të lirë, sepse ndaj saj nuk kishte prova mjaftueshëm për një dënim në lidhje me pretendimin e prokurorit se ajo ishte një komandante ushtarake e ETA-s. Pas kësaj, Sorzabal shkoi në Francë. Ndërkohë pjesa më e madhe e shokëve të saj aktivistë janë arrestuar, por Sorzabal, deri më tani, ia ka dalë që t‘u shmanget shumë kurtheve. Për jetën e saj si klandestine nuk ka shumë informacion. Në shkurtin e kaluar ajo dhe shefi ushtarak i ETA-s, Iurgi Mendiueta, u përplasën me një makinë që e kishin vjedhur në një fshat francez. Para se t‘ia mbathnin për të mos u kapur, ata gërmuan një gropë pranë vendit të aksidentit dhe fshehën një lap-top. Kur lap-topi u zbulua nga forcat e policisë, në të ndodhej edhe një foto e saj me një fëmijë. Në fakt nuk është gjë e rrallë për femrat e ETA-s që të sjellin në jetë fëmijë dhe t‘i rrisin në kushtet e klandestinitetit dhe fshehjes. Ajo çka dihet për këtë grua është se eksperienca e burgut dhe vështirësi të tjera me të cilat është përballur gjatë këtyre 10 viteve e kanë ashpërsuar dhe e kanë bërë më të fortë. Ekspertët e ETA-s e konsiderojnë atë si një nga më luftaraket dhe rrezikmarrëset e organizatës, një nga ato që mendojnë se vrasjet duhet të vazhdojnë deri në realizimin e qëllimit përfundimtar: krijimit të një shteti bask të përbërë nga 4 krahina spanjolle dhe një pjesë e Francës juglindore. Sigurisht që bëhet fjalë për një objektiv që nuk ka ekzistuar as në ëndrrat më optimiste shekullore të baskëve. Mendohet se ajo është ndër kandidatet kryesore për të marrë postin e shefit, që ka të bëjë edhe me reformimin e trupave komando të organizatës. Koha do ta tregojë se çfarë do të ndodhë. Një tjetër grua e fortë e ETA-s është edhe Izaskun Lesaka, 34 vjeçe. Ajo mendohet se është edhe më e rëndësishme në hierarkinë e organizatës. Është larguar nga Spanja 7 vjet të shkuara, kur policia filloi të vinte në pranga anëtarët e rinj të ETA-s. Në grupet rinore që mbështesnin organizatën, ajo ka qenë gjithmonë një figurë qendrore dhe mjaft e njohur. Bëhet fjalë për grupe të rinjsh që merren me rekrutimet. Informacionet për të janë shumë të pakta dhe sigurisht të pasakta. Disa mendojnë se është autorja e të gjitha komunikatave politike të ETA-s që përpilohen nga një grup prej 4 personash, 3 prej të cilëve janë meshkuj. Këto komunikata japin edhe udhëzime për veprimet e operativëve dhe komandove. Janë shumë të pakta gratë që kanë mundur të ngjiten në nivele kaq të larta. Por rrugën për në majën e organizatës e kanë çarë duke dhënë së pari prova në terren si luftëtare të guximshme. Sipas fakteve statistikore dhe burimeve të tjera të informacionit, situata ka ndryshuar shumë shpejt. Në vitin 2002, vetëm 12% e ETA-s përbëhej nga femra. Në vitin 2009 shifra është rritur dhe aktualisht thuajse një e katërta e organizatës përbëhet nga femra. Por ky ndryshim nuk është një fakt i papritur. Kur në vitin 2006 ETA bëri thirrje për pushim-zjarri, personi që lexoi komunikatën e organizatës ishte një grua. Ndërkohë, një grua ka qenë një nga negociatoret më të mira të ETA-s me qeverinë. Në fakt, gratë kanë qenë të pranishme në të që në ditët e para, edhe pse roli që ato kanë luajtur ka qenë gjithmonë një rol në sfond dhe jo në komandë të situatës. Detyra e tyre vite më parë ishte që të merreshin me gjetjen dhe ruajtjen e vendeve ku strehoheshin luftëtarët, me transportim armësh e të tjera detyra joparësore, por të rëndësishme. Ndërsa llogaria, planifikimi i operacioneve apo atentateve të ndryshme dhe realizimi i tyre, kanë qenë gjithmonë diçka mashkullore. Gruaja e parë që u bë pjesë e forcave komando të ETA-s u përball me një luftë shumë të madhe mashkullore. Ajo dhe të tjerat që pasuan, viheshin në qendër të vëmendjes dhe u ngarkoheshin misionet më të vështira nga shumë shefa që nuk ishin dakord për një ndryshim të tillë e që donin të vërtetonin se gratë nuk kishin aftësinë e menaxhimit të situatave të luftës. Në kujtimet e njërës prej tyre, thjesht për faktin se ato ishin gra, duhet të jepnin shumë më tepër prova se një mashkull. Kjo ndoshta bëri që reputacioni i femrave të para që u futën e morën pjesë në aksione të ishte shumë i keq, për sa i përket faktit që ato thuhej se ishin të pamëshirshme dhe nuk ndaleshin para asgjëje. Më famëkeqja prej tyre ishte Idola Lopez Riano, ose siç njihej ndryshe me pseudonimin "tigresha". Në rastin e saj është shumë e vështirë që të ndash mitin me realitetin. Ajo ishte një grua e armatosur dhe e mirëtrajnuar, me sy të gjelbër, që konsiderohej nga policët, por edhe gazetarët, si "mashkullngrënëse", ose "monstër". Sipas legjendës thuhet se ajo vinte rrotull diskotekave për të gjuajtur policë të rinj e për të kaluar me ta natën. Por fati i tyre ishte shumë i keq, sepse pikërisht pas disa ditësh ajo u zinte pusi dhe i ekzekutonte. Thuhet se kishte një dëshirë të shfrenuar që të bënte jetë nate dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të joshur meshkujt. Shoqeve të veta u thoshte se zbavitej kur i qëllonte meshkujt me plumb në gojë. Shokët e saj komando, të lodhur nga aventurat dhe mosbindjet e saj, i ngritën një situatë pusie, gjatë së cilës ajo u kap dhe u dërgua në burg, ku po vuan një dënim prej 30 vitesh, pas një vendimi gjyqësor që e fajëson për 23 vrasje.

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit lindi dhe u zhvillua një tendencë e re. Simboli i parë i ndryshimit ishte Olaila Castresana, një mësuese 22-vjeçare e nxënësve të klasës së parë nga San Sebastian. Gjatë ditëve të javës ajo kujdesej për fëmijët, ndërsa në fundjavë merrej me aksione të ndryshme si hedhje në erë të objekteve të ndryshme, por edhe atentate ndaj njerëzve. Një ditë një bombë i plasi në duar dhe i mori jetën, duke e shndërruar në një martire për ETA-n. Në funeralin e saj u lexua një letër ngushëlluese nga ish-lideri i atëhershëm i ETA-s, Arnaldo Otegi. Më vonë një forcë komando e ETA-s u quajt me emrin e saj. Fillimi i mijëvjeçarit të ri shënoi një rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes së grave në organizatë dhe kjo u vu re edhe nga forcat e policisë. Disa prej tyre morën edhe pozicione drejtuese. Njëra prej tyre ishte Soledad Iparraguirre, e cila kishte për detyrë të koordinonte të gjitha trupat komando. Ajo kishte edhe një status legjendar te policia spanjolle. Thuhet se ajo u betua që do të hakmerrej pasi policët spanjollë i vranë të dashurin kur ajo ishte vetëm 20 vjeçe. Ajo mendohet se është autorja e frazës që policët spanjollë e dinë të gjithë fort mirë: "Nëse shihni një burrë me mjekër dhe këpucë të zeza, hiqeni qafe, sepse ai është polic". Ajo ishte eksperte autobombash dhe ka marrë pjesë në vrasjen e 14 personave. Policia i humbi gjurmët e saj në vitet 2000, por sipas disa zërave thuhej se ishte emocionalisht e lidhur me një muzikant të ETA-s. Pjesëmarrja e grave në ETA pritet që të rritet edhe më, dhe fatkeqësisht për të provuar se janë të afta, ato duhet të tregojnë se janë edhe mizore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›