E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krishtlindja, Presidenti Topi uron besimtarët e krishterë

“Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e Festës së Krishtlindjes, të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për Ju dhe, përmes Jush, për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo jetojnë e punojnë!”, shprehet Presidenti në mesazhin e tij.

Topi thotë se lindja e Krishtit, për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, është një ngjarje, e cila, për madhështinë e saj dhe mesazhin e shpresës dhe të përtëritjes, që për më shumë se dy mijë vjet u ka përcjellë popujve, përkujtohet solemnisht.

“Nën kambanat e kishës, dritën e qirinjve dhe lutjet e besimtarëve, ky kremtim i shenjtë përjetohet çdo herë, si burimi i një jete më të ndritshme e më të lehtë, që mbart frytet shpirtërore të dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, mirëdashjes, besimit, zemërbutësisë. Ato janë një thesar i çmuar njerëzor, të cilin për çdo vit, besimtarët e mirë dhe të ndershëm, përpiqen ta trashëgojnë, ta përcjellin e ta ndajnë në tolerancë e harmoni me njëri-tjetrin. Këto virtyte dhe paqja e Perëndisë janë me bollëk në zemrat e besimtarëve shqiptarë”, shkruhet në mesazhin e Presidentit.

Topi thotë se në kushtet e qytetërimit modern, shumë njerëz e humbasin drejtimin e tyre shpirtëror dhe moral, por, për ata që sinqerisht kërkojnë dritën e së vërtetës, besimi tek Zoti dhe tek vlerat më të larta humane do t’ua ndriçojë e lehtësojë udhën./Start/

                                                                                             2011-12-24 16:00
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›