E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krishtlindja, politika i bashkohet festës. Papa uron në shqip

TIRANE - Besimtarët e krishterë festuan në mesnatë lindjen e Jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës. Siç është bërë tashmë traditë mijëra besimtarë katolikë përkujtuan me madhështi lindjen e Krishtit në çdo kishë në mbarë vendin.
Me qirinj në duar dhe duke u lutur për paqe dhe qetësi, dashuri dhe gëzim besimtarët kane kryer ritet fetare, rreth mesnatës në një atmosferë festive.

Edhe gjatë ditës së sotme do të ketë të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit dhe të politikës kanë zhvilluar vizita në Katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse për të përcjellë urimet e tyre për të gjithë besimtarët katolike dhe ortodokse.

25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën, në Shqipëri, mbas viteve ’90-të kur u lejua besimi fetar, krijoi traditën e saj duke u shënuar krahas festave të tjera tradicionale në kalendarin e vitit. Darka e Krishtlindjeve e cila është e bollshme, paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës.

Krerët e vendit urojnë shqiptarët
Krerë të vendit dhe klasa politike shqiptare u kanë uruar sot gjithë besimtarëve Krishtlindje të gëzuara.

Topalli: Krishtlindja, kapërcimi i së pamundurës
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përcolli urimin e saj nga Kisha Ortodokse, duke theksuar se “Krishtlindja është një ditë që ispiron për të bërë të mundur atë që u është dukur e pamundur.”

“Janë festa të mbushura me gëzim. Po të reflektojmë se çfare është Krishtlindja është më shumë se çdo gjë tjetër kapërcimi i së pamundurës. Uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, Gëzuar!”.- deklaroi Topalli.

Rama në Korçë: Kurajo për ata që s’përballojnë dot jetesën
Kryetari i Partisë Socialiste zgjodhi Kishën Ortodokse të Mitropolisë së Shenjtë në Korçë për t’u uruar të gjithë shqiptarëve mbarësi, fat dhe sukses.

“Përfitoj nga rasti t'u uroj të gjithë shqiptarëve mbarësi, fat, shëndet, sukses dhe mbi të gjitha kurajo të gjithë atyre, që nuk janë pak janë shumë, që janë të pamundur, të sëmurë, të papunë, në pafuqi për të përballuar vështirësitë e rritura të një jete gjithnjë e më të shtrenjtë. Çka vlen të thuhet në këtë ditë është se kurajo dhe besimi padyshim mund të çojnë përpara jo vetëm secilin , por dhe të gjithë shoqërinë tonë dhe unë jam i bindur që kështu do të ndodhë.”- u shpreh Rama.

Papa uron në gjuhën shqipe: Për shumë vjet Krishtlindjen!
Papa Benedikti i XVI u ka uruar besimtarëve katolike në mbarë botën festën e Krishtlindjes. Papa ka dhënë sot mesazhin e urimeve ne 65 gjuhë të Botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. “Për shumë vjet Krishtlindjen!”, ndërkohë që sheshi u përfshi nga pasthirrma gëzimi dhe duartrokitje.

Në meshën e njohur si ‘Urbi et Orbi” të zhvilluar në sheshin Shën Pjetër në Vatikan, Papa Benedikti ka lëshuar mesazhe për paqen dhe humanizmin.
Mijëra persona u mblodhën sot në Vatikan për të dëgjuar fjalimin, që u mbajt pas meshës se Krishtlindjes.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Krishtlindja, mijëra besimtarë kremtojnë festën Janullatos e Mirdita urojnë: Krishtlindje të bekuara! Krishtlindja, Presidenti Topi uron besimtarët e krishterë shqiptarë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›