E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryqet dhe shamitë, një debat pro dhe kundër përdorimit në shkolla

Argumentet që përdoren për heqjen e shamive dhe kryqeve nga individët në institucionet shtetërore dhe ato që i kundërshtojnë

Historia e Behije Hoxhës, dy vjet më parë ishte seria e fundit e debatit për përdorimin e shamive apo kryqeve në shkolla, që edhe atëherë përfundoi me fitoren e “shamisë”, teksa Universiteti i Durrësit nuk i bëri dot ballë presionit për të rikthyer studenten atëherë 21-vjeçare në shkollë. Por ky debat nuk ka lindur rishtazi, por ka rreth 20 vite që argumentohet pro dhe kundër ndalimit të shamive dhe kryqeve, e që deri tani ka fituar argumenti i dytë. Në nenin 36, pika 4 e projektligjit të ri të arsimit parauniversitar shprehet se “ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare”, çka do të thotë se do të pezullohen të gjithë nxënësit që mbajnë simbole fetare, pra shami, kryqe apo qoftë edhe mjekër në vijimin e shkollës nëntëvjeçare apo shkollës së mesme, por sa e drejtë është kjo dhe cilat janë argumentet pro dhe kundër…

Një projektligj i (pa)paralajmëruar

Një projektligj që do të përcaktonte qartë se çfarë lejohet dhe çfarë jo në institucionet arsimore, se çfarë nënkuptohet me simbol fetar dhe kujt i drejtohet ky referim në fakt nuk është i tanishëm. Pas një debati të ngjashëm në vitin 2001, kur një nxënëse e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë u përjashtua sepse mbante shami, Avokati i Popullit rekomandoi se duhet një ligj i posaçëm për të ndaluar diçka të tillë, një ligj që duhet të jetë “për të kufizuar të drejtat e njeriut” dhe që do të miratohej me një shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Përgjigjja e atëhershme e qeverisë së drejtuar nga z. Ilir Meta ishte se do të procedohej me një udhëzim, çka u cilësua si antikushtetuese nga Avokati i Popullit dhe debati mbaroi me aq.

Për më saktë, ai u pezullua për t’u rikthyer më vonë sërish. Në një debat të zhvilluar vetëm një vit më parë, kur dy vajza nga Burreli u përjashtuan nga shkolla e mesme për shkak të mbajtjes së shamisë, kishte ndërhyrë edhe vetë Kryeministri, i cili ishte deklaruar kundër çdo mase të tillë. “Unë mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet. Në tërësi, në shkolla duhet të ketë tolerim. Për universitetet nuk ka një uniformë dhe unë kam qenë i hapur, sado që e quaj trashëgiminë më të shkëlqyer tonën laicizmin, por edhe t'ia përplasësh derën se vendos shaminë, nuk mendoj se është ajo zgjidhja. Unë trashëgiminë më të shkëlqyer të këtij kombi quaj tolerancën fetare dhe laicizmin, por të shkohet në shkollë. Ja ku janë të gjitha vajzat, nuk mbajnë shami, ndaj mendoj se është më mirë dialogu. Mendoni, ku e çoni ju këtë fëmijë pa shkollë duke ia mbyllur derën”, - kishte deklaruar Berisha në një emision televiziv.

Mish-MASH

Argumenti i përdorur herë pas here nga Ministria e Arsimit, ndonëse çdo herë është tërhequr nga një qëndrim i tillë, ka qenë se “shkollat janë laike”. Paraardhësit e z. Myqerem Tafaj në krye të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, janë përballur me situata të tilla ku është nevojitur reagimi i tyre. Genc Pollo, ministri i parë i Arsimit i qeverisë “Berisha” në vitin 2005, kishte deklaruar nëpërmjet zëdhënëses së tij për “Standard” se “përderisa shkollat janë laike, atëherë simbolet fetare në to janë të ndaluara”.

Pasardhësi i tij direkt, z. Fatos Beja, kishte shkuar një hap më tej, duke deklaruar se vajzat me shami dhe djemtë me mjekra duhet të ndaloheshin të shkonin në shkolla, duke arsyetuar se “uniforma është një standard i detyrueshëm edhe në pjesën më të madhe të shkollave publike dhe private, të cilat e konsiderojnë atë edhe si një pjesë të identifikimit të tyre”. Kjo deklaratë e tij kishte sjellë mjaft reagime, pasi pikësëpari shumica e cilësonin si antikushtetues një qëndrim të tillë dhe si pasojë kur flet Kushtetuta, rregullorja hesht, dhe së dyti, sepse uniforma ishte një standard i prezantuar si “vullnetar” nga paraardhësi i tij, që gradualisht u bë i detyrueshëm.

Por gjithsesi, të dyja këto qëndrime u ndaluan, si pasojë e presionit të Komunitetit Mysliman, i cili citonte ashtu si edhe ministria Kushtetutën, veçse një nen tjetër të saj. Por debati ende vazhdon…

Argumenti i dytë që shpesh përdoret nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka të bëjë me atë që bëjnë vendet e tjera. Burime nga MASH bënë të ditur dje për gazetën se raste si të Francës, Turqisë apo edhe Italisë përbëjnë shembuj por që janë marrë parasysh nga hartuesit e ligjit. Megjithatë, Komuniteti Mysliman dhe aktivistët e të drejtave të njeriut janë shprehur kundër këtij argumentimi, duke deklaruar se Shqipëria funksionon në bazë të Kushtetutës së vet dhe se ndalimi i shamisë do të vinte ndesh me të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha se Franca, Italia dhe Turqia janë për të marrë shembull nga Shqipëria në harmoninë dhe tolerancën fetare dhe jo anasjelltas. Disa myftinj shkuan deri aty sa të cilësojnë këta individë komunistë dhe ateistë…

Aktivistët

Reagimi që ka ardhur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, është bazuar gjithnjë në një nen të Kushtetutës, ku thuhet se “shkollat janë laike”, që për aktivistët e të drejtave të njeriut është një interpretim evaziv i kryer nga individët brenda ministrisë. Sipas tyre, Kushtetuta ka qenë gjithnjë e qartë se shamitë në shkolla, sikurse edhe kryqet, lejohen detyrimisht dhe nuk mund të ndalohen, pasi janë të drejta themelore të njeriut.

Kushtetuta përcakton qartazi se vendi ynë është laik dhe se shkollat janë laike. Ndërsa në nenin 24 thuhet se “secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve”, duke përcaktuar qartë se bindjet dhe praktikat mund të shfaqen edhe në arsim.

I vetmi akt i bazuar mbi këtë nen deri më sot është rekomandimi i Avokatit të Popullit, i cili përcakton se ndalimi i të drejtës themelore të arsimimit të një personi ose ndalimi i të drejtës themelore të besimit të tij, mund të kryhet vetëm duke kufizuar një prej të drejtave me ligj. Në këtë mënyrë, mbajtja e shamisë, sipas Avokatit të Popullit, nuk është thjesht çështje laicizmi, por një e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur në Kushtetutë dhe prevaluese ndaj çdo rregulloreje, vendimi apo ligji, përveç ligjit të posaçëm të kufizimit të të drejtave të njeriut.

Plot 23 shoqata, pak a shumë të gjitha shoqatat që mbrojnë të drejtat e njeriut kanë kërkuar nëpërmjet një peticioni një vit më parë respektimin e të drejtave të besimtarëve myslimanë në shkolla, duke mos u penguar që të ndjekin besimin e tyre, nëpërmjet mbajtjes së shamive apo edhe të mjekrës në rastet e besimtarëve meshkuj. Shoqatat e drejtuara nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut ishte shprehur se “shqetësimi bëhet edhe më i madh për faktin se flakja jashtë institucioneve arsimore dhe administrative të vendit, të besimtarëve dhe besimtareve të fesë islame për shkak të mbajtjes së shamisë e mjekrës është bërë tashmë një çështje e përsëritur për të disatën herë”.

Kundër myslimanëve

Që ky projektligj në fakt është drejtpërdrejt kundër Komunitetit Mysliman, nuk fshihet nga askush në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Ndonëse jo zyrtarisht, të gjithë të kontaktuarit nga gazeta pohojnë se qëllim i projektligjit është “shamia”, pasi kryqet mund të fshihen nën bluzë, pa pasur asnjë problem me identitetin fetar të individit, në kundërshtim me shaminë.

Dhe kjo, duket se do të risjellë një përplasje mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ilir Hoxholli, anëtar i KMSH-së, i bëri dje thirrje ministrisë që të mos dalë përmbi Kushtetutën dhe të mos tentojë izolimin e myslimanëve.

“Zotërinj të ministrisë, duhet të kuptoni diçka elementare, që fetë kanë qenë para jush në këtë vend. Me përmbysjen e sistemit komunist u përmbysën edhe ndalesat për të shfaqur bindjet dhe simbolet fetare në vende publike, liri kjo që mbrohet me kushtetutë. Absurditeti i mëparshëm u mbyll, kur një drejtor pa një urdhër guxonte të përjashtonte vajzat me shami. Tani ju po shfaqeni në një nivel më të lartë, një betejë e destinuar për të humbur pasi myslimanët sot duan të integrohen dhe nuk do t’ju lejojnë që t’i izoloni ato. Simbolet fetare, ju zotërinj ndalojini të vendosen në zyrat tuaja apo në shkolla, por jo mbi frekuentuesit të cilët mbrohen me kushtetutë. Shamia nuk është simbol, por komponent i besimit dhe një myslimane përshkruhet në Kuran e mbuluar me shaminë e kokës. N.q.s. një simbol unë e fsheh poshtë bluzës, një shami nuk mund të hiqet dhe vendoset sa herë të duash. Një femër në Islam e vendos shaminë jo për modë, por për të ruajtur hiret e saj dhe me të drejtën që ia jep besimi i mbrojtur nga Kushtetuta nuk dëshiron t’i bëjë ato publike”, - tha ai.

Për më tepër, myslimanët e shohin një akt të tillë si cenim të harmonisë dhe tolerancës fetare. “Neni 2 i Kushtetutës shprehet qartë, por edhe me një ligj të kaluar tani vonë në Parlament për mosdiskriminimin e vajzave me shami. Nuk mundet që një ministri të hartojë ligje që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Mendoj se Ministrisë së Arsimit i nevojitet një ligj ku të parandalojë sot drogën, kriminalitetin, ku nxënësit shkojnë me armë nëpër shkolla, vjedhjet, korrupsionin, të rishikojë tekstet shkollor. Harmonia fetare është malli më i mirë që ne kemi, por ajo shpesh cenohet nga çekuilibrimi institucioneve si rasti i xhamisë së madhe apo edhe i simboleve të tjera fetare të cilat nuk duhet të kthehen në lojë elektorale”, - tha Hoxholli.

Përcaktimet ligjore

Juristi Klodian Rado, në një debat të hapur në lidhje me këtë çështje pak kohë më parë, kishte deklaruar për një të përditshme se “sa u përket kufizimeve të lirisë së shprehjes së besimit fetar në ambientet publike, ajo edhe mund të kufizohet, por gjithmonë sipas standardeve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së. Neni 17 i Kushtetutës: Nga sa më sipër rezulton që kufizimet e lirisë së besimit, nuk mund të bëhen dosido, nga kushdo, ministër, drejtor, rektor, dekan, apo ku di unë”, çka do të thotë se duhet ligj i posaçëm për kufizimin e të drejtës për të mbajtur simbole fetare në trup dhe jo të jetë një nen në një ligj që ka të bëjë me diçka tjetër.

Por edhe nënkryetari i tanishëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu, kishte deklaruar dy vjet më parë se diçka e tillë vjen ndesh me Kushtetutën. "Ndalimi i vajzave me veshje fetare është një vendim dhe një veprim i hapur antikushtetues. Çdo veprim që nuk mbështetet në Kushtetutë, duhet të dënohet ashpër, në mënyrë që të mos krijohen precedentë që rrezikojnë sovranitetin e Kushtetutës", - do të shprehej Kreshnik Spahiu në një prononcim për këtë debat në vitin 2006.

Ndërkaq, deputeti Tritan Shehu deklaroi pak muaj më parë për gazetën, teksa kalonte ligji antidiskriminim se që të kufizohet e drejta e mbajtjes së simboleve fetare në shkolla “duhet ligj i veçantë”. Duke iu referuar përjashtimit të vajzave me shami nga shkolla, Shehu tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë më, pasi Ministria e Arsimit duhet të kërkojë një ligj të veçantë që të ndalojë vajzat me shami, ligj që duhet të ketë procedura të veçanta për t’u miratuar, siç parashikohet në Kushtetutë për kufizimin e të drejtave të njeriut.

“Vulën” debatit do t’ia vendoste Avokati i atëhershëm i Popullit, Ermir Dobjani, që në rastin e përjashtimit të një nxënëseje në shkollë të mesme, për shkak të shamisë, ishte shprehur në vitin 2001 se "ndalimi i një veshjeje që dihet haptazi që mbahet për motive fetare, vlerësimi i saj si e papërshtatshme, mendojmë se formon një rast, i cili shkakton drejtpërdrejt shkelje të dispozitave të rëndësishme për të drejtat themelore dhe të lirive vetjake të njeriut, të parashikuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë".

Zgjidhjet

Lejimi i shfaqjes së bindjeve në publik nëpërmjet “praktikave”, ku nënkuptohen edhe simbolet fetare dhe “arsimimit” i bën juristët të jenë të qartë në këtë pikë, se është antikushtetuese ndalimi i mbajtjes së këtyre simboleve nga individët. Sipas tyre, është shkolla ajo që duhet të jetë laike ndaj individit dhe jo individi ndaj shkollës, sepse individi ka të drejtë kushtetuese të ketë bindje fetare dhe t’i shfaqë ato.

Avokati i Popullit kishte deklaruar se vetëm me një ligj që kufizon një prej të drejtave të njeriut, që është e drejta e fesë, mund të ndalohet shamia në shkolla. “Nëse në shkolla do të zbatohet pa kufizime neni 24 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë apo në ushtrimin e kësaj lirie duhet të vendosen kufizime, kjo bëhet vetëm me ligj të veçantë. Sipas nenit 17 të Kushtetutës, kufizimet në të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj”, - kishte rekomanduar ai në një rast analog.

Vetëm në 10 vitet e fundit ka pasur 6 raste kur nxënës janë dëbuar nga shkolla ose nuk janë lejuar që të hyjnë në mësim për shkak të mjekrës dhe të ferexhesë. Në të gjitha këto raste ata përfundimisht janë lejuar, pas reagimit të Komunitetit Mysliman dhe vendimeve të gjykatave, që gjithnjë kanë qenë në të drejtë të ankimuesve, duke i lënë drejtorët e shkollave apo rektorët pa asnjë alternativë tjetër. Tani ky projektligj ndoshta do të vendosë kapakun e bisedës, teksa edhe nëse miratohet, me sa duket, do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të vendosë se kush ka të drejtë…

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›