Krishtlindje me kollomoq
Nik Zogu ka lindur në katundin Kir, lokaliteti Dukagjin, rrethi Shkodër, më 2gusht tridhjetëegjashta. Familja e tij përbëhet nga dy vëllezër dhe dy motra. Motra e madhe, një grua e veshur me të zeza, jeton me të prej 20 vitesh. Nik Zogu ka bërë 2 klasë shkollë, në konviktin e hapur për herë të parë për jetimat në Dukagjin. Në atë kohë i vdiq baba, mbeti me vëllezërit dhe nënën, prandaj e çuan në “shkollën e jetimave”, në zonën e tij njëherë, mbrapa në Theth, atje në Shkodër. E braktisi shkollën, e di që nuk ka bërë mirë, për të punuar. “Jemi rritur në vështirësi, nëfukarallëk”, tregon Nika që prej gati tridhjetë vitesh ka zbritur në qytet. “Punë bujqësie, kam bërë, pak tokë kemi pasë, pak bagëti mbanim, jetonim gjithsesi, sa për të kaluar, si i thonë fjalës. U martova dhe hyra në punë shteti. Në vitin 71 erdhëm në Shkodër, unë dhe vëllau, me fëmijë dhe me gra.”
Ka disa të dhëna në portretin dhe veshjen e Nik Zogut që e bëjnë të duket si modelet e malësorëve që ka fotografuar Marubi: kësula e bardha, mustaqet e përdredhura, jeleku i trashë i zi me një tegel të kuq, ora e xhepit që për të hir të së vërtetës e ka dekoruar me një zinxhir të gjatë sërmi që përdorej nga gratë e cila kapet poshtë gjoksit krenar të burrit dhe përfundon në grepin e orës së larë në ar, dhuratë e djalit emigrant në Londër. Nika dhe gruaja e tij Tone kanë shtatë fëmijë. Të gjithë janë emigrantë në Itali, Angli dhe Greqi. Ata jetojnë vetëm me motrën e Nikës. Tonen e gjetëm duke rregulluar perdet. Pema dhe pijet për festat ishin në vend. Aty Nik Zogu na tregoi për kohën e artë të Krishtlindjes dikur. “Një natë para Kshnellave, pra Pashka e Kshnellave, i kanë thanë Nata e Buzmit. Për Pashkën e KshnellësDitëlindjes së Krishtit, çoheshim herët dhe e zonja e shtëpisë gatuante bukë kollomoqit që n’atë kohë e piqnim nën kaki, se furrë s’kishte. Me bukën e nxehtë, dilnim në arën me afër shtëpisë dhe bënim lamin. I kemi thënë lami asaj pune: bukë të nxehtë me djathë. Vendosnim bukën me kryq në mes të sofrës, thoshim uratën dhe uronim Krishtlindjen.” Ky rit me kashtë dhe bukë rituale në arë ishte një festë për shqiptarët e këtyre anëve ku të gjithë kremtonin. Duket pagane por ka frymën e krishterë.
Nika tregon se pas këtij riti shëtisnin me shoqi-shoqin, për kafe e raki, për raki më shumë, për verë dhe pemë, gështenjë, arrë, mollë. Mesha mbahej ditën, kurse tani që është në qytet shkon natën. “Pemën e Krishtlindjes nuk e kemi pasur. Atje në Dukagjin, frati thoshte është dita e mot motit të ri, është e kremte e madhe dhe s’duhej të punohej. Për Vitin e Ri as i ka rënë kujt ndër mend për të shkuar ndër miq për urim. Për Kërshëndella, për Pashkë e për festa fetare, por jo për Vitin e Ri.”
Pemën e Vitit të Ri Nika e gjeti kur erdhi në Shkodër. Kjo shënoi dhe fundin e festimit të Krishtlindjes me atë bukën me kollomoq. Gjithë kohës ashtu e mbajtur mend, Nik Zogu, qyshse u hoq e drejta e ushtrimit të fesë nga Partia e Punës, qysh në vitin 1967 pra kur u mbyllën kishat, xhamitë dhe kur “as kemi guxuar të bëjmë kryq e as të themi uratë.” As brenda shtëpisë? “Ajo ka qenë tjetër gjë, ka qenë fshehtas. Duke i porositur fëmijët që kur shkonin në shkollë të mos tregonin që prindët ndiznin qiri për hatër të fesë.”
Krishtlindjet me kollomoq kanë marrë fund. Edhe pse shtëpia që ka sot është e madhe, ka vend boll, ka oborr, Nika nuk feston më si dikur. “Fëmijet më kanë lindur këtu, jo në katund, se nuk është vend për fëmijë, dhe për ne dhe ka qenë e vështirë, bjeshkë e madhe, borë e rëndë, dimra të fortë. Prandaj erdhëm këtu.
S’ka më krishtlindje si dikur, po në kishë shkoj detyrimisht për të diela, edhe për festa. Shkoj me gjithë gruan.” Pse beson te Krishti Nik Zogu? “Besoj se janë të dhënat e babës, e gjyshit, e katragjyshit. Një plak tek ne ka thënë: unë dek nuk kam me kthye e me kallxue ç’a asht ba atje, po njashtu e di prej babës, gjyshit, katragjyshit. Kështu pra kemi besuar simbas trashëgimisë.”
Një nga zanatet e Nik Zogut është vajtimi i të vdekurit. E bën këtë punë qysh prej pesëdhjetë vjetëve. U bë vajtor sepse kishte ndier që mund të qante e të lëvdonte të vdekur më mirë se ata vajtorë që kishte parë në katund. “Kur nisa punë në ndërmarrjen e shtetit e kisha më të lehtë që të vajtoja të vdekurit. Deri atëherë më kishin penguar, më kishin kritikuar dhe demaskuar”.
Burri nuk është në gjendje të thotë se sa burra ka vajtuar. Është një punë që vazhdon ta bëjë edhe në Shkodër. Çfarë i vajton ai një të vdekuri? Sipas moshës ndryshon dhe vaji: Ndryshe është djali, ndryshe është mesatari, ndryshe është plaku. Pra nga dëmi që ka bërë vdekja, varetedhe vaji. Mesatari i ka të lehta, plaku i ka të lehta krejt, ndërsa djali i ri ka fjalë më shumë fjalë se vdekja aty bën dëm më shumë. “Një bir thotë hajde më qa babën dhe unë shkoj ia qaj. I kujtoj punën, vuajtjet, sa fëmijë ka lënë. Gjithsesi vaji është me lëvdatë, bile nji fije më tepër se kjo punë i takon të vdekurit, ia jep.”