Bombat në fakultete, mbyllet dosja
Prokuroria: Nuk gjetëm autorin e bombave të rrezikshme. Policia të rihetojë për përgjegjësin
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda pezullon hetimet për dy bombat artizanale të gjetura pranë Universitetit Politeknik dhe fakultetit Ekonomik në maj të këtij viti, duke ia kaluar dosjen policisë. Grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj çështjeje të klasifikuar si "akte terroriste të mbetur në tentativë", pas hetimeve disamujore ka vendosur të pushojë çështjen në mungesë të zbulimit të autorit dhe t'ia dërgojë dosjen policisë, për mbledhjen e fakteve të reja. Ky lajm konfirmohet nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan për "Shekullin" se: "gjatë këtyre hetimeve u kryen një sërë veprimesh specifikepër llogari të hetimit dhe për fat të keq nuk u gjend asnjë gjurmë gishti apo provë për autorin vendosjes së këtyre dy bombave artizanale". Në pamundësi të gjetjes së provave dhe identifikimit të bombëvënësit u vendos që çështja të pushohet dhe t'i dërgohet për kompetencë policisë së kryeqytetit.
Hetuesit e Krimeve të Rënda, të drejtuar nga prokurori Eugen Beçi, të vetmen provë të rëndësishme që kanë siguruar në dosjen hetimore tashmë të pezulluar, është akt-ekspertimi i bombës së gjetur pranë Fakultetit Politeknik në kryeqytet dhe disa dëshmi të personave që kishin dijeni për ngjarjen. Si prova materiale janë administruar edhe dëshmitë e disa punonjësve të Fakulteteve ku u gjetën bombat e rrezikshmërisë së lartë. "Edhe pse është kryer akt-ekspertimi i bombës së gjetur pranë Fakultetit Politeknik dhe akt-ekspertimi daktilografik i gjurmëve papilare, nuk është bërë e mundur identifikimi i personit që ka ndërtuar këtë bombë me sahat. Në asnjë prej këtyre pjesëve që ndërtuan bombën, nuk është gjetur ndonjë gjurmë gishti e dyshimtë, përveç atyre të pastrueseve dhe punonjësve të sigurisë private në Fakultete. Dyshojmë se gjurmët mund të jenë prishur nga këta punonjës",-thanë burimet.Dy bombat mendohet se janë ndërtuar nga e njëjta dorë, ndërsa dyshohet sepersoni që i ka ndërtuar është profesionist ushtrie."Bomba e gjetur pranë hyrjes së Fakultetit Ekonomik që u shpërthye dhe ajo e gjetur dhe sekuestruar pranë Universitetit Politeknik kanë ngjashmëri. Kjo ngjashmëri është fiksuar në procesverbal, ku përshkruhen disa sfera dhe gozhdë të lidhura me një lloj eksplozivi, sipër tyre një orë e vogël zgjimi që qëndronte e fiksuar me anë të disa telave",-thuhet nga burimet.
Ngjarja që alarmoi policinë e Tiranës, e cilësuar si "akt terrorist i mbetur në tentativë" ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së martë të datës 29 maj të këtij viti, kurstudentët e Universiteti Politeknik dhe Fakultetit Ekonomik në kryeqytet, u përfshinë në panik, pasi në ambientet e tyre janë gjetur thuajse në të njëjtën kohë, dy bomba të prodhuara në mënyrë artizanale, gati për të shpërthyer. Një mekanizëm në formën e një mine me sahat është gjendur nga roja i ndërtesës në ambientet e brendshme të Fakultetit Ekonomik, ndërsa në shkallët e Korpusit Universitar, një nga pastrueset ka gjetur një qese me lëndë eksplozive të paidentifikuar. Ekspertëve të policisë së shtetit u janë dashur dy orë që të neutralizojnë njërën nga bombat që ishte vendosur tek Universiteti Politeknik, ndërsa, ajo e gjetur në Fakultetin Ekonomik, në pamundësi për t'u zbërthyer dhe neutralizuar është shpërthyer nga ekspertët e xhenios së Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Sipas këtyre burimeve, saktësohet se të dy bombat artizanale kishin një mekanizëm të njëjtë, të bashkangjitur me njëra-tjetrën, ku ishin disa sfera dhe gozhdë të lidhura me një lloj eksplozivi dhe sipër tyre një orë e vogël zgjimi, që qëndronte e fiksuar me anë të disa telave.