E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krishtlindjet kleriket japin mesazhet e urimit

Dy krerët e kishës katolike dhe ortodokse në vend, përkatësisht Monsinjor Rrok Mirdita dhe kryepeshkopi Janullatos, përcollën për besimtarët e krishterë mesazhet e tyre ndërsa kanë nisur festimet për Krishtlindje. Ata kanë uruar më shumë paqe dhe dashuri ndërsa kryepeshkopi Janullatos, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj veseve dhe tundimit.

"Do uroj që këto Krishtlindje të jenë burim hareje, hiri dhe bekimi për të gjithë shqiptarët që përpiqen me mund e me shpresë për një jetë më dinjitoze dhe që me të vërtetë ta realizojnë jetën e tyre maksimalisht duke qenë të lumtur dhe duke kontribuar që këtë lumturi ta dëgjojnë dhe të tjerët. Pra, që të jenë sa më afër njëri-tjetrit sidomos në këto festa, dhe ta ndjejnë dashurinë sidomos ata të cilët për arsye të ndryshme janë të vetmuar ose nuk e kanë rastin ta shijojnë këtë", uroi imzot Rrok Mirdita.

“Në këtë Krishtlindje, le të lutemi që shpëtimtari ynë të na falë dicka nga pafajësia e urtë dhe dlirësia e tij e patrembur, të na dhurojë pastërti në qëllimet, në shtysat, në veprimet tona, të na ndriçojë me fuqinë e së vërtetës së tij, të rezistojmë fort nga çdo lloj forme korrupsioni të jashtëm apo të brendshëm. Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur me dritë dhe shpresë”, tha Janullatos.

Të krishterët festojnë cdo vit në 25 dhjetor ditëlindjen e Jezu Krishtit. Kjo festë kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Jezu Krishtit, pemën e Krishtlindjeve, shkëmbimin e dhuratave, kartolinave dhe familjeve të bashkuar. Krishtlindjet janë festa në të cilin të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe dhe dashuri në botë.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›