E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqiptarët, miqtë më të mirë për popullin amerikan”

26-09-2011 / Gazeta 55

Kongresmeni Eliot Engel

Kongresmeni amerikan Eliot Engel duke vlerësuar raportet ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe SHBA-së si shumë të mira, ka theksuar se miqtë më të mirë për popullin amerikan janë shqiptarët dhe këtë gjë e dëshmojnë edhe shumë sondazhe.
“Amerikanët nuk kanë miq më të mirë se shqiptarët dhe në anën tjetër shqiptarët nuk kanë miq më të mirë se sa amerikanët. Jam shumë i gëzuar që kam ndihmuar të lehtësoj këtë lloj marrëdhënie në këto 20 vitet e fundit që unë jam në kongres”, ka theksuar Engel në një prononcim për Kosovapress.
Vlerësimin e tij për miqësinë mes shqiptarëve dhe amerikanëve, kongresmeni amerikan Eliot Engel e shprehu edhe gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha, në Nju Jork. Berisha dhe Engel diskutuan për çështjen e njohjes së mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe koordinimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Kryeministri Berisha çmoi si shumë të rëndësishëm liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, si një moment i cili do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm si në planin e përgjithshëm ekonomik, ashtu dhe në planin e rritjes së lirive të qytetarëve të saj.
Kongresmeni Engel e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e palëkundur të qeverisë amerikane në lidhje me çështjen e Kosovës, duke vlerësuar edhe maturinë e qeverisë së saj në lidhje me hapat e ndërmarrë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e sovranitetit të saj.
Kryeministri, nga ana e tij, konfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ruajtjen e kufijve ekzistues në Ballkan, si politika më e mirë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Eliot Engel është dhe një nga njohësit më të mirë të politikës shqiptare. Duke diskutuar për situatën politike në Shqipëri, Kryeministri Berisha mirëpriti kthimin e opozitës në parlament dhe shprehu shpresën se opozita do të përfshihej në mënyrë serioze në reformën zgjedhore dhe do të kontribuonte me konsensus dhe vullnet pozitiv në plotësimin e reformave të kërkuara për integrimin në BE. Kryeministri vlerësoi qëndrimet e qeverisë amerikane në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, përfshirë zgjedhjet e fundit të zhvilluara.
Ndërkaq, anëtari i kongresit amerikan Eliot Engel iu referua edhe aksioneve të qeverisë së Kosovës për dërgimin e doganierëve dhe policëve në veri, duke deklaruar se ka qenë një hap i duhur për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›