E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristaq Mitro: Më vjen të kem njëherë një palë gërshërë

Nga filmi "Duaje emrin tënd" i Kristaq Mitros

Elsa Demo

Nga filmi Njeriu i mirë njerëzit mund të kujtojnë kollaj si batuta: Djalë i mbarë, shtroju punës dhe lëri pehlivanllëqet shkencore ose Vera me Mollasin të mos presë, personi nuk është paraqitur.

Problemet që ngre një film si ky në kuadrin e një kinemaje të indoktrinuar dhe të një traditë me kontribute nga më të ndryshmet, nuk janë pak.

Gjetëm rastin e homazhit që Festivali i Filmit të Durrësit i bëri aktorit Vangjush Furxhi, protagonist te Njeriu i mirë me rolin e Kiços, të bisedonim me një nga regjisorët, Kristaq Mitron (Ibrahim Muçaj nuk jeton më). Filmi u shfaq në ekranin e madhe të teatrit Aleksandër Moisiu. Mitro e Muçaj janë të dy autorë të Dimri i fundit, Tokë e përgjakur, Nusja dhe shtetrrethimi, Liri a vdekje, Apasionata,

Duaje emrin tënd, Një djalë dhe një vajzë. Prej vitit 1990, Mitro nuk është marrë më me filmin artistik. Aktualisht është pedagog në Degën e Regjisë në Akademinë e Arteve, Tiranë.

Njeriu i mirë është realizuar në Tiranë më 1982. Si e shikoni tani?

Isha gati të çohesha dhe të prisja, të ndërtoja në formë tjetër, jo për të xhiruar, për të spostuar sidomos. Kishte gjëra që për mua ishin tepër.

Do donit të ndryshonit mënyrën e të bërit të filmit, po përmbajtjes, çmund ti bënit?

Kam rezerva edhe për historinë, për konfliktin bazë, të cilin unë dhe kolegu, Ibrahim Muçaj, kemi dashur që ta heqim. Të them të drejtën nuk dua ti them të gjitha.

Njeriu i mirë është bazuar në tregimin e Dritëro Agollit, ju keni respektuar përmbajtjen e tij?

Po, kemi lëvizur fare pak nga tregimi.

Nuk mund ta kursenit konfliktin klasor-politik, por edhe qesharak, për shkak të një daje me Ballin?

Ne kemi dashur ta bënim, por nuk e lëviznim dot, sepse nuk na lejonin ta lëviznim.

Filmi është i konceptuar fund e krye me atë frymë: njeriu i mirë është njeriu i ri i socializmit. Përderisa pranuat të bënit një film të tillë, do pranonit edhe të fusnit në skenar gjëra që nuk do donit.

Patjetër, ne nuk mund të dilnim dot nga ku ishim futur. Ishte e vështirë. Po ju tregoj një detaj. Në dekor ishte një bust i Enver Hoxhës, të cilin e kemi hequr me shumë kujdes dhe në film nuk ka bust të Hoxhës. Vetëm kur vjen Teloja në dhomë, pranë kalendarit shohim se është ngjitur një fotografi e Enver Hoxhës. Nuk ishte, e ngjitën, rekuizitori. Të gjithë ishin të formatuar. Por ka momente që filmi merr mirë. Është ndërtuar me elipsë dhe është elipsë e mirë. Ju kujtoj edhe një moment në filmin tonë Apasionata, kur  Kastriot Çaushi i thotë Matilda Makoçit, të dua dhe shkund pemën.

Dolët te teknika: lëvizja e kamerës mbrapa shpinës së Vangjush Furxhiut i mbetur vetëm në korridor, i shton tensionin personazhit. Sot kjo gjë është më se e zakonshme për kinemanë tonë, por jo dje. Pse ishte e vështirë të realizohej skena me karelë?

Këto dy momente, elipsën dhe karelën, kur i ripashë, falënderova veten. E diskutuam që në fillim me kolegun që karela do ta ndihmonte tronditjen e personazhit tonë, mjeshtërinë e aktorit. Kinemaja ka mjetet për ta bërë këtë gjë. Thënë ndryshe, kinemaja është për mua melodia e syrit dhe janë pikërisht këto instrumente që e çojnë aty.

Dekori është kërkuar, siç e vutë re, i tillë që të shihen paralelisht veprimet e dy personazheve që ndodhen në dy dhoma të ndryshme. Kjo krijonte një mizanskenë të këndshme. Prej këtej personazhi i Kiços do të vinte në korridor ku ne duhej të punonim me karelë.

Fillimisht duhej ndërtuar karela e cila realizohej nga një mjeshtër në ofiçinë. Ishte e vështirë sepse në atë pozicionin duhej të bëheshin harqe, ndërtuam rotativin e vogël, vendosëm boksin që është shumë i madh, një aparat silencioz që e mbanin katër vetë. Arriti të bëhej kjo pjesë me stativë, me kamerë të vogël. U bënë disa dubla. Vangjushi e ndjeu rëndësinë e kësaj pune dhe filloi ti jepte përgjegjësi vetes. Mirëpo nganjëherë këto përgjegjësi e bënin më të mirë Vangjushin. Dhe thoshte: do të më falni, kërkoj një kujtesë emocionale. Ishte aktor që e kërkonte sinqeritetin. Unë them që aktori është atlet i zemrës.

Është agresiv portreti i tij në dialogun me Eva Alikajn në tavolinën e kuzhinës ku Vangjushi shikon në kamerën që ndodhet në anën e spektatorit.

Kjo është kamera subjektive.

Pak u fol për aktorin në homazhin që i kishte kushtuar Festivali i Filmit në Durrës.

Edhe pse në ceremoni u ngjit në skenë Mihal Luarasi, regjisori i Njollave të murrme, drama e dënuar rëndë në plenumin IV. Furxhi kishte qenë protagonist dhe siç dëshmojnë bashkëkohësit, kjo e dëmtoi shpirtërisht e psikologjikisht aktorin.

Vangjush Furxhi ishte një libër që nuk u shkrua i gjithë. Akoma te ne nuk po piqet kultura për të folur hapur se çfarë është njeriu dhe çfarë është artisti. Në këtë mënyrë shpjegohen më mirë rrethanat, në çfarë kushtesh kanë punuar këta artistë dhe si kanë ndikuar në krijimtarinë e tyre.

E di? Kishte raste që me Vangjushin nuk punohej. Ai binte në një depresion të madh. Unë e Ibrahimi shikonim njëri-tjetrin dhe na duhej të anulonim xhirimin, sepse nuk punohej.

Ai ishte shumë fëmijë. Besonte në atë që i thoshe, hapte sytë, të shikonte me habi e pas kësaj fillonte tek ai dyshimi i madh. Nga gëzimi kalonte në dyshim. Ai jetonte me një frikë të madhe pas asaj që kishte ndodhur me Njollat e murrme.

Vangjushi nuk u vlerësua për rolin e Kiços te Njeriu i mirë sepse u vlerësuan të tjerë në atë film dhe ngaqë mendohej si personazh negativ.

Ai e kishte zakon ti linte rolet. Është njëlloj si Robert Ndrenika e Sulejman Pitarka. Këtë të fundit donim ta merrnim te Dimri i fundit, u hoq kaq i sëmurë dhe paraqiti para nesh kaq lloj sëmundjesh sa besuam se e kishte keq punën.

Si ishin raportet në role mes Vangjushit dhe partneres së tij Eva Alikaj?

Nganjëherë kishim probleme sepse Eva ishte e vrullshme, goditëse, ndërsa Vangjushi e merrte rolin thellë brenda vetes së tij, dhe herë e pranonte, herë nuk e pranonte. Kishte dilema. Vangjushi shfrytëzonte imagjinatën. Siç thotë Bela Balazh, kinemaja ka vetëm të tashme, edhe Vangjushi është i të tashmes në kinema dhe do të jetë i kësaj kohe. Ky është Vangjushi.

 

Gjëja që e ka dëmtuar kinemanë dhe duke përfshirë Njeriun e mirë, ishte paraqitja e një realiteti që nuk ekzistonte. Që ky Teloja nuk mund të ishte i gëzuar që po e transferonin…

Një manipulim i jashtëzakonshëm i të vërtetave. Kinemaja është vërtet manipulim i realitetit, për të parë në mënyrë më estetike dhe emocionale një të vërtetë, por jo për ta shtrembëruar dhe për të gënjyer me të.

Por më duhet të pohoj se shumë gjëra deshëm ti bënim ndryshe dhe nuk ishim të zotët ti bënim ndryshe.

Edhe të donit ta zëvendësonit konfliktin që e shkëput Verën me Telon, nuk do mundeshit?

Ne donim ta zëvendësonim me një konflikt tjetër, por autori, Kryetar i Lidhjes atë kohë nuk pranoi. Nuk u lejua as nga Këshilli Artistik i Skenarit. Luftuam të tre, bashkë me Nexhati Tafën me të cilin kishim punuar për Dimrin e fundit, Apasionatën.

&nb

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›