E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristiana, historia e një jete të tronditur nga shpërthimi

TIRANË- Ajo është ndoshta viktima më e re e tragjedisë së Gërdecit. Kristiana 5-muajshe nuk u lëndua gjatë shpërthimit, por katastrofa tronditi jetën e saponisur të saj. E ëma ndodhet në gjendje të rëndë në Itali, e djegur, kurse i ati ende nuk e ka marrë veten nga lëndimet e trupit. Ajo jeton në Tiranë, në shtëpinë e gjyshit, Haki Dani, familje kjo që përbëhet nga 7 anëtarë dhe jeton në sajë të dy pensioneve të pleqve. Për të kujdeset tezja e saj, e cila i është bashkuar familjes, së bashku me 4 fëmijët e vet. Kristiana është ndoshta e vetmja foshnjë që në vend të qumështit, pi kos me sheqer. Ajo është vizituar njëherë nga një mjek lagjeje dhe ka rezultuar me ftohje dhe refluks në stomak, që do të thotë se përzierjen që i ofrohet si ushqim, nuk ia pranon stomaku i saj. Askush nuk ka dijeni për Kristianën, askush nuk i ka parë deri tani dengun e ilaçeve që ajo duhet të marrë çdo ditë dhe askush nuk i ka shtrirë një dorë kësaj foshnjeje, e cila nuk kërkon shumë.
Rruga e një ushtari
Ilir dhe Resmije Kraja, bashkëshortët dhe prindërit e rinj të Kristianës, nga 19 vjeç secili, punonin në Gërdec tek firma e çmontimit në momentin e shpërthimit. Iliri çmontonte predha e hiqte barutin, kurse Resmija paketonte gëzhojat. Ata banonin në Vorë, në një shtëpi me qera dhe fëmijën ia linin një fqinje, që i ndihmonte për shkak të gjendjes së tyre të vështirë ekonomike. Shpërthimi ka përplasur përtokë Ilirin dhe e lë pa ndjenja, kurse Resmija përfshihet nga flakët. Në përpjekje për të hequr rrobat e ndezura, ajo lufton ashtu derisa ngelet gati pa asgjë në trup dhe ashtu e tmerruar futet në një bunker, derisa e gjejnë pas rreth 5 orësh. “Ashtu ka qëndruar tërë kohës, në atë gjendje, derisa e kanë marrë dhe e kanë dërguar tek Spitali Nr.2. Mjekët këtu e konsideronin të pashpresë, vetëm prisnin që ta merrnin e ta dërgonin në Itali, “është e djegur 80%,- na thonë,- dhe vetëm fytyra nuk i është prekur”,- thotë tezja, Miranda Dani, e cila kujdeset tani me sa ka mundësi për Kristianën. Daja i Kristianës, Denis Osmani, i cili kryente ushtrinë aty afër e ndjen rrezikun pas shpërthimit dhe niset menjëherë drejt shtëpisë. Duke e gjetur të boshatisur ai drejtohet tek komshia. Ai nuk vonon për ta marrë Kristianën e vogël dhe udhëton me një motor të vetin për në Tiranë. Duke menduar gjithnjë për fatin e dy prindërve që kishin qenë në fabrikë, ai e lë foshnjën tek familja e Haki Danës dhe ikën sërish në drejtim të Vorës. Ka një javë që foshnja jeton në këtë familje të madhe nga numri dhe hallet. “Ne nuk jemi në gjendje ta mbajmë foshnjën, se ka shpenzime të mëdha”,- shprehet 70-vjeçari Haki Dani. “Kërkojmë ndihmë nga shteti, se ka detyrime ndaj këtij fëmije të pafajshëm, ne jemi fukarenj që jetojmë me dy pensione, timin dhe të gruas time”,- shton ai.
E vetme, pa mbushur 5 muaj
“I ati, sapo ka dalë nga spitali është diku në Vorë, siç na kanë thënë gojë më gojë. Ne nuk kemi kontakt me njeri dhe as që na kanë marrë në telefon”,- vazhdon Miranda, duke kolovitur në duar njërin nga fëmijët e saj. Sipas saj, i ati i Kristianës ka qenë në gjendje të rëndë në spital dhe shumë i dëmtuar. Kristianën e solli daja i saj Denisi dhe e la aty, për të mos u interesuar më njeri për të. E ëma, Resmija është e shtruar në Itali dhe nuk kanë asnjë lloj informacioni për gjendjen e saj. Një familje e mjerë, që nuk di as se ku të drejtohet për ndihmë, ka sot edhe një frymë më tepër për të ushqyer, një të sëmurë për të kuruar, një foshnjë për t’u kujdesur. “ Kristiana vesh rrobat e fëmijëve të mi, nuk kemi ku t’i marrim të tjera, ndërsa për ta ushqyer i jap kos me sheqer. Ajo ka ardhur këtu e ftohur dhe ilaçet që i duhen çdo ditë, kushtojnë shumë shtrenjtë”,- shton Miranda. Haki dhe Amie Dani rrinë ulur në divan, të rrethuar nga nipër e mbesa të vegjël dhe flasin për gjendjen e tyre të vështirë. Për ta, ky fëmijë nuk është vetëm burim gëzimi, siç janë nipërit dhe mbesat gjithmonë për gjyshërit, ata tashmë shohin të ardhmen e saj të zymtë, fatin e saj tragjik, mendojnë për ushqimin, ilaçet, rrobat. Kristiana nuk i kupton të tëra këto. Ajo është një dëshmitare e heshtur e kësaj drame me përmasa kombëtare. Me siguri ajo nuk do ta kujtojë këtë ditë kur të rritet, por stomaku i saj i ushqyer keq do ta lidhë atë me ngjarjen e asaj të shtune marsi. Me siguri, kraharori i saj i ftohur do vuajë pasojat e këtij realiteti që ajo sot jeton, pa patur kujdesin që një fëmijë meriton, kujdesin që minimalisht duhet të ketë nga shteti viktima më e pafajshme e kësaj tragjedie, Kristiana Kraja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›