Kristiano Ronaldo: Javën tjetër do të jem i Realit
Mesfushori portugez do të zhvillojë një takim me Fergusonin, për t'i komunikuar vendimin e largimit
Kristiano Ronaldo ka thënë në mënyrë sensacionale për gazetën spanjolle "AS" se do të bashkohet me Realin e Madridit dhe se javën tjetër do të udhëtojë drejt Mançesterit, për t'i bërë të ditur Sër Aleks Fergusonit se do të largohet nga kampionët e Anglisë dhe të Europës. Reali i Madridit ka qenë në gjendje gatishmërie për të përfituar shërbimet e tij, që nga koha kur vetë portugezi e deklaroi hapur se donte të bashkohej me kampionët e Spanjës. Presidenti "merengues" Ramon Kalderon, madje ka treguar se si madrilenët do të grumbullojnë 100 milionë euro për djaloshin e Mançesterit, në mënyrë që Mançesteri të mos ketë mundësi ta refuzojë ofertën dhe ta marrë menjëherë lojtarin. Tani mendohet se klubi anglez nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, veçse ta shesë atë. Ronaldo ka dhënë një ultimatum, pasi ka vendosur se dëshiron të largohet nga skuadra e Aleks Ferguson. Mesfushori i kombëtares së Portugalisë po rikuperohet nga dëmtimi, por ai pranon se do të rikthehet në Angli javën e ardhshme, për t'i thënë klubit të tij se çfarë dëshiron për të ardhmen, domethënë se ai dëshiron të bashkohet me Realin e Madridit. "Ç'do gjë po shkon më së miri. Javën tjetër do të rikthehem në Angli dhe t'ua bëj të ditur atyre se dëshira ime e vetme është të luaj për Realin e Madridit, dhe se do nuk do të ketë negociata," - tha Ronaldo për të përditshmen spanjolle "AS". Sipas lajmeve që kanë publikuar dje mediet spanjolle, mesfushori do të zhvillojë një takim ditën e martë me skocezin Sër Aleks Ferguson dhe me pronarët e klubit, për t'u komunikuar atyre se ky është fundi. Nuk është ajo që dëshirojnë të dëgjojnë tifozët e Mançesterit, por duket se, meqë çështja e Ronaldos po vjen drejt një fundi të hidhur, tifozët duhet të dorëzohen së bashku me Aleks Fergusonin. Pa dyshim që Kalderon do të festojë këto ditë, pasi "ëndrra e tij në sirtar" po realizohet. Ai e ka kërkuar mesfushorin luzitan që nga koha kur mori drejtimin e "gjigantëve" të Spanjës. Ndërkohë, rreth kësaj çështjeje Kalderon ka thënë. "Dëshiroj t'u kujtoj se nuk ishte Reali i Madridit ai që e gjeneroi këtë situatë, por ka qenë vetë lojtari që i ka sjellë gjërat deri në këtë pikë. Klubi ynë nuk ka bërë ndonjë gjë të palejuar apo të ketë shkelur rregullat. Dëshira për të firmosur me të është e natyrshme dhe logjike, e barabartë me dëshirën e Çelsit për të firmosur me Robinjon dhe Kasiljas, ose me dëshirën që ka Mançesteri për të firmosur me Serxho Ramos. Klubi ynë e ka ndërgjegjen të pastër rreth kësaj çështjeje." Ndërsa, për financimin e kësaj marrëveshjeje, Kalderon ka qenë kundër idesë se Reali duhet ta shesë një lojtar, në mënyrë që ta fryjë disi arkën. Ai tha: "Trajnerët mendojnë se Ronaldo dhe Robinjo mund të luajnë së bashku, dhe se Reali nuk ka nevojë të grumbullojë fonde për ta blerë. Nuk kemi nevojë të shesim asnjë për të firmosur me të. Gjërat nuk janë kështu".