E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nën mëngën e shkodranit

 

Janë disa monumente kulture në Shkodër që “fshihen” mes lagjeve dhe objekteve të zakonshme. Degradimi pa arsye madhore i ka hequr më kot nga guida e trashëgimisë

Është e pasur Shkodra me objekte të trashëgimnisë dhe monumente kulture. Ato përbëjnë pjesën që pa frikë mund të themi, se e përballin qytetin me vizitorin e huaj, që vit e më vit po kalon më shpesh këtej. Turizmi kulturor i ndërthurur me atë natyror, paraqet një potencial të mirë që hë për hë nuk po ia dinë vlerën dhe nuk dihet kur.

Nuk është fjala vetëm për monumentet që Shkodrës i njihen me sy mbyllur, si kalaja e Rozafës, Muzeu i Qytetit, Rruga e Pjacës etj., po për ato tipe që nuk bien në sy, që nuk janë pjesë e guidave, që “ngatërrohen” mes lagjeve dhe ndërtimeve të zakonshme e që megjithatë, do t’ia vlenin të ishin pjesë e “paketës turistike”. Janë objekte të cilat ndonëse kanë pjesë të amortizuara, në disa raste janë keqpërdorur, është plotësisht e mundshme që të kthehen në objekte të vizitueshme.

Kulla e Inglizit ose ish- muzeu popullor, Kulla e Gjon Marka Gjonit dhe banesa e Roza Sumës, fare pranë bashkisë së Shkodrës, janë disa nga ato.

Aktualisht këto objekte kanë probleme të rënda. Mosndërhyrja për një kohë të gjatë në mirëmbajtjen e tyre, si nga shteti ashtu dhe nga pronarët që i kanë trashëguar apo dhënë me qira, ndërtimet rreth tyre që pengojnë evidentimn e asaj që përbën vlerë kombëtare dhe në fund zaptimi nga persona të pastrehë,janë disa nga problemet nën të cilat flenë vlera të konsiderueshme.

Kulla e Inglizit ose siç quhet nga shkodranët Sahati i Inglizit (pasi aty dikur ishte një sahat që i shërbente gjithë qytetit) ndodhet në qendër, fare pranë monumentit të Heronjve të Vigut dhe teatrit “Migjeni”. Objekti që daton fundin e shekullit të 19-të, u ndërtua nga lordi anglez Paget. Përbëhet nga një ndërtesë dykatëshe dhe një kullë. Që prej vitit 1973 është monument kulture i kategorisë së parë. Objekti i është kthyer ish pronarëve dhe përveç kullës ku ka qenë i vendosur sahati, pjesa tjetër është dhënë me qira dhe shfrytëzohet si lokal. Është tipi i banesës me çardak të mbyllur, dhe si në brendësi ashtu dhe në sipërfaqen është tejet e amortizuar. Në pjesën e prapme ndërtimi është me mur të përpunuar që pothuajse është i rrënuar. Në pjesën e objektit që shikon nga Teatri “Migjeni” ka dëmtime në çati, ndërsa kulla është e mirëmbajtur. Nga Dega e Monumenteve të Kulturës në Shkodër mësohet se duhen afro 8 milionë lekë për një rikonstruksion të plotë të këtij objekti 70% të të cilave, sipas ligjit, i paguan shteti dhe 30% pronarët. Duke qenë se pronarët janë disa, nuk bien dakord të gjithë për të financuar 30%, dhe më pas të kërkohet pjesatjetër nga shteti. Personat që e përdorin banesën për lokal, të dhënë me qira, janë të gatshëm të kontribuojnë, por sipas drejtuesve të Monumenteve të Kulturës, kjo duhet bërë me aprovimin e të gjithë personave që janë pronarë të objektit.

Edhe pse ka qenë Monument Kulture, prishja e një pjese të objektit nuk është shmangur pë shkak të ndërtimit të rrugës qysh në vitet e para ‘90-ës. Janë dëmtuar porta e madhee gdhendur me ornamente dhe me stemën e Anglisë, me qemer me gurë të latuar ku më të lartët kanë patur formën e bedenave të ngjashëm me ato që ka kulla ekzistuese. Pjesa më interesante, kulla, tërheq vëmendjen e gjithë atyre që vijnë në Shkodër dhe që duan të njihen me ndërtesën tipike të kohës së feudalizmit por që mbetet e pavizitueshme për problemet që ka.

Kulla e Gjon Marka Gjonit është Monument Kulture i kategorisë së parë që nga viti 1963. Objekti përbëhet nga kulla (torra) dhe banesa dhe që nga viti 1979 nuk ka pësuar asnjë rikonstruksion. Është prone private dhe pronarët janë kujdesur të mirëmbajnë banesën, ndërsa kulla me 5 kate është shumë e dëmtuar. Dyshemetë prej dërrase që ndajnë katet e kullës janë dëmtuar nga filtrimet e ujërave, po kështu edhe çatia e banesës. Objekti nuk vizitohet për shkak të amortizimit të pjesës më tërheqëse të tij, kullës. Specialistët e Monumenteve thonë se ka një projekt ndërhyrjeje prej 7 milionë por që duhet riparë sepse vlera e domosdoshme financiare ëshë më shumë se kaq. Vlerë të veçantë kanë në këtë objekt porta e jashtme e oborrit, dhoma e bibliotekës me rafte dhe tavan dekorativ, oxhaku me stuko reliev i dekoruar etj.

Sipas drejtorit të Monumenteve lokale, Ervin Gjini, ndërhyrja po pengohet edhe nga disa ndërtime përreth që kanë bllokuar hyrjen. Në rast se rikonstruktohet dhe bëhet objekt i vizitueshëm, bashkia duhet të mendojë edhe për lirimin e hyrjes.

Banesa e Roza Sumës, e ndërtuar më 1640, ndodhet në qendër të qytetit, përballë ndërtesës së bashkisë në rrugën e gjykatës. Është Monument Kulture i Kategorisë I, i tipitme çardak në njërin krah dhe ka dekada pa vënë dorë. Deri më 1989 ka qenë pronë e trashëguar. Më pas, sipas ligjit, duke mos patur trashëgimtarë deri në brezin e tretë, është bërë pronë shtetërore, pra nuk është shpronësuar, por është pronë shtetërore. Aktualisht është e zënë nga familje të pastreha ku jetojnë 9 persona. Çardaku, dera, shkallët janë të punuara me finesë. Për rikonstruksionin e saj është bërë një projekt me kosto 5.2 milionë lekë, nga të cilat 4 milionë janë miratuar që të lëvrohen brenda 2008-ës dhe ka filluar puna për ndërhyrjen në çati. Objekti karakteristik ka katër dhoma, çardak, oxhak, ndërsa mungon një pjesë e inventarit. Oxhaku është i paprekur. Banesa ka pësuar dëmtime jo vetëm nga koha po dhe nga adoptimet që i kanë bërë personat që kanë jetuar aty, duke ia përshtatur disa ambiente karakterisike nevojave të tyre. Kështu ka pësuar dëmtime nga derdhja në themelet e ujërave të bardha e të zeza të ndërtimeve të ndryshme që janë bërë afër tij. Sipas drejtorit Gjini, objekt në të cilin tashmë është duke u investuar, duhet të çlirohet nga ndërtimet e shtetasve të ndryshëm ngjitur me të dhe duhet të largohen familjet e pastreha që jetojnë aty.

Është objekt me vlerë për turizmin kulturor pasi shikon nga rruga muze e Pjacës. Nevojë për ndërhyrje ka muri rrethues i muzeut historik të qytetit ose i njohur ndryshe si Shtëpia e Oso Kukës. Ky objekt vizitohet çdo ditë nga turistë të huaj por ka pësuar dëmtime të pjesshme në murin rrethues, në avlli, në disa vende ka shkëputje gurësh për shkak të bimësisë së egër. Duhet ndërhyrë, por fonde s’ka. Gjatë këtij viti qyteti i Shkodrës ka marrë investime të konsiderueshme për Monumetet e Kulturës. Vetëm rruga muze e Pjacës ka marrë 43 milionë lekë për restaurim fasadash të cilat janë në përfundim dhe së fundmi dhe 52 milionë për kthimin e kësaj rruge në pedonale. Pritet që vitin e ardhshëm të bëhet rikonstruksioni i plotë i brendshëm dhe i jashtëm i ndërtesës aktuale të Prefekturës së Shkodrës, e cila gjendet në këtë rrugë dhe është Monument Kulture.

Ndërsa këto objekte pësojnë ndryshime të dukshme dhe marrin fonde të konsiderueshme, me rikonstruksionin e Kullës së Inglizit, të Gjon Marka Gjonit apo dhe banesës së Roza Sumës duke i liruar nga problemet dhe pengesat dhe duke i kthyer në objekte të vizitueshme, Shkodra do të fitonte gjërat e veta që pa të drejtë i fsheh nën mëngë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›