Kristiano Ronaldo lë pa fjalë Murinjon

Kristiano Ronaldo zgjati kryesimin e tij në krye të listës të kandidatëve për fitimin e “Këpucës së artë” të kampionateve europiane pas tripletës së tij në fitoren 4-2 të Realit të Madridit kundër Vijarealit, duke lënë trajnerin e tij, Zhoze Murinjo, të pa fjalë. “Kristiano më la mua pa fjalë”, - pranoi portugezi 47-vjeçar. “Ai po e bën këtë ndeshje pas ndeshje, javë pas javce. Unë nuk do si t’i përshkruaj performancën e tij”, - shtoi Murinjo. Kryevepra e fundit e Ronaldos u shfaq ndaj Vijarealit të vendit të tretë, kur Kristiano përmbysi avantazhin e kundërshtarëve, e duke e mbajtur nën presion liderin e kampionatit spanjoll, Barcelona. Sulmuesi portugez u ngjit tashmë në kuotën e 22 golave në 22 ndeshje gjatë këtij sezoni, pesë më shumë se Lionel Mesi. Ylli i Barcelonës çimentoi veten në vendin e dytë në garën për “Këpucën e artë” të Europës, pas golit të shënuar kundër Deportivo La Korunjës. Sulmuesi uruguaian Edison Kavani ishte heroi i fundjavës së futbollit europian, pas tripletës së tij në fitoren 3-0 të Napolit kundër Juventusit, e që e çoi atë në kuotën e 13 golave në Serinë A.
Pesë gola më shumë se Mesi
Sulmuesi portugez u ngjit tashmë në kuotën e 22 golave në 18 ndeshje gjatë këtij sezoni, pesë më shumë se Lionel Mesi.
Rregulli
Vetëm pesë kampionatet kryesore në Europë: Spanjë, Itali, Gjermani, Angli dhe Francë e kanë të shumëzuar me dy koeficientin e shënimit të golit. Kampionatet e tjera kanë koeficient 1.5 apo më të ulët.
“KËPUCA E ART˔
RENDITJA AKTUALE
(9 janar 2011)
1 Kristiano Ronaldo (Real Madrid, Spanjë) 22 gola x 2 = 44
2 Lionel Mesi (Barcelona, Spanjë) 18 x 2 = 36
3 Keni Miller (Rejnxhërs, Skoci) 21 x 1.5 = 31.5
Kavani, serenatë golash në Napoli
Edison Kavani po përjeton disa nga momentet më të lumtura në karrierën e tij. Sulmuesi uruguaian shënoi tre golat në fitoren 3-0 kundër Juventusit të dielën në mbrëmje, ndërkohë që ai mori topin e ndeshjes për t’ia bërë dhuratë djalit të porsalindur. “Ky është një moment fantastik për mua”, - tha ndërkombëtari uruguaian, i cili ka shënuar 13 gola në 19 ndeshjet të kampionatit italian dhe pesë të tjerë në ndeshjet e Ligës së Europës. Kavani shënoi golin e parë pas asistit të Kristian Maxhos, e më pas realizoi falë një pasi të Andrea Dosenës. Goli i tij i tretë erdhi në bashkëpunim me Marek Hamshikun. Ishte tripleta e dytë e tij gjatë këtij sezoni, pas tre golave të shënuar kundër Utrehtit në Ligën e Europës. Në fund të ndeshjes tifozët e Napolit i kushtuan një këngë napolitane “O Surdato ‘Nnammurato (Ushtari i dashuruar) lojtarit, i cili ka lindur në ditën e Shën Valentinit në vitin 1987. “Ishte një kënaqësi fantastike të shikosh se të gjithë njerëzit duke të mbështetur në stadium, duke kënduar me zë të lartë”, - tha Kavan, i cili i priti me entuziazëm këngën e tifozëve. “Ne luajtëm një ndeshje të madhe dhe e merituam fitoren”. Me Lacion që humbi 2-1 kundër Leçes, tri pikët e grumbulluara nga Napoli e çuan atë në vendin e dytë në kampionat, katër pikë më pak se kryesuesi Milan. Napolitanët janë ekipi i vetëm italian që vazhdon të jetë në garë në Ligën e Europës dhe Kavani ka synime të mëdha për sezonin tjetër. “Me vendin që kemi aktualisht, ne jemi për momentin në Ligën e Kampioneve, pro me qëllim që të ruajmë pozicionin tonë ne duhet të përmirësohemi pasi ndonjëherë ne bëjmë shumë gabime, ashtu si tri ditë më parë (kur Napoli humbi 3-1 me Interin në Milano)”. Kavani sigurisht nuk bëri gabime kundër Juventusit, me trajnerin Valter Mazari shumë të kënaqur nga performanca e lojtarëve. Mazari tha: “Kavani bëri shumë mirë, por unë dua të nënvizoj se ajo që çdo lojtar bën varet gjithmonë nga pozicioni i tij dhe mënyrën sesi ekipi lëviz rreth tij. Gjithsesi, po, Kavani ishte shumë argëtues në këtë mbrëmje (të dielën)”.
Mediat: “Gjigant si Vezuvi”
Mediat uruguaiane u shprehën të ekzaltuara për performancën e Kavanit. “Është një gjigant si Vezuvi”, - shkruante e përditshmja sportive “Ovacion”. “El Espectador” veçonte: “Kavani, gjithmonë e më shumë idhulli i Napolit”
Morati: “Leo i zoti, po i ndryshon kursin ekipit”
Fitorja e Interit në Katania i dha mundësinë presidentit Masimo Morati të kalojë një të hënë të gëzueshme. Duke komentuar suksesin e dytë të Leonardos me skuadrën zikaltër, Morati tha: “Bëmë lojën tonë, duhet të fitonim dhe e fituam: dhe e bëmë shumë mirë”. Sipas bosit të kampiones së Italisë dhe Europës, ajo në Katania ishte një ndeshje shumë e vështirë. “Më duket se trajneri u tregua i zoti, - theksoi Morati, pasi i ndryshoi letrat në tavolinë gjatë ndeshjes dhe e diti ta bëjë shumë mirë”. Në lidhje me një ngjitje në raport me Milanin kryesues, presidenti i Interit u tregua diplomatik: “Të shohim nëse do t’ia dalim, por dalëngadalë do të ngjitemi”. Sipas Moratit, ngjitja e Interit ka të bëjë si me performancën e lojtarëve dhe me rikthimin e një pjese të tyre nga dëmtimet e shumta gjatë këtij fillimsezoni, por dhe nga fitimi i Botërorit të Klubeve dhe ardhja e një trajneri të ri. “Rikuperimi nga dëmtimet shërben, është i nevojshëm për një skuadër të fortë, botërori nga dha shumë besim, megjithatë – shtoi numri një zikaltër – ajo që mund të na çojë përpara është një trajner i mirë dhe këtë e kemi”. Morati foli edhe për objektivat e merkato, në lidhje me zërat për blerjen kilianit të Udinezes, Aleksis Sançez dhe Edinson Kavanit, golashënuesit më të mirë të kampionatit italian. “Jo, nuk besoj. Gjithmonë ka lajme për lojtarë të zotë, - konkludoi presidenti i Interit, - por jo të gjithë mund të merren”.
Milito: “Do të vijnë dhe golat e mi”
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, shprehu kënaqësinë e tij për fitoren në Katania. “Ishte një fitore e madhe në një fushë të vështirë. E ndjej fort besimin e Leos. Gjendja ime fizike? Të gjitha duan të jenë në gjendjen më të mirë fizike, tani jam duke punuar për të qenë në nivelin optimal. Jam duke rigjetur formën, e më pas do të vijnë dhe golat e mi”
Bekham kalon te Totenhemi
Dejvid Bekhami iu nënshtrua vizitave mjekësore te Totenhemi, atje ku dhe 35-vjeçari i Los Anxheles Galaksi do të luaj si i huazuar për dy muaj. Ish-kapiteni i Anglisë do të kryejë stërvitjen e parë sot në mëngjes, ndërkohë që sfida e tij e parë do të jetë ajo kundër ish-skuadrës së tij, Mançester Junaitid të dielën. Dy sezonet e fundit, Bekhami luajti si i huazuar te Milani në Itali. Ylli anglez nuk luan për një klub të Premier Ligës qysh nga sezoni 2002-2003, kur ai u largua për në drejtim të Realit të Madridit. Lajmet e mira për Bekham nuk kanë fund kurrë. Ai pret të bëhet sërish baba, pasi Posh pret “baby Nr.4”. Çifti e bëri të ditur lajmin e gëzueshëm në rrjetin Faceboook. Bekham tha: “Kam disa lajme të mira për t’jua treguar të gjithëve. Viktoria dhe unë do të presim fëmijën e katërt gjatë kësaj vere”.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 10 Janar 2011