E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristiano Ronaldo, një muaj jashtë fushe

“Lojtari vuan nga një dëmtim në kaviljen e djathtë dhe duhet të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë 3-4 javore”, thuhet në deklaratën për shtyp të Realit të Madridit.

Duket se kualifikimi i Portugalisë në Kampionatin Botëror (nëse fiton ndaj Maltës) i ka kushtuar shumë shtrejntë Kristiano Ronaldos. Ai u dëmtua në minutën e 25-të të pjesës së parë në ndeshjen e së shtunës që luzitanët fituan kundër Hungarisë.

Asi portugez me shumë mundësi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Pelegrini për dy ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër Milanit më 21 tetor dhe më 3 nëntor.

Vetë futbollisti i Realit ka thënë se i vjen keq për këtë dëmtim, pasi ishte në një moment të mirë dhe po kalonte një formë të shkëlqyer. “Nuk jam unë shpëtimtari i Realit, por pas humbjes me Seviljen doja t’i ndihmoja shokët e skuadrës të fitonim ndeshjet e tjera. Ndihesha mirë, edhe pse nuk isha në 100% të formës, pasi kisha pak dhimbje”, u shpreh 24-vjeçari.

“Por – ka vijuar më tej ish-lojtari i Mançester Junajtid – doja të bëja një sakrificë për të ndihmuar vendin tim të shkojë në Kampionatin Botëror. Ky dëmtim nuk ka lidhje me atë të vitit të kaluar. Megjithatë jam i qetë, me ndihmën e fizioterapistëve do të shkojë gjithçka mirë. Do të punoj fort për t’u riaftësuar sa më shpejt”, shtoi Ronaldo.

Ndërkohë, i ashpër ka qenë reagimi i mediave spanjolle në lidhje me dëmtimin e portugezit. “Indinjatë në Madrid: Portugalia nuk duhet ta kishte sforcuar lojtarin” shkruan “Marca”, që përmend të gjitha ndeshjet që Kristiano Ronaldo duhet të qëndrojë jashtë si pasojë e dëmtimit.

Tre ndeshje në kampionat kundër Valadolidit, Getafes dhe Sporting Gijonit, dy ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër Milanit dhe një takim i Kupës së Mbretit me Alkorkon.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›