E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret e vizave, apel i Fajon dhe Lohan

Shqipëria duhet të plotesojë kriteret që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave në mënyrë që në mesin e vitit 2010-të qytetarët shqiptarë të lëvizin pa viza. Ky është lajtmotivi i një prej mbështetsëve më të forta të lëvizjes së lirë të shqiptarëve, eurodeputetes sllovene Tanja Fajon gjatë vizitës në vendin tonë. Deputetja që i ka kërkuar Parlamentit Evropian të mos lejë Shqipërinë dhe Bosnjën prapa vendeve të tjera të rajonit, i ka kërkuar autoriteteve shqiptare të plotesojnë standartet.
"Shqipëria mund të përfitojë realisht nga liberalizimi i regjimit të vizave në korrik të vitit 2010, nëse ecën në rrugën e duhur. Dua të them se vetëm kur një vend plotëson kriteret, dhe nëse kjo ndodh me Shqipërinë në fillim të vitit tjetër, vetëm atëherë ju mund të prisni që të përfitoni nga lëvizja pa viza.
Autoritetet dhe qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se ky është një proces ku bashkëpunimi mes qeverisë, parlamentit, opozitës dhe shoqërisë është shumë i rëndësishëm", tha Fajon.
Me po të njëjtat fjalë ka përkufizuar këtë proces edhe ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan.
"Shqiperia ka një mundësi reale të bëjë hapa historikë. Unë shpresoj së Shqipëria do të na ndihmoje në mënyrë që pastaj Komisioni Europian t'iu ndihmojë ju, të ndihmoje qytetarët shqiptarë", theksoi ai.
Ndërkaq në ditën kur qeveria shqiptare i ka nisur Komisionit Europian raportin mbi progresin e bërë në lidhje me përmbushjen e udhërrëfyesit për vizat, shefi i diplomacisë shqiptare Meta ka shprehur angazhimin e maxhorancës për përmbushjen e standarteve, duke ftuar opozitën të bëhet pjesë e ketij procesi.
Sipas një raporti të publikuar nga Lëvizja Europiane, Shqipëria ka rezultate të mira në plotësimin e standarteve që kanë të bëjnë me sigurinë e dokumentave, me zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, si dhe në masat e marra kundër migracionit të paligjshem. Problem mbetet ende lufta kundër pastrimit të parave, lufta kundër korrupsionit, zbatimi i konventave mbi bashkëpunimin juridik në çështjet penale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›