E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret për heqjen e vizave, gati brenda vitit

“Kosova do t`i përmbushë nëntëdhjetë e pesë kriteret e caktuara për liberalizimi në fund të këtij viti dhe u mbetet mekanizmave ndërkombëtarë të vendosin kur do të realizohet ky proces, megjithatë i gjithë procesi nuk do të ketë pengesa politike”, thanë Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe ministrja e Integrimit Europian, Vlora Çitaku.
 

Në një konferencë për media, dy ministrat u bashkuan për të shpalosur arritjet në procesin e liberalizimit të vizave, arritje këto që do të finalizojnë raportin që do tu dorëzohet mekanizmave ndërkombëtarë me 15 shtator.
 

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku deklaroi se viti 2012 shënon vitin e fillimit të konkretizimit të axhendës evropiane për Kosovën përmes studimit të fizibilitetit si dhe përmes procesit të liberalizimit të vizave, të cilat janë fitore e konsensusit politik që është në Kosovë dhe tani mbetet përmbushja e kritereve nga pala kosovare.
 

“Procesi i liberalizimit të vizave nuk pres të ketë pengesa politike për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Normalisht, ky proces në fund fare varet nga disponimi; përmbushja e kritereve është një gjë, vendimi merret në nivel politik. Mirëpo, nëse shohim politikat e kaluara, pengesat politike asnjëherë nuk kanë prodhuar pasoja për ecjen përpara të këtij procesi”, tha Çitaku.
 

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se janë në përfundim të përgatitjes së raportit, i cili do të dorëzohet me 15 shtator lidhur me gjendjen aktuale në të cilën gjendet Kosova sa i përket legjislacionit dhe angazhimeve të tjera në përmbushjen e kritereve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›