E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriteret për të ndjekur studimet në fakultetin me te ri në Durrës



Fakulteti më i ri i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) në Durrës ka përcaktuar kriteret kryesore mbi të cilat do të bëhet pranimi i studentëve. Fakulteti bregdetar i Durrësit do t’i çel dyert për herë të parë për studentët në fillim të këtij viti akademik. Të rinjtë që do të pranohen në këtë fakultet, pasi të përfundojnë shkollën e mesme do të kenë mundësi të fillojnë njëkohësisht studimet e larta dhe të punësohen. Sipas drejtuesve të këtij fakulteti, target grupi i synuar për këtë fakultet janë maturantët, që kërkojnë një alternativë ekonomike dhe tërheqëse, krahasuar me studimet tradicionale në një universitet ose shkollë të lartë. Pas studimeve 3 vjeçare akademike të kombinuara me trajnimin praktik (në raportin 50 për qind studime, 50 për qind punë ) ata do të pajisen me Diplomën e Nivelit të Parë (Bachelor) me 180 kreditë.
E thënë ndryshe, studentët që do të pranohen në këtë fakultet, pasi të përfundojnë shkollën e mesme do të kenë mundësi të fillojnë njëkohësisht studimet e larta dhe të punësohen.
Kriteret
Kriteri i parë për të vazhduar studimet në këtë fakultet është njohja e mirë e gjuhës angleze. Kushti i dytë është që maturantët duhet të lidhin një kontratë pune me një ndërmarrje të vogël dhe të mesme kryesisht në sektorin e hoteleri-turizmit, sektorin bankar dhe atë të ndërtimit, të cilat brenda një periudhe afatmesme synojnë dhe janë të interesuar të përshtatin strukturën e personelit sipas kërkesave në ndryshim të biznesit. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që do të regjistrohen në vitin akademik 2008-2009, në njërën nga programet e studimit do të jetë 30 mijë lekë (240 euro). Fazat e studimit akademik në FASTIP, të cilat zgjasin 3 muaj, alternohen me fazat e trajnimit praktik në firmë, me të njëjtën kohëzgjatje. Përmbajtja teorike e programeve të studimit do të përshtatet me nevojat e praktikës në punë. Ndërsa trajnimi praktik do të bazohet në një plan të hartuar bashkërisht nga firma e punësimit dhe fakulteti. Studentët që do të diplomohen në këtë fakultet do të kenë një status të veçantë, pasi ata do të jenë edhe studentë edhe të punësuar me kontratë trajnimi në një firmë, sipas degës përkatëse.
Çelja
Hapja e mbarëvajtja e këtij fakulteti shënon realizimin e një projekti të përbashkët, të nënshkruar në prill të këtij vitit me palën gjermane, e cila ka mbështetur dhe financuar një projekt i përmbushur me asistencën e Akademisë Profesionale të Gjermani. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Arsimit Genc Pollo ishin dje të pranishëm në mbledhjen e parë të Këshillit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën, (FASTIP) pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Para një muaji qeveria vendosi për hapjen e këtij fakulteti, i cili përbën një risi në sistemin e arsimit të lartë shqiptar, por edhe një hap të rëndësishëm përpara drejt afrimit të diplomave universitare me nevojat e ekonomisë së tregut.

Degët
Ky fakultet do të ofrojë arsimin universitar të integruar me praktikën profesionale, drejtpërdrejt në sipërmarrje (i quajtur ndryshe arsimimi dual) në degët:
Menaxhim i Bankave
Menaxhim i Hoteleri-Turizmit
Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme

Projekti
Projekti është parashikuar të vazhdojë 6 vjet (deri në vitin 2013) dhe është i ndarë në 3 faza.
1. Faza e parë nga 09/2007 deri 08/2009 (2 vjet)
2. Faza e dytë nga 09/2009 deri 08/2012 (3 vjet)
3. Faza e tretë nga 09/2012 deri 08/2013 (1 vit) Faza e tretë është parashikuar për konsolidimin e projektit

Kontributet e partnerëve në projekt
Kontributi i palës gjermane
Konsulencë nëpërmjet një eksperti afatgjatë për personelin e Akademisë Profesionale në Durrës, të MASH, ndërmarrjeve dhe Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të përfshira si dhe nëpërmjet ekspertëve afatgjatë vendas dhe të huaj (hartimi i kurrikulave, bashkëpunimi me ndërmarrjet, përmbajtjet e specialitetit, metodat moderne të arsimimit)
Trajnimi i stafit menaxherial dhe trupës mësimore të Akademisë Profesionale.
Shkëmbim informacioni dhe dialog profesional me një akademi profesionale të përzgjedhur në Gjermani
Vënia në dispozicion e mjeteve materiale për mbështetjen e aktiviteteve të konsulencës dhe trajnimit

Kontributi i palës shqiptare
Vënia në dispozicion e një personi kontakti (counterpart) në akademinë profesionale si dhe e personelit specialist
Vënia në dispozicion e mjediseve në akademinë profesionale, e të gjitha informacioneve dhe dokumenteve të nevojshme, si dhe pjesëmarrje në shpenzimet administrative dhe ato të ndërmarrjes
Nga ana e biznesit realizohet shkollimi në ndërmarrje, bashkëpunimi për hartimin e kurrikulave, zhvillimi i provimeve, pranimi i detyrave të mësimdhënies në akademinë profesionale si dhe në varësi të modelit të financimit - pjesëmarrja në fondin e shkollimit, kompensime shkollimi për studentët

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›