ISKSH: Lista e barnave të rimbursuara, 99 barnat e para alternative nga prodhimi vendas
Firmat farmaceutike shqiptare zënë rreth 27 përqind të alternativave të para, në listën e barnave që rimbursohen në vend. Kjo do të thotë se në listën e barnave të rimbursueshme këtë vit gjenden 99 barna alternative të para. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ky është një tregues që ka pësuar rritje përgjatë tri viteve të fundit. Ndërkohë pozitiv në këtë rritje është fakti se prodhimi vendas është i pranishëm me alternativa të para, në disa grupe të rëndësishme terapeutike. ISKSH-ja e konsideron si një dukuri pozitive rritjen e numrit të barnave të prodhimit vendas, i cili në këtë listë përfaqësohet me 27 përqind të alternativave të para. Në vitin 2006 prodhimi vendas përfaqësohej me 70 barna alternative të para (19.8 përqind), në vitin 2007, me 75 barna alternativa të para (21 përqind) dhe këtë vit me 99 barna alternative të para (27 përqind). Burime nga ISKSH-ja e vlerësojnë si pozitiv faktin, se vihet re një ulje e ndjeshme, gati e përgjysmuar, e barnave të prodhimit indian dhe një rritje e barnave të prodhimit perëndimor. Kështu, gjatë vitit 2008, rezulton se nga 374 barna alternativa të para, 176 barna janë prodhime në vendet perëndimore. Prodhimi indian, në vitin 2006, përfaqësohej me 27 barna alternativa të para (7.6 përqind), në vittin 2007, me 23 barna alternativa të para (6.4 përqind) dhe në vitin 2008, me 14 barna alternative të para (3.7 përqind).
30 Korrik 2008