E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Punës, domosdoshmëri jo formalizëm



Luan Shtëpani

Të gjithë jemi dëshmitarë të gjyqeve pafund mes punonjësve që përfaqësohen nga organizatat e punëmarrësve, shtetit si punëdhënës dhe punëdhënësve privat për pushimet e padrejta nga puna. Në të shumtën e rasteve gjyqet janë fituar nga pala paditëse, pavarësisht se në praktikë nuk është bërë e mundur rikthimi në vendet e punës duke u mjaftuar vetëm me dhënien e pagës sipas kontratave. Ndonëse ekzistojnë struktura si Komisioni i Ndërmjetësimit dhe Pajtimit pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta shumë çështje janë depozituar në gjykatë, pavarësisht kontributit të komisionit. Ministri i Punës ose organi i autorizuar prej tij, janë autoriteti që kanë të drejtë të caktojnë ndërmjetësin për zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe pajtimin e palëve. Ndërmjetësi duhet te ndërhyjë menjëherë, me qëllim që të ndihmojë palët në konflikt për të zgjidhur me mirëkuptim mosmarrëveshjen, për të arritur zgjidhjen më të mirë të mundshme për to. Një strukturë, apo mekanizëm tjetër i sistemit te zgjidhjeve jashtëgjyqësore të konflikteve kolektive te punës janë Zyrat Shtetërore të Pajtimit.
Për shqyrtimin dhe zgjidhjen e konfliktit, zyra e pajtimit thërret palët e interesuara, pasi njoftohet nga njëra palë ose kërkohet aktivizimi i saj. Kjo zyrë ju kërkon palëve të paraqiten në seancën e shqyrtimit, të marrin pjesë në debat dhe të paraqesin te gjithë të dhënat që ju kërkohen. Gjithashtu, palët në konflikt kanë të drejtë që të ndihmohen nga çdo person i caktuar prej tyre, pra ata mund të thërrasin për ndihmë, natyrisht me shpenzimet e tyre, ekspertë të ndryshëm.
Zyra e pajtimit, pasi dëgjon palët, administron dokumentacionin e nevojshëm vendos për propozimin e pajtimit. Vendimi për këtë propozim merret me shumicën e votave të anëtarëve pjesëmarrës dhe në rast se votat pro dhe kundër janë te barabarta, vota e kryetarit është përcaktuese.
Propozimi për pajtim ju bëhet palëve me shkrim nga kryetari i zyrës së pajtimit dhe ju kërkohet atyre te deklarojnë me shkrim pranimin ose jo të propozimit brenda dy ditëve. Ne se palat e pranojnë atë, atëherë propozimi merr fuqinë e kontratës dhe është i detyrueshëm për t`u zbatuar. Nëse njëra palë apo të dyja kundërshtojnë propozimin për pajtim, atëherë kryetari deklaron dështimin e pajtimit.
Ndonëse sipas Kodit të Punës ekziston Gjykata e Arbitrazhit , kjo e fundit asnjëherë nuk ka funksionuar për të vetmin fakt se vendimet e saj nuk janë ekzekutive dhe prandaj të gjitha palët në konflikt i drejtohen gjykatës së faktit.
Po t’i referohemi Kodit të Punës që me të drejtë cilësohet si “Kushtetuta e Punës” në nenet e tij ka klauzola që lënë shteg për abuzime se si mund të zgjidhen mosmarrëveshjet. Ekspertët e pushtetit të tretë e vlerësojnë jo të arrirë këtë kod i cili i marrë në total mbron më shumë interesat e punëdhënësve. Duke u ndaluar në atë që tashmë është kërkuar prej kaq vitesh Gjykata e Punës,vlen të theksohet se është bërë shumë zhurmë, ndërsa në praktikë asgjë nuk ka ndryshuar vazhdon po e njëjta situatë, lodhje dhe stërmundim pafund në dyert e gjykatave për të marrë drejtësi.
Por cilat janë avantazhet e krijimit të këtyre gjykatave dhe a është në gjendje gjyqësori të përmbushë një nisëm të tillë?
Sipas specialistëve ngritja e gjykatave të punës tashmë shtrohet si domosdoshmëri për përmirësimin e klimës së marrëdhënieve mes punëdhënësve dhe punëmarrësve ku si njëra palë dhe tjetra nuk do ta kenë të lehtë të marrin vendime të nxituara. Ndërsa argumenti shtetërorë se duhet, por kërkon shpenzime nuk është shumë i saktë. Gjyqësorit shqiptar i mbetët detyrë që të specializojë kontingjentin e tij në funksion të kësaj gjykatë për njohjen e legjislacionit të punës duke anashkaluar kështu rritjen e numrit të gjyqtarëve. Kjo e fundit edhe mund të ndodhë, por gjithnjë duke ju referuar çështjeve që do të gjykohen dhe mbi të gjitha kohës fizike të gjykimit dhe marrjes së vendimeve. Pra nuk kërkohen ambiente të veçanta, fonde të veçanta, por vetëm se limitohen afatet e dhënies së vendimeve.
Bazuar në eksperiencat e vendeve të tjera do të duhen disa ditë deri në një muaj për të marrë një vendim nga ana e gjykatësve të punës për konfliktin mes punëmarrësve dhe punëdhënësve. Për sa më lart gjyqe të kësaj natyre dhe për njeriun profan në këtë fushë klasifikohen të lehta.
Në bisedat konfidenciale të realizuar mes përfaqësuesve më të lartë të punëmarrësve dhe ministrisë së drejtësisë është thënë se shumë shpejt do të merren hapat e nevojshme për të krijuar Gjykatat e Punës.
Sot e vetmja alteranitvë për të zgjidhur mosmarrëveshjet pa paguar para janë zyrat e pajtimit, nëse do të realizohet ajo që thuhet gjykata, situata do të ndryshojë pavarësisht se në favor të kujt jepet vendimi.
Tendencës për rritjen e fleksibilitetit të tregut të punës, duhet t’i kundërvihet gjithë procedura e trajtuar në këtë shkrim, si ndërmjetësimi, pajtimi duke u munduar t’i shmangemi konfliktit gjyqësor si proces me kosto të lartë për një periudhë deri sa të zyrtarizohet funksionimi i gjykatave të punës.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›