Autobuzët pa bileta, qytetarët akuzojnë fatorinot se po i vjedhin
Jonida Tashi
Kryeqytetasit prej më shumë se një jave po përballen me mungesën e biletave të udhëtimit në transportin ndërqytetës. Madje, tashmë që ndodhemi edhe në ditët e fundit të këtij muaji, vihet re se biletat mungojnë edhe më shumë se në ditët e mëparshme. Mungesa e biletave të udhëtimit ka krijuar një kaos edhe më të madh në udhëtim, pasi qytetarët janë të frikësuar nga gjobat, që merren në rast se të mungon bileta. Madje, ka plot udhëtar që e pohojnë një gjë të tillë. “Kam pesë ditë që hipi në autobus dhe nuk marr biletë. Nuk kam pse marr gjobë unë, kur i kam paguar lekët për biletën se do të vjedh fatorinoja biletat”, - shprehet e revoltuar një grua 55-vjeçare, së cilës vetëm para disa ditësh kontrolluesit që dalin një herë në të hënë nëpër autobuza i kanë vendosur gjobë. “Kur shkova në Itali te vajza dhe vetëm pse harrova të prisja biletën mora 30 euro gjobë”, - tregon e moshuara. Përballë kësaj situate, interesimit të çdo qytetari se përse mungojnë biletat fatorinot gjithë mospërfillje i’u përgjigjen: “Kanë mbaruar biletat”. Sigurisht që udhëtimi me urban është një mjet shumë i domosdoshëm për kryeqytetasit, por jo aq sa të mbarohen biletat që në mesin e muajit.
Situata
Por kjo situatë nuk është krijuar për të parën herë në autobuzat që bëjnë linjën e Unazës, por këtë herë ajo ka kaluar kufijtë e pranueshëm. Odiseja e kësaj situate përsëritet sa herë që vjen mesi i çdo muaji. Por megjithëse udhëtarët janë pa bileta edhe pse lekët i kanë paguar, fatorinot sërish vazhdojnë të pyesin qytetarët nëse ka ndonjë njeri që nuk ka paguar biletën. Aq skllevër të lekut qyl janë bërë të shkretët fatorino sa njerëzit nuk guxojnë të marrin dot as frymë, se vjen fatorinoja t’a zë frymë pa hipur mirë në autobuz. Ndërsa shoferët vërtetë që e kanë sahatin shtatë siç thotë edhe vetë populli. Ata dëgjojnë muzikë për qef të vetë në timon, madje edhe sipas preferencave, a thua se gjenden aty për të bërë një shëtitje rreth e rrotull Tiranës. Vetëm pasi u shkon ora në limit, shoferët kujtohen se duhet të ecin pak më shpjet për të evituar gjobën.
Ankesat
Ankesat dhe të bërtiturat qytetarëve të buçasin në daulle të veshit dhe askush se vë ujin në zjarr për këtë. Madje, kur bëhen më shumë së një qytetar të revoltuar fatorinot tërë qejf përgjigjen “Apo çe keni në terezi, ju këtë çdo ditë këtë keni”. Por në disa raste ndodh që biseda midis udhëtarit dhe fatorinos të kaloj edhe në banalitet. Në këtë pikë fatorinoja sigurisht që të kërcënon, sidomos nëse qytetari nuk është një djali i ri, por një i moshuar, të cilin kushedi çfarë halli e ka detyruar të dali në pikun e vapës nga shtëpia. Veprimi që bën fatorinoja për të të kërcënuese se duhet t’a “qepësh” gojën është që të tregon këmbën duke i’u drejtuar të moshuarit: “A ma sheh numrin e këpucës?!” Ndërsa qytetari i ofenduar nga kjo sjellje i kundërpërgjigjet se do të ankohet diku për t’a pushuar nga puna. Fatkeqësisht harron i shkreti se në Shqipëri gjërat nuk funksionojnë më kështu dhe se edhe fatorinot punësohen me miq. Pasi nëse do të ishte e kundërta dhe përzgjedhja e fatorinove do të bëhej mbi disa kritere, sigurisht që qytetarët do të përfitonin një shërbim pak më cilësor nga transporti ndërqytetës.
Kushtet
Linjat urbane të kryeqytetit nuk ofrojnë asnjë kusht për të mundësuar udhëtimin nga një zonë në tjetrën. Mungesa e kondicionerëve dhe kushtet higjienike bëjnë që udhëtimi të jetë i pothuajse i pamundur. Madje kushtet e krijuara nuk kursejnë as rënien e të fikëtit te qytetarët, të cilët nuk e durojnë dot vapën e nxehtë. Bashkia e Tiranës, parashikon në marrëveshjen e bërë me Shoqatën Kombëtare të Transportit Urban, krijimin e kushteve optimale gjatë stinës së dimrit dhe të verës. Sipas kësaj marrëveshje, urbanët duhet të jenë të pajisur me kondicionerë dhe duhet të fshihen apo të lahen vazhdimisht. Por, kjo gjë nuk ndodh në urbanë, ku vapa duket se të mbyt dhe papastërtia gjendet kudo. Po të vëresh përtokë apo në stola, shenjat e pisllëkut kanë zënë 1 centimetër trashësi. Shoferët e urbanëve, pranojnë faktin se nuk i ndezin kondicionerët e urbanëve, pasi harxhojnë shumë gaz dhe ka një kosto të lartë të blerjes. Madje, ata janë vetë viktimë e kushteve të rënda dhe e vapës së nxehtë të verës.
30 Korrik 2008