E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentët shqiptarë fillojnë të shkojnë vetëm për pushime jashtë vendit



Ervin Koçi

Të rinjtë dhe adoleshentët shqiptarë duket se këtë vit bënë një hap përpara edhe përsa i përket turizmit. Nuk bëhet më fjalë të presësh moshën e pjekurisë për të shkuar me pushime me miqtë apo me të dashurin. Kjo gjë tashmë i përket së shkuarës edhe për adoleshentët shqiptarë të cilët që në muajt prill-maj nisën nga prenotimet për tu nisur me pushime me shoqërinë. Agjencitë turistike e kanë patur disi të vështirë për këtë grup të ri turistësh, të cilët në një pjesë të mirë kishin probleme teknike si mungesa e pasaportës, apo mosha jo e përshtatshme për të aplikuar në agjencitë turistike. Megjithatë, edhe pse mund të duket deri diku e pabesueshme, kanë qenë mbi 60 grupe të rinjsh adoleshentë të moshave nga 16-20 vjeç që janë nisur me pushime jashtë vendit, të pa shoqëruar prej prindërve. Sipas operatorëve të disa prej agjencive më të njohura turistike në kryeqytet, “kanë qenë pikërisht këto grupe, ata që kanë zgjedhur edhe paketat më të mira turistike (super all included), që varjonin nga 7-10 ditë në hotelet me 5 yje të Turqisë dhe Sharm El Sheik-ut”. Edhe pse operatorët janë munduar që të mbajnë të fshehtë identitetin e klientëve të tyre më të rinj, ata kanë pohuar për gazetën “Albania” se, në shumicën e rasteve kanë qenë grupe prej 3-5 djemësh dhe po ashtu dhe mjaftë grupe vajzash, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet jashtë vendit të pashoqëruar nga prindërit apo më të rritur. Me siguri operatorët kanë thënë se, “në disa raste djemtë adoleshentë kanë prenotuar në po ato hotele ku më parë kishin rezervuar edhe shoqet apo miket e tyre”.

Fenomeni

Dëshirës së madhe të shqiptarëve për të kaluar pushimet jashtë vendit, ndyshe nga bashkëkombësit e tyre emigrantë që kthehen në vend sidomos për pushimet verore, i janë shtuar dhe adoleshentët që shumë shpejt kërkojnë pavarësinë nga familja. Këtë vit ky ka qenë një fenomen i cili sipas operatorëve turistikë, ka qenë në “top-listën” e prenotimeve që kanë bërë klientët e agjencive turistike në Tiranë. Të rinjë dhe adoleshentë të moshave të ndryshme, të pashoqëruar me prindër, apo edhe mjaftë çifte ende të pamartuar i janë drejtuar brigjeve të Turqisë, Egjiptit dhe Malit të Zi, për pak ditë relaks dhe larg syrit të kureshtarëve apo të të njohurve. Operatorët turistikë flasin më tej edhe për grupe të cilët kanë zgjedhur edhe vende më luksoze për pushime si ishujt e Greqisë, Spanjën, Italinë apo dhe Francën e Brazilin, por se këta kanë qenë më të pakët në numër. Megjithatë tendenca për të kaluar disa ditë pushime të këndshme jashtë vendit, e për më tepër vetëm në shoqërinë e miqve apo të të dashurve, duket se është kthyer në një stil zgjedhjeje për shqiptarët.

Gjetja e parave

Asgjë nuk mund të pengojë një adoleshent që kërkon të largohet pr disa ditë nga familja me miqtë e tij për pushime, e madje as paratë. Edhe pse këto të fundit janë kthyer në një problem thelbësor dhe të përditshëm për familjet e varfëra dhe të nivelit të mesëm në Shqjpëri. Megjithatë kur bëhet fjala për pak liri dhe shfrenim, edhe ato mund të sigurohen në mënyra të ndryshme. Kur bëhet fjalë për të shkuar me pushime, djemtë dhe vajzat bëhen të mrekullueshëm, i dëgjojnë prindërit, këshillat që u japin ata dhe mundohen që në përfundim të vitit shkollor të arrijnë rezultate maksimale. Por për adoleshentët shqiptarë kjo gjë nuk do të mjaftonte për të siguruar deri në 700 euro për disa ditë pushimesh jashtë vendit. Një shumë e tillë do të ishte mjaftë e madhe edhe për prindërit e tyre pavarësisht punës që bëjnë. Por ja që edhe aq para gjenden. Shumëkush zgjedh të punojë si kamarjer gjatë dimrit dhe të heqë mënjëanë ca kursime. Dikush tjetër i ndihmon prindërit në biznesin famijar dhe u kërkon çdo ditë nga pak para me preteksin se do t’i shpenzojë me shokët. Por është edhe dikush tjetër që përdor si burim financimi motrat dhe vëlezërit më të rritur, për më tepër kur ata janë jashtë shtetit, apo edhe gjyshërit ose të afërm të tjerë që nuk i kursejnë ndonjëherë të hollat për nipërit e tyre. Por gjithsesi për të financuar një tur pushimesh sidomos jashtë vendit, e kur mendon që kushton sa dy rroga e gjysëm mujore të prindit, kjo gjë mbetet disi enigmatike. Por mund të mendojmë se në fund të undit “sponsor gjeneral” mbetet gjithmonë xhepi i prindërve, që në ndonjë rast mashtrohen edhe me mjeshtëri prej fëmijëve.

Fenomeni në sytë e sociologëve, çfarë mendojnë ata

E pyetur nga gazeta “Albania”, sociologia Majlinda Skëndo, është munduar që ta analizojë me kujdes këtë fenomen të ri, me të cilin sipas saj do të ndeshen në vijim familjet shqiptare. Sipas Skëndos, “që në moshën 14-vjeçare adoleshentët kërkojnë pushime të pa shoqëruar nga prindërit, e madje deri në vendet simbol, siç është Spanja, ishujt grekë, Londra, Parisi etj.”. Ajo shton më tej se, “edhe pse gjendja ekonomike e një familjeje të caktuar nuk është në një nivel të lartë, shumë adoleshentë nuk dëshirojnë të heqin dorë nga tekat e tyre". Sipas një sondazhi të bërë mbi sjelljet e adoleshentëve në internet, është vënë re se pas manisë për të pasur një telefon të shtrenjtë, faqet më të klikuara janë ato që ofrojnë paketa udhëtimi apo fluturimi të lira ose me çmim të ulëta.
Puna më e vështirë sipas sociologes Skëndo, u mbetet prindërve, të cilët duhet të vendosin nëse fëmija i tyre duhet të shkojë me pushime vetëm, apo jo. “Ajo që i vështirëson më shumë gjërat është frika. Telefoni nuk mjafton për të siguruar familjen sidomos kur je jashtë vendit”. Por ky fenomen për sociologen Skëndo, ka nisur jo këtë vit por shumë më herët, që në kohën kur shumë shkolla të mesme por dhe 8-vjeçare sidomos në kryeqytet, nisën ekskursionet e para jashtë vendit si në Maqedoni, Malin e Zi, Kosovë apo dhe Kroaci, për disa ditë. “Ky ishte hapi i parrë për t’u shkëputur nga vëmendja dhe syri i prindërve, me miqtë apo edhe me të dëshurit, edhe pse ishin të financuar nga familja për çdo rast”,- thotë sociologia. Ajo shton më tej se, “tani ndryshe nga më parë shumë agjenci turistike janë afirmuar dhe i kanë rritur standardet e sigurisë, element ky që në fakt e rrit besimin tek prindërit”. Sipas saj, “udhëtimet në moshën e adolshencës janë shumë efikase, sepse fillimisht çdo fëmijë mësohet të qëndrojë larg shtëpisë. Do të ishte më normale që kushdo të shkonte me pushime vetëm dhe të mos e konsideronte për një moment lirie të pakontrolluar. Pushimet nën moshën 18-vjeçare nuk duhen konsideruar si një zgjedhje e detyruar. Vitet e fundit po formohet një koncept i ri kulturor, që mund të jetë favorizues”. Sociologia shton më tej se, shpesh prindërit u lejojnë fëmijëve shumë gjëra, madje edhe pushime vetëm, për të mos i veçuar nga grupi. “Ata nuk e vlerësojnë faktin që ai rast mund të jetë ose jo një eksperiencë edukuese. Prindërit duhet të marrin parasysh gjithçka, përfshi edhe destinacionin e përzgjedhur për të imagjinuar llojin e pushimeve që kanë ndër mend fëmijët e tyre. Fëmijët që lejohen nga prindërit për të shkuar me pushime, zgjedhin të marrin me vete edhe një shok ose shoqe. Kjo është një mënyrë për të udhëtuar më të sigurt, por edhe sepse pushimi me shoqen e zemrës mund të të rezervojë shumë surpriza”, -përfundon sociologia Majlinda Skëndo.

Si të shijojini pushimet në siguri. Ja 10 këshilla që vlejnë jo vetëm për adoleshentët, por edhe për të rriturit

1. Nisuni në grup dhe mbani kontakte me njëri-tjetrin: në fillim duhet të informoheni për nisjen, më pas cilat vende do të vizitoni. Ai që do t‘u udhëzojë duhet të jetë një person i pjekur

2. Në lokale mos ia ndani kurrë sytë shishes apo gotës tuaj, duhet të dini se çfarë po pini. Mund të ndodhë që dikush të abuzojë me besimin tuaj dhe t‘ju hedhë në ujë pluhura të ndryshme, për ta bërë situatën më gazmore.

3. Mos u ktheni kurrë në shtëpi vetëm, dy shoqe mjaftojnë. Nëse dëshironi të shkëputeni nga grupi, prania e një mashkulli është e domosdoshme.

4. Për të lëvizur duhet të përdorni mjetet publike, ose të ecni në këmbë. Shmangni në maksimum taksitë abuzive që ndalojnë jashtë diskotekave. Në rast grabitjeje ose përdhunimi, është e pamundur të identifikosh shoferin.

5. Mos i jepni numrin e telefonit personit të parë që takoni, edhe nëse është femër.

6. Nuk duhet të mbani me vete para dhe bizhuteri të shtrenjta. Vishuni sa më thjesht, me xhinse dhe atlete. Nëse dëshironi të vishni taka dhe minifunde, duhet të jeni medoemos nën shoqërinë e miqve të besuar.

7. Nëse jeni vetëm, është më mirë të flini në një hotel rrethuar nga miq të besuar. Mos i frekuentoni kurrë hotelet që ndodhen në periferi, sepse shpesh janë të rrezikshëm

8. Nëse keni dëshirë të shkoni në klube nate, më mirë zgjidhni një diskotekë në mes të qytetit, sepse është më e sigurt se sa lokalet në breg të detit.

9. Qëndroni gjithmonë larg tipave të rrezikshëm, ose më saktë larg atyre që të sulmojnë, të provokojnë, që pinë pije alkoolike, që bëjnë gjithçka për të acaruar situatën.

10. Gjatë mbrëmjes mos pini më shumë se një pije, ose maksimumi dy. Mos i përzieni pijet alkoolike me njëra-tjetrën. Për të mos gabuar, zgjidhni më mirë një lëng frutash.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›