E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat që duhet të ndjekin maturantët për rishikimin e testit



Jonida Tashi

Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), sqaron maturantët për procedurat që duhet të ndjekin për rishikimin e testit nëse kanë pakënaqësi. Fillimisht çdo maturant pjesëmarrës në provimet e Maturës duhet të bëjë një kërkesë në shkollën e tij të mesme. Pas kësaj, shkolla ja paraqet këtë kërkesë Drejtorisë Arsimore të rrethit përkatës dhe këto të fundit e dorëzojnë kërkesën në APRIAL për rishikim. Çdo pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit që ai ka zhvilluar, me rezultatet përkatëse të vlerësimit. Për këtë, brenda shtatë ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë KSHMSH-së një kërkesë duke paguar një tarifë prej 400 lekësh për çdo kopje të testit, në sekretarinë e shkollës.
Shqyrtimi
KSHMSH, pasi grumbullon të gjitha kërkesat, i shqyrton ato rast pas rasti dhe i përcjell në KMSH pranë DAR/ZA-së, së bashku me një mandat-arkëtimi të përbashkët për të gjithë kërkuesit, për llogari të AVA-s. KMSH pranë DAR/ZA shqyrton kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandat-arkëtimet përkatëse. AVA, pasi merr kërkesat, dërgon në KMSH të DAR/ZA fotokopjet e testeve të kërkuesve. KMSH e DAR-it/ZA-s i përcjell këto fotokopje tek KSHMSH, i cili jep fotokopjen e tij kërkuesit. Çdo kërkues firmos për tërheqjen e fotokopjes së testit. Nisur nga procedurat e vlerësimit të testeve, vlerësimi i shpallur nga AVA, për çdo pjesëmarrës në provime, nuk do të rishikohet.
Pas rezultateve
Pas shpalljes së rezultateve për provimet me zgjedhje, do të vijojë procesi i përpunimit të të dhënave përkatëse për të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore, duke përfshirë mesataren e shkollës së mesme dhe katër provimet e Maturës. Kjo procedurë do të bëjë të mundur detajimin e listave me emrat fitues të maturantëve, që do të kenë të drejtë të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2008-2009. Listat e maturantëve fitues për në universitetet publike, do të shpallen brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shtator. Gjatë mesit të muajit gusht do të përfundojë dhe llogaritja e pikëve të maturantëve, një llogaritje që këtë vit do të bëhet nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›