E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret nënën me sëpatë, plagos dhe të bijën që u përpoq ta ndalte

05/02/2010  Shkak mendohen grindjet e vazhdueshme në familje, 18-vjeçarja pa rrezik për jetën
LIBRAZHD-Djali vret nënën me sëpatë godet edhe të bijën që u përpoq ta ndalte. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Prevallë të Lunikut në rrethin e Librazhdit. Dije Miskja 75 vjeç ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjeve të sëpatës nga i biri Haki Miskja, ndërsa vajza 18-vjeçare është sjellë me urgjencë në spital nga ana e policisë, e cila është nisur me shpejtësi drejt Lunikut menjëherë pas telefonatës në sallën operative. Vajza 18-vjeçare Besjana Miskja ka telefonuar e terrorizuar për atë që po ndodhte numrin 129 të policisë së Librazhdit. Agjentët kanë dëgjuar vetëm fjalët: “Na ndihmoni. Na vrau të gjithëve”. Agjentët kanë mundur të mësojnë nga telefonata e vajzës vetëm fshatin ku ndodhej dhe dy automjete janë nisur me shpejtësi në Prevallë të Lunikut. Kur kanë mbërritur, policët kanë gjetur pa jetë të moshuarën e goditur fatalisht në kokë dhe vajzën 18-vjeçare të gjakosur. Menjëherë një automjet e ka nisur drejt spitalit të Librazhdit, ndërsa të tjerë agjentë kanë nisur kërkimet për burrin që ka lënë sëpatën me gjak në oborr dhe është larguar në zonën përreth fshatit. Dëbora e rënë dhe i ftohti i kanë bërë të vështira kërkimet e policisë, por sipas të dhënave agjentët kanë ngushtuar rrethin dhe autori pritet të arrestohet shumë shpejt. Vajza e dëmtuar pas mjekimit të marrë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve, ajo ka marrë një goditje në pjesën e veshit dhe dëmtime të tjera, por që nuk kanë prekur organe jetike. Në fshat ka qenë edhe vëllai i madh i vajzës, por që për momentin nuk ka qenë në shtëpi. E vetmja që ka luftuar me të atin ka qenë 18-vjeçarja, por nuk ka mundur ta ndalë vrasjen. Tragjedia ka ardhur pas një grindjeje në familje që ishin të vazhdueshme dhe shkaku mendohet të jetë zhdukja e bashkëshortes 10 vjet më parë. Sherri ka arritur deri aty sa burri ka dalë në oborr ka marrë sëpatën dhe ka hyrë brenda me qëllimin për të vrarë nënën e tij. Fatmirësisht nga reagimi i tmerrshëm ka shpëtuar vajza, e cila është munduar të shpëtojë gjyshen, por ka qenë e kotë. Shtetasi 53-vjeçar kishte 4 fëmijë, ndër të cilët dy djem që punonin në Greqi dhe ktheheshin herë pas here pranë familjes. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›