Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për deputetë të PS-së dhe PD-së
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duket se do të kenë të njëjtat kritere që kanë përdorur në zgjedhjet e kryetarëve të degëve lokale të tyre. Dy partitë kryesore tashmë kanë hartuar strategjitë e tyre elektorale, për përzgjedhjen e kandidatëve që do ti përfaqësojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Si PS-ja ashtu edhe PD-ja i kushtojnë një rëndësi mjaft të madhe kontributit që kanë dhënë kandidatët në jetën e tyre politike, por edhe vlerësimit dhe mbështetjes që ata gëzojnë në rradhët e strukturave partiake. Si kriter shumë i rëndësishëm në përzgjedhjen e kandidatëve është edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe ato lokale. Në Partinë Socialiste një rol kyç në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme do të jenë edhe sondazhet që do të organizohen, ku anëtarsia do të thojë fjalën e saj për individët që synojnë të përzgjidhen në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Edhe anëtarsia e Partisë Demokratike do të rezultojë deçivize në përzgjedhjen e kandidaturave, pasi siç thotë neni 34 i statutit të PD-së: “kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin lokal e në Kuvendin e Shqipërisë konsultohen nga gjithë anëtarësia e PD”.
25 Nentor 2008