E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli i pret fondet Bullgarisë: S‘keni bërë asgjë për korrupsionin

Komisioni Evropian i ka hequr
Bullgarisë, një ndër vendeve të
fundit të anëtarësuar në organizatë,
220 milionë euro fonde, duke
qenë se ajo nuk ka bërë përpjekjet
e duhura për të luftuar korrupsionin
dhe krimin e organizuar, që ka
arritur përmasa shumë të mëdha në
vend. Në muajin korrik, komisioni
ngriu mbi 500 milionë euro ndihma
për Bullgarinë, e cila që pas
anëtarësimit të saj është kritikuar
vazhdimisht për performancën e
dobët ekonomike dhe mbi të gjitha
për mosmarrjen e masave për
ndryshimin situatës. Më së fundi, Komisioni
ka konfirmuar që vendi ballkanik
do të humbasë gjysmën e
shumës së destinuar për të
rimëkëmbur institucionet dhe infrastrukturën
e vendit anëtar të BEsë.
Bullgaria konsiderohet si vendi
më i korruptuar në Bashkimin
Evropian. Ndërsa kriza ekonomike
është thelluar për shumë vende,
kjo masë e marrë ndaj vendit ballkanik
tregon se Bashkimi Evropian
është shtrënguar në politikat e
tij dhe mbi të gjitha është një shenjë
paralajmëruese për anëtarët e
rinj që të marrin masa të zbatojnë
porositë e Brukselit, kryesisht në
lidhje me luftën kundër korrupsionit.
Komisioneri i zgjerimit, Olli
Rehn, deklaroi dje se një vendim i
tillë nuk ishte i lehtë dhe sigurisht
që është marrë pas shumë tentativash
për të bindur Sofjen që të
merrte masa të menjëhershme
ndaj korrupsionit. "Më vjen keq për
një vendim të tillë, sepse Bullgaria
është një histori suksesi ekonomik
dhe e bindur për të kryer mirë
obligimet e anëtarësimit, por ajo ka
bërë shumë pak përpara në lidhje
me luftën kundër korrupsionit, ndaj
ne nuk na mbetet veçse të zbatojmë
rregullat", ka deklaruar Rehn. Që pas
kërcënimit të verës, Bullgaria ndërmori
disa hapa, por sipas Rehn, pjesa
më e madhe e këtyre masave ishin
vetëm premtime për veprime të
ardhshme dhe nuk dhanë asnjë
përfundim konkret. Prokurorët
bullgarë po hetojnë 80 raste korrupsioni
të përmasave të mëdha, por
deri më tani asnjë zyrtar i lartë nuk
është dënuar dhe mbi 100 vrasje
mafioze në vend kanë mbetur pa
autor, dhe si pasojë të pazgjidhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›