PS, kriteret për deputetë, të njëjta me ato për kryetarët e degëve
Kriteret për kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme duket se do të jetë e njëjta me ato të përdorura për zgjedhjen e kryetarëve të degëve lokalë të Partisë Socialiste në rrethe. Burime nga selia rozë thanë se Për të arritur në listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë, Partia Socialiste PS se ka programuar të përdorë të njëjtën praktikë që bëri edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar partie para dy vjetësh, duke kërkuar vlerësimin e elektoratit për secilin emër para se të bëhet renditja e tyre në listat shumëemërore. Lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste do të bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes, freskimit të elitave politike dhe respektimit të parimit për përfshirjen në 30% të kandidateve femra.
Kriteret
Kriteret minimale për kandidatët për deputetë të PS-së në zgjedhjet e ardhshme janë si më poshtë: Kandidati duhet të ketë jo më pak se 3 vjet anëtarsi në parti dhe të jetë zgjedhur në KD-në e rrethit ose një mandat përfaqësimi si deputet. Gjithashtu kriteret e tjera vijojnë si më poshtë: Të jetë figurë e njohur politike, të jetë vlerësuar pozitivisht në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, të ketë përvojë dhe aftësi të treguara në drejtimin dhe organizimin e partisë, të këtë arsim të lartë, të ketë oratori të kënaqshme, të këtë karakter aktiv si dhe të tregojë përkushtim dhe përgjegjësi ndaj Partisë Socialiste.
Sondazhet
Elektorati i Partisë Socialiste do të ketë mundësinë që të përzgjedhë emrat e kandidatëve për deputetë, që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Propozimi, i cili gjendet në strategjinë elektorale të Partisë Socialiste, ka gjetur mbështetjen e Kryesisë së PS-së në një nga mbledhjet e fundit të saj. Elektorati dhe anëtarët e PS-së në të 12 qarqet e vendit do të thonë fjalën e tyre për miratimin ose jo të kandidatëve për deputetë që do të përfshihen në listat e Partisë Socialiste. Kjo do të realizohet nëpërmjet sondazheve. Rezultatet e këtyre të fundit do të përcaktojnë nëse propozimet e bëra nga strukturat drejtuese të PS-së për emrat e kandidatëve, do të kenë mbështetjen decizive të elektoratit socialist.
Deputetët aktualë
Për deputetët aktualë të Partisë Socialiste të cilët synojnë rikandidimin në zgjedhjet e ardhshme do të jetë shumë e rëndësishme puna individuale e secilit deputet si në Kuvend ashtu edhe në zonën e tij elektorale. Të paktën këto dy kritere u vendosën nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë një mbledhje që ai zhvilloi me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në fillim të kësaj legjislature në muajin shtator.
Kriteret e vendosura nga PS-ja
-Jo më pak se 3 vjet anëtarësi në parti dhe një herë i zgjedhur në KD e rrethit ose një mandat përfaqësimi si deputet
-Të jetë figurë e njohur politike
-Të jetë vlerësuar pozitivisht në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme
-Të ketë përvojë dhe aftësi të treguara në drejtimin dhe organizimin e partisë
-Të këtë arsim të lartë
-Të ketë oratori të kënaqshme
-Të këtë karakter aktiv
-Të tregojë përkushtimin dhe përgjegjësi ndaj PS-së
25 Nentor 2008