Kuvendi shtyn seancën plenare për të hënën

Kodi Rrugor, pezull i bojkotit të socialistëve në komisione
Pasi u arrit vota konsensuale për 3 ligje me 3/5-at, Kodin Ajror, Kodin Detar dhe atë Hekurudhor, opozita po heziton të japë konsensusin për Kodin Rrugor, i parashikuar në kalendar për t’u miratuar në seancën plenare të ditës së djeshme. Kodi më shumë i diskutuar në komisionet parlamentare dhe i shqyrtuar në seancat dëgjimore me grupet e interesit, jo vetëm në komisionin përgjegjës të veprimtarive prodhuese, por edhe në komisionin e ligjeve dhe të sigurisë kombëtare nuk arriti të ishte gati për seancën e së enjtes, teksa opozita duket se po shfrytëzon çdo mundësi për ta zvarritur në kohë me praktika të ndryshme. Kjo ndodhi pasditen e së mërkurës, kur socialistët munguan prej më shumë se 2 orë në mbledhjen finale të komisionit të veprimtarive prodhuese. Pas një pritje të gjatë të deputetëve të mazhorancës, mësohet se në mbledhje u shfaq vetëm nënkryetari socialist i komisionit, Eduard Shalësi, duke e bërë tërësisht të pamundur në kohë miratimin e projektligjit dhe duke e mbajtur peng seancën plenare. Vetëm 30 minuta para zhvillimit të saj, teksa një pjesë e mirë e deputetëve kishin mbërritur në ambientet e Kuvendit, konferenca e kryetarëve vendosi që seanca e parlamentit të mos zhvillohej. Tjetër taktikë që ndoqën gjatë dy javëve socialistët ishte dhe paraqitja në seancat e ndryshme dëgjimore e të njëjtave shoqata, por të përfaqësuara me persona të ndryshëm, duke iu marrë një kohë të çmuar ligjbërësve të aprovonin projektligjin. Sipas kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit, mundësia e vetme që Kodi Rrugor të miratohet të paktën javën që vjen, është që ai të jetë gati të hënën, ku do të miratohet dhe nen për nen buxheti i shtetit për vitin 2012. Kjo do të mund të realizohet vetëm në rast se Kodi Rrugor do të miratohet sot në komisionin e veprimtarive prodhuese. Të enjten e ardhshme Kuvendi nuk do të mblidhet, pasi Shqipëria kremton më 8 dhjetor një tjetër datë të rëndësishme kombëtare, 21 vjetorin e lëvizjes studentore që i dha fund regjimit diktatorial në vend, datë e përfshirë në kalendarin e festave zyrtare të vendit.
...