E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja ekonomike europiane nis me ndryshimet në Bankën Qendrore Europiane

02-12-2011 / Nga Ilirian Dahri

Mario Dragi, presidenti i Bankës qendrore europiane, duke paraqitur raportin vjetor për vitin 2010, të Bankës qendrore europiane ka nënvizuar se: «Eurozona duhet të japë sinjale të menjëhershme në një kohë të shkurtër për t’i dhënë më shumë besim tregjeve». Në fakt është parësore që në tregjet e ndryshme financiarë të rikthehet besimi i humbur sepse në të kundërt kjo do të  sjellë rreziqe të cilat në të njëjtën kohë kanë ulur ndjeshëm rritjen ekonomike. Presidenti i ri i Bankës qendrore europiane gjithaq ka vënë theksin se qeveritë dhe vendet e zonës euro duhet të rrisin besimin në tregjet në mënyrë individuale po aq edhe në nivele kolektive. Ndryshimet në qeveritë e ndryshme të vendeve të eurozonës, të cilat kanë qenë më të goditura prej krizës planetare, sipas Dragi-t “nuk kanë prodhuar ende shumë rezultate për të përballuar tregjet e brishtë». Sidoqoftë presidenti i Bankës qendrore europiane në fjalën e tij ka shfaqur doza optimizmi dhe ndoshta mund të konsiderohet si një nga nismëtarët që ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë ndryshimet në traktaktet e Bashkimit Europian. «Duhen lënë të hapura të gjitha mundësitë për riorganizimin e zonës euro për t’ju përgjigjur krizës së debisë publike. Nuk duhen përjashtuar modifikimet e traktateve europiane, por duhen parashikuar edhe proçese më të shpejta». Sipas të gjitha gjasave, presidenti Dragi kërkon një strukturë kompakte të bilancit europian, kërkon një Bankë qendrore europiane të pavarur por mbi të gjitha një strukturë unike europiane e cila të jetë në gjendje të mbrojë bërthamën e rregullave të bilancit. Pra, po flitet gjithnjë dhe më shumë se eurozona ka nevojë për një pakt të ri të bilancit i cili do të hapte rrugën drejt një bashkimi fiskal. Pikërisht mbi paktin e ri të bilancit qeveritë europiane duhet të japin sinjalin e tyre më të rëndësishëm drejt integrimit ekonomik. Por nga ana tjetër presidenti i Bankës qendrore europiane nuk ka dhënë shumë shpjegime për politikën monetare gjithsesi ka nënvizuar se Bqe «është e vetëdijshme për vështirësitë e vazhdueshme të bankave». Nga ana tjetër është thënë dhe vazhdon të thuhet se Banka qendrore europiane i ngjan një rubineti të hapur ku çdo institut kredie europian nëse ka nevojë për fonde mund të shkojë në Frankfurt në çdo moment për të marrë fondet që dëshiron madje këto fonde mund t’i tërheqë edhe në dollarë. Por edhe kjo nuk është kaq e thjeshtë sepse në fakt në Bankën qendrore europiane duhen garanci dhe pa garanci nuk ka fonde. Nisur nga kjo flitet se  ditën e djeshme janë paraqitur vetëm dy banka të cilat kanë tërhequr rreth 352 milionë euro. Këtu shtohet dhe pasiguria sepse njëhërë e një kohë bankat i gjenin financimet e tyre nga institute të tjera, nga fondet e pensioneve, nga investitorë të ndryshëm ose nga nga fondi monetar amerikan ndërsa sot të gjitha këto institute duken se janë të tërhequra disi. Janë tërhequr fondet monetare amerikane dhe si rrjedhojë tashmë në Europën e vjetër bankat gjenden pa dollarët e nevojshëm. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe të tjerët duke vënë në vështirësi bankat europiane. Sidoqoftë sipas disa analistëve ndoshta Banka qendrore europiane nuk duhet të jetë i vetmi burim i financimeve sepse sipas tyre nuk është kjo mënyra më e mirë për të financuar ekonominë.  Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se diçka duhet ndryshuar. Ndoshta ndryshimet e pritura mund të vijnë më 8 dhjetor kur me siguri do të ketë një taksë interesi që do të arrijë në 1% madje sipas disa të tjerëve kjo mund të arrijë deri në 0,50% dhe kjo do të ishte në interes të bankave europiane. Nga ana tjetër Banka qendrore europiane do të përqendrohej në dhënien e kredive për bankat për një periudhë që do të shkonte nga dy deri në tre vjet duke zgjeruar listën e titujve të pranueshëm për garancitë.  Sidoqoftë duket se Banka qendrore europiane është tashmë si një kantier i hapur në të cilin po punohet për një zgjidhje që duket se do të jetë e afërt. Por çështja themelore është krijimi i  besimit në tregjet për të filluar me rritjen ekonomike. Pa rritje ekonomike gjithçka bëhet gjithnjë dhe më e vështirë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›