Në Kukës, Ramës i mungoi Fryma e Helsinkit
Edi Rama u rikthye në Kukës, por as kësaj radhe nuk u pendua, as kërkoi falje për një firmë të babait të tij, Kristaq Rama, mbi dekretin e mosfaljes së jetës (konvertimi automatik i varjes publike) së poetit kuksian, Havzi Nela. Dy ditë para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kreu i kësaj force politike Edi Rama ka udhëtuar drejt qarkut të Kukësit, ku është takuar me strukturat e partisë, duke thënë se është koha për një “frymë të re”. Sigurisht, një frymë e re mund të kish nisur shpejt, me një gjest kuptimplotë siç është kërkimi i ndjesës për “dekretin vrasës” të ekipit xhelat, në të cilin figuroi fatkeqësisht dhe babai i tij, Kristaqi, ish-anëtar i Presidiumit Popullor. Ekzekutimi me varje i Havzi Nelës më 10 gusht të vitit 1988, është një nga ngjarjet më tronditëse të historisë sonë, e cila ndodhi vetëm dy vjet para se të përmbysej regjimi jakobin. Varja e tij, sa publike aq makabre, u realizua që regjimi primitiv i kohës të krijonte terror psikofizik te banorët e Kukësit, të asaj zone të zhytur në skamje të papërfytyrueshme.
Në Kukës, Edi Rama duhet të paktën të kishte kërkuar ndjesë për firmën e Kristaq Ramës, si një mënyrë dinjitoze për t’u distancuar nga mendësia e kaluar, si një akt moral i pastrimi të shpirtit. Ndjesa është një hap i parë për të përçuar një frymë të re, jo vetëm te kuksianët, por te të gjithë Shqiptarët. Ai duhet të lexojë poezinë “Fryma e Helsinkit” të Havzi Nelës, i cili shkruan se “Fryma e Helsinkit u derdh porsi era/Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera... ”, për të guxuar më shumë, siç guxoi të shkruante për poezinë e të drejtave të njeriut poeti kuksian, në një regjim që të drejtat e njeriut sa i mohonte aq i përdhoste pa frymë, duke i varur në litar poetët, duke pushkatuar me breshëri klerikët, duke ridënuar pa faj intelektualët.
Kuptohet vetiu se Edi Rama e ka të vështirë të jetë sot kundër asaj mendësie totalitare që, për ironi të fatit, e shante në fillim të viteve ’90, dhe sot është i detyruar ta nderojë për një grusht votash më shumë. Në fillim të viteve ’90, kreu i sotëm i Partisë Socialiste ishte profesor i “Arteve”, që çirrej kundër tiranit Shqiptar, Enver Hoxha, për t’u faktorizuar në politikë në një moment kur antikomunizmi ishte në modë. Ai ishte antikomunisti i komunistëve. Ai shante e akuzonte diktatorin e vdekur dhe partinë e punës për krime kundër njerëzimit. Edi Rama shkroi në librin e posaçëm “Refleksione” se Partia Socialiste, e dalë nga mitra e përgjakur e Partisë Komuniste, s’mund të ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme. Kurse sot është kryetar i asaj partie socialiste që e quante të paligjshme. Dhe merr votat e atyre që ende besojnë se komunizmi nuk ishte dhe aq i keq. Ai shkruan te refleksionet e tij, se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ngjarjet kryesore të saj, si Konferenca e Pezës, Kongresi i Përmetit, lufta kundër pushtuesve, çlirimi i vendit, “nuk kanë asgjë më shkatërruese, më të skajshme, më sintetike”, se ky manifest që mban autorësinë e kryetarit të sotëm të PS-së, partisë që paraqitet sikur ka në themel vlerat e luftës partizane dhe i ka veteranët e kësaj lufte si komunitetin, të cilit i drejtohet në radhë të parë. Dhe po ta mendosh inkoherencën intelektuale ku, nga një anë, shkruan të zezën për Luftën Nacionalçlirimtare. Dhe, nga ana tjetër, me 29 nëntor nderon luftën e partizanëve, duke u shprehur se kjo është dita në të cilën dëshmohet se shqiptarët u vendosën në anën e duhur të historisë.
Sidoqoftë, po të mos e njihnim maskimin konstant të Ramës, mund të thoshim se ky është njeriu më i sinqertë në planet. Kthesat 180 gradë të Ramës janë aq të forta saqë përplasja me të kaluarën është e pashmangshme. Përplasja herëpashershme e Ramës me hijen e babait, me poezinë e Havzi Nelës, me historinë e hershme të PS-së, është haraçi që e vërteta i paguan krimit. Sot timoni i autobusit të PS-së është prerë majtas, po aq majtas sa ka harruar të shikojë në pasqyrën e historisë së kaluar. Fryma e re mund të kishte filluar me një pendesë krejt të thjeshtë; por fryma e shenjtë është larg sjelljeve publike të Ramës.
Poezia “Fryma e Helsinkit” nga Havzi Nela
Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.
Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta, nuk do vdesë!