Kritika për Shaqirin

Ylli i ri i Baselit, Xherdan Shaqiri është kritikuar ashpër nga bashkëlojtari i tij, Marco Streller. Basel pësoi dy humbje rresht, nga Bayern Munchen në Ligën e Kampionëve dhe nga Grasshoppers në kampionatin zviceran, kështu që brenda ekipit nuk po mbretëron atmosferë dhe aq e mirë. “Ai flet tri herë në javë me menaxherin, në vend se të sjell diçka në fushë”, deklaroi përfaqësuesi zviceran, Streller.
Edhe pse pëlqehet nga shumë skuadra evropiane, 19-vjeçari nga Gjilani është inkuadruar në lojë në minutën e 58-të, në ndeshjen e fundit. Kohëve të fundit, Shaqiri kritikohet për mënyrën e sjelljes së tij arrogante. Por, trajneri Thorsten Fink mendon ndryshe.
“Jo, në dy javët e fundit ai është sjellë mirë. Streller është lider i ekipit dhe duhet të thotë diçka. Shaqiri, si dhe lojtarët e tjerë të rinj duhet të mësojnë nga kritikat dhe të përmirësohen me kalimin e kohës. Nuk mund të trajtohen të gjithë futbollistët në të njëjtën mënyrë. Natyrisht, një lojtar si Chipperfield ka më shumë liri sesa Shaqiri. Kjo është normale”, tha trajneri i kampionit aktual të Zvicrës.
“Ai (Xherdani) i ka të gjitha mundësitë që të jetë lojtar i madh, por duhet të sillet mirë dhe të punojë shumë. Aktualisht është lojtar i mirë”, shtoi ai.
Fink ka kërkuar nga Shaqiri që ta marrë si model për sjellje futbollistin 21 vjeç, Valentin Stocker, të cilin e quan profesionist të vërtetë.