Premierliga e lëndimeve

Lëndimet e futbollistëve janë problemet më të mëdha me të cilat përballen klubet evropiane sot. Në këtë aspekt prin Premierliga angleze, ekipet e së cilës janë të përqendruar tek infermieria. Në fakt, në përgjithësi janë 104 futbollistë të lënduar, me një mesatare prej 5.2 për skuadër.
Rekordi negativ është në duart e Tottenhamit, i cili ka 11 futbollistë të lënduar (më i gjati ai i Huddlestone, i cili do të rikthehet vetëm në muajin shkurt të vitit që vjen), derisa nga Top 4 e Premierligës, hyn edhe Arsenal, i cili ka 6 lojtarë të lënduar. “Topçinjtë” ndiqen nga Chelsea dhe Manchester United, me 5, derisa City është në kuotën e dy lojtarëve të lënduar.
Derisa mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas tashmë u rikthye nga lëndimi prej tri javësh, Liverpool ka marrë një lajm të keq, pasi që mbrojtësi Jamie Carragher, do të mbetet jashtë fushës për 3 maj.
Ndër të tjera, menaxheri Roy Hodgson, kohë pas kohe nuk po mund të llogaritë as në mbrojtësin tjetër, Daniel Agger dhe mesfushorin Steven Gerrard, që këtë sezon nuk e lënë rehat lëndimet. Për të mos u marrë shumë me këto lëndime, Reds po mendojnë që në janar të përforcohen me Gary Cahill nga Bolton e Adil Rami nga Lille.
Nëse në Londër dhe në Liverpool nuk qëndrojnë punët mirë në këtë aspekt, në Manchester, përkatësisht tek City, gjërat shkojnë paksa më mirë. Menaxheri Roberto Mancini mund të llogarit në të rikthyerin Kolarov, por Wayne Bridge nuk arrin assesi ta gjejë formën më të mirë fizike, shkaku i lëndimeve të herë pas hershme.
Përpos Anglisë, edhe Serie A italiane përballet me lëndime të shpeshta të futbollistëve. Gjigantët Juventus dhe Inter janë ekipet me më së shumti lëndime. Këtë sezon, ekipi Bianconeri dhe ai Nerazzurri janë përballur me lëndimin e më shumë se 10 futbollistëve, të cilët i kushtuan me formë të dobët sidomos kampionit evropian dhe italian.