Peja kërkon revansh
Në këtë mesjavë do të zhvillohet xhiroja e dymbëdhjetë e Superligës së Kosovës në basketboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa ndeshje mjaft interesante.
Ndeshje e tillë do të zhvillohet të mërkurën në Pejë, ku Peja do të ballafaqohet me Bambin, i cili po shkëlqen në këtë edicion.
Verdhezinjtë do të mundohen ta shfrytëzojnë maksimalisht përparësinë e terrenit dhe me fitore t’i hakmerren Bambit për humbjen që ia kishte shkaktuar në takimin e parë të tyre. Përveç Bambit, edhe Sigal Prishtina i ka shkaktuar disfatë Pejës, e cila në nëntë takime të tjera ka shënuar fitore.
“Jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj fuqishëm se do të shënojmë fitore, sepse edhe në ndeshjen e parë ndaj Bambit kemi mundur të fitojmë, pasi kemi luajtur mirë në atë takim”, deklaroi trajneri i Pejës, Bujar Loci, skuadra e të cilit është përforcuar me basketbollistin e njohur, Samir Shaptahoviq.
“Shaptahoviq nuk është ndonjë përforcim i madh për Pejën, sepse Shaptahoviq ka ardhur, mirëpo ekipi ynë ka mbetur pa Enes Haxhibulliqin, i cili ka shkuar nga Peja”, theksoi Loci.
Mirëpo, pejanët nuk do ta kenë lehtë ta arrijnë objektivin, sepse deri më tani Bambi është treguar skuadër mjaft e fortë për të gjitha ekipet e tjera të Superligës. Ekipi nga veriu i Mitrovicës, përveç Pejës, ka pasur fuqi ta mposht edhe Sigal Prishtinën e Trepçën, duke bërë kështu me dije se sivjet po synon seriozisht të kualifikohet në garat e play-offit. Deri më tani, ky ekip i ka zhvilluar nëntë ndeshje, prej të cilave i ka shënuar tetë fitore. Andaj, ky ekip fitore do të kërkoj edhe në Pejë.
Po të mërkurën, në Prishtinë Kolegji EuroSport do të ballafaqohet me ekipin vushtrrias, Kosovën. Në të njëjtën ditë, Mitrovica do të luajë kundër Bashkimit, skuadra këto që gjenden në pjesën e poshtme të tabelës së klasifikimit. Ndërsa, derbi i kësaj jave zhvillohet të enjten në Mitrovicë, ku do të përballen rivalët e kahershëm të basketbollit kosovar, Trepça dhe Sigal Prishtina, e cila në dhjetë ndeshjet e fundit ka shënuar po aq fitore.
Superliga – xhiroja e 12-të
E mërkurë
K. EuroSport – Kosova12:00
Mitrovica – Bashkimi16:00
Peja – Bambi18:00
E enjte
Trepça - S. Prishtina18:00