Larg Londrës

Olimpiada e Londrës po afrohet, ndërsa sporti kosovar po ngelet në gjendje të njëjtë. Në fakt, kur kanë mbetur edhe 19 muaj derisa të fillojë kompeticioni më i rëndësishëm i sportit, politika nuk po e lë Kosovën që të përparojë në aspektin sportiv.
Peng i këtij izolimi mund të mbetet edhe xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, por edhe sportistë të tjerë në vend. Uebfaqja asahi.com ia ka kushtuar një tekst të veçantë sportit kosovar, përkatësisht tensionit politik, i cili mund t’i shuajë ëndrrat e kosovarëve që të marrin pjesë në Olimpiadë.
Aktualisht, janë vetëm dy federata olimpike kosovare të pranuara ndërkombëtarisht, kurse, për t’u pranuar Komiteti Olimpik i Kosovës në atë ndërkombëtar, nevojiten pesë sosh, një mundësi vështirë e realizueshme, duke e parë ndikimin e Serbisë dhe Rusisë në Federatat e ndryshme evropiane.
Xhudistja kosovare, e cila ishte shpallur kampione e botës për juniore në vitin 2009, gjendet në pozitën e 16-të të renditjes botërore, në këtë sport. 19-vjeçarja ka oferta për të përfaqësuar vende të ndryshme, por ajo është e vendosur që ta përfaqësojë Kosovën në Londër.
“Dëshiroj të marr pjesë në Olimpiadën e Londrës duke e mbajtur flamurin e Kosovës, për hir të të gjithë njerëzve atje që brohorasin për mua dhe që më inkurajojnë”, thotë xhudistja pejane, e cila në kampionatin e fundit botëror, i cili u mbajt në Tokyo të Japonisë në muajin shtator, u regjistrua si sportiste që i përkiste Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Sipas këtij shkrimi, disa sportistë kosovarë po lëvizin në vendet të tjera, me shpresën që ta gjejnë mënyrën e pjesëmarrjes dhe suksesit në kompeticione ndërkombëtare dhe që të sigurojnë mbështetje financiare. Edhe Majlinda kishte oferta të tilla dhe të majme nga Franca, Sllovenia dhe shtetet arabe. Mirëpo, sportistja më e suksesshme kosovare pas luftës, është e lidhur me vendin e saj. “Unë jam kosovare”, nënvizon Majlinda.
Trajneri i saj, Driton Kuka, kërkon që nxënësja e tij të mos përfshihet në problemet politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. “Nuk dua që Kelmendi të jetë subjekt i tensioneve politike. Shpirti i saj luftarak është me të vërtetë për çdo lakmi”, thotë 39-vjeçari.
Veç Kosovës, opsioni i dytë i Kelmendit për Olimpiadë mbetet Shqipëria, të cilën e ka përfaqësuar disa herë. Në të kaluarën, xhudistja kosovare nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta përfaqësojë Shqipërinë, nëse nuk mund ta bëjë një gjë të tillë me Kosovën.