E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritika qeverisë për sektorin e energjisë

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 19:18

Shoqëria civile kritikon qeverinë sa i përket planeve zhvillimore për sektorin e energjisë në Kosovë. Në një konferencë për media, pjesëtarë të disa organizatave joqeveritare thanë se përpara se të vazhdohet me projektin e ndërtimit të termocentralit të ri nga linjiti, duhet të bëhen studime rreth burimeve alternative të energjisë.

Qeveria e Kosovës nuk duhet të ngutet me projektin për ndërtimin e termocentralit të ri nga linjiti, pa studime paraprake rreth mundësive të Kosovës për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme. Krenar Gashi nga Instituti KIPRED tha se ndikimet e këtij projekti nuk do të jenë shumë pozitive, as për zhvillimin ekonomik, e as për uljen e papunësisë, kurse kostoja do të jetë shumë e lartë për qytetarët.

Sipas Gashit nëse humbjet e energjisë do të zvogëloheshin nga 45 për qind sa llogaritet të jenë aktualisht në rreth 7 apo 8 për qind, atëherë qeveria do të mund të mbyllte termocentralin Kosova A në vitin 2017 dhe nuk do të kishte nevojë për ndërtimin e kapaciteteve të reja.

Ndërsa Agron Demi, drejtor i institutit GAP, tha se qeveria duhet të rishqyrtojë strategjinë e energjisë 2009-2018 pasi ajo bazohet tërësisht në energjinë nga linjiti dhe të kërkojë nga partnerët e saj, si Banka Botërore, të bëjë studime për burimet alternative.

Kosova si vend që synon anëtarësimin në BE duhet që deri në vitin 2020 të arrijë 20 për qind efiçiencë të energjisë, të sigurojë 20 për qind të prodhimit nga energjia e ripërtërishme dhe të reduktojë ndotjen e mjedisit për 20 për qind. Ndër rekomandimet tjera të rrjetit të OJQ-ve është edhe përcaktimi i modelit të tregut, i cili të garantojë furnizim të qëndrueshëm me energji dhe të inkurajojë konkurrencën, procesi i privatizimit të furnizimit dhe shpërndarjes të jetë transparent, dhe termocentrali B të ndahet nga pakoja tenderuese e termocentralit të ri. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›