E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina ndal hovin e Lepencit

Prishtina pa mund të madh ia ka shkaktuar Lepencit humbjen e parë të sezonit. Kampioni Hysi nuk hasi në ndonjë rezistencë të Lirisë, kurse, Vëllaznimi e Besa, nuk lëshuan pe në shtëpi ndaj Drenicës, përkatësisht Gjilanit. Trepça ’89 u dorëzua përballë Dritës, derisa Trepça e moçme ia shkaktoi KEK’ut humbjen e tretët. Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 18:43

Në xhiron e tretë të Superligës, janë arritur rezultate të pritura derisa vetëm Prishtina ka marrë pik si mysafire.

Lepenci – Prishtina 0:2

Prishtina ia ka ndalë hovin Lepencit, të cilin e mposhti me meritë në Kaçanik. Bardh e kaltrit kanë shënuar në të dyja pjesët nga një gol, duke mos i dhënë rast të rikthyerit në elitën e futbollit kosovar.

Astrit Fazliu i kaloi prishtinasit në epërsi qysh në minutën e tetë, kurse Ilir Berisha me kokë e ka realizuar golin e dytë të ekipit të Ramiz Krasniqit në minutën e 67-të.

Kaçanikasit, të cilët luanin në shtëpi për herë të parë këtë sezon, nuk mundën ta thyenin mbrojtjen e fortë prishtinase. Vlen të theksohet rasti i Mulakut, në pjesën e parë. Prishtina, me këtë lojë tregoi se edhe sivjet është ndër pretendentët për titull të kampionit.

Hysi – Liria 3:0

Hysi ka qenë dukshëm më i mirë se Liria, në kuadër të xhiros së tretë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra llapjane ka shënuar gol qysh në minutën e tetë me anë të kapitenit Mentor Zhdrella nga penalltia, pas ndërhyrjes së mëparshme të Mazrekut ndaj Enis Zabërxhës, në zonën e rreptësisë. Ky i fundit, katër minuta më vonë pasoi për vëllanë e tij, Ardian Zabërxha, i cili e dyfishoi epërsinë e kampionit.

Ndërkaq, Kastriot Rexha e vulosi fatin e këtij dueli në minutën e 37-të, pasi u shërbye mirë nga Mentor Zhdrella. Prizrenasit u treguan të parrezikshëm gjatë 90 minutave. Ata luajtën me një lojtar më pak nga minuta e 64-t, pas ndëshkimit me karton të kuq të mbrojtësit Elbasan Gashi.

Drita – Trepça ’89 2:1

Drita ia shkaktoi humbjen e parë Trepçës ’89, të cilën e mundi në Gjilan. I rikthyeri në Superligë kaloi ën epërsi në minutën e 10-të, përmes Venhar Sermaxhajt, i cili shënoi nga penalltia, pasi më parë me dorë luajti Izmaku. Në vazhdim mitrovicasit patën disa raste me anë të Idrizit, Baliqit e Berishës, por gjilanasit e shënuan golin e dytë, me anë të Florent Osmanit (74’).

Përpjekjet e mitrovicasve nuk u ndalën dhe ata e zvogëluan avantazhin e vendësve në minutën e fundit me Shpëtim Idrizin, por nuk patën më kohë, që t’i barazonin shifrat. Drita e vazhdoi serinë e mirë të rezultateve, kurse mitrovicasit u ndalën pas një fitoreje e një barazimi.

Besa – Gjilani 3:1

Besa e shijoi fitoren e parë të sezonit. Pejanët ishin dukshëm më të mirë se Gjilani, i cili u dorëzua në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’. Vendësit i realizuan të tre golat në pjesën e dytë. Së pari, me të filluar 45 minutëshi i dytë, Egzon Gashi shënoi nga penalltia, pasi një lojtar mysafir e preku topin me dorë, pas gjuajtjes së Kushtrim Gashit.

Ky i fundit e shënoi golin e dytë të pejanëve në minutën e 60-të, pasi u shërbye mirë nga Bernard Berisha. Kurse, Krenar Vokshi, pasi e goditi shtyllën në fillim të pjesës së dytë, ia doli të shënohej në listën e realizatorëve në minutën e 71-të, kur mori një top nga lojtari në super formë, Kushtrim Gashi. Ndërkaq, golin e nderit dhe të pamjaftueshëm për gjilanasit e shënoi Genc Sermaxhaj.

Vëllaznimi – Drenica 2:0

Vëllaznimi e shënoi fitoren e dytë të sezonit. Këtë radhë, gjakovarët ia dolën të fitojnë ndaj Drenicës. Ata kaluan në epërsi në minutën e nëntë, kur kapiteni Atdhe Gashi shënoi me kokë, pas një harkimi preciz të Debatik Çarkaxhisë.

Mysafirët tentuan t’i barazonin shifrat me Dajakun e Dobrën, por pa sukses. Kjo u kushtoi atyre, ngase zëvendësuesi Ermir Nikoliqi e ngriti avantazhin e vendësve në minutën e 69-të, për t’ia siguruar tri pikë të reja ekipit kuq e zi. Drenicasit mbeten ende pa fitore këtë fillim sezoni.

Trepça – KEK-u 1:0

Trepça ia shkaktoi KEK-ut humbjen e tretë të sezonit. Leart Emini, me golin e realizuar në minutën e 37-të me kokë, pasi mori një top nga Elvis Osmani, ishte hero i mitrovicasve. ‘Xehetarët’ ishin më të mirë se kundërshtari në çdo aspekt dhe i fituan me meritë tri pikë. Ndërsa, skuadra nga Kastrioti po e demonstron ndeshje pas ndeshjeje se sivjet nuk i ka punët mirë.

Superliga – Xhiroja e 3-të

Tabela
1. Drita-7
2. Prishtina-7
3. Vëllaznimi-7
4. Hysi-6
5. Lepenci-6
6. Trepça-6
7. Trepça ’89-4
8. Besa-3
9. Gjilani-3
10. Drenica-2
11. Liria-0
12. KEK-u-0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›