Zhvlerësohen pagat dhe pensionet

E ndërsa rritja e çmimeve vazhdon të godasë buxhetin e çdo familje shqiptare, qeveria ka hequr dorë nga rritja e pagave për të zbutur efektet nga inflacioni. Niveli i lartë i inflacionit ka zvogëluar fuqinë blerëse të pagave dhe të pensioneve, ndërsa qeveria ka vendosur që politika e rritjes së pagave të nisë në muajin korrik të këtij viti. Ish-kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ilir Beqja, tha për gazetën “Korrieri” se rritja e pagave është e vonuar. Sipas kreut të ISSH-së, qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme për indeksimin e pagave, në një kohë që inflacioni ka shënuar 4.6 për qind. “Në këtë situatë, qeveria duhet të nisë indeksimin e pagave, për të zbutur efektet nga rritja e çmimeve, e cila duhet të kishte nisur 6 muaj më parë, në mënyrë që të përballohet rritja e çmimeve. Pra, indeksimi i pagave dhe i pensioneve në muajin korrik, do të thotë që qeveria nuk po merr asnjë masë për të zbutur efektet e inflacionit”, thotë Beqja, duke shtuar se qeveria është me vonesë. Ndërkohë që norma e inflacionit është shqetësues në kuptimin e indeksimit, pasi edhe në vende të zhvilluara me nivele të tilla inflacioni, nis indeksimi i pagave dhe i pensioneve. Ndërkohë që Ministria e Punës i propozoi Këshillit të Ministrave indeksim të pagave të buxhetorëve në masën 3.1 për qind, për të zbutur efektet nga inflacioni. Por edhe këtë propozim të ministrisë ekspertët e cilësojnë të gabuar, pasi rritja e pagave është bazuar mbi inflacionin vjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që aktualisht ai shënon norma më të larta. Nga ky vendim do të përfitonin të gjithë punonjësit buxhetorë. Qëllimi i vendimit është përcaktimi i masës së indeksimit të pagave mbështetur në inflacionin vjetor të llogaritur mbi një shportë të reduktuar mallrash Nga përllogaritja ka rezultuar se efekti financiar i miratimit të këtij vendimi për institucionet buxhetore do të jetë 175 milionë lekë në muaj. Pra, në këtë mënyrë qeveria do të vazhdojë politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve nga muaji korrik dhe jo të indeksimit, sepse ky i fundit nënkupton rritjen në masën e inflacionit. Kurse rritjet minimale, qoftë për pensionet, qoftë për pagat më të larta do të jenë 5 për qind. Nga ana tjetër, kriza botërore e ushqimeve po përcillet edhe në vendin tonë. Duke qenë se ekonomia e vendit vazhdon të priret drejt importeve dhe ka mungesë të prodhimit bujqësor, kjo do të sjellë rritje të inflacionit. Me këtë normë të inflacionit, pagat dhe pensionit do të vazhdojnë të zhvlerësohen, për shkak të rritjes së çmimeve. Sakaq, pasimi i krizës botërore në vendin tonë është pranuar edhe nga vetë ministri i Financave, Ridvan Bode. “Shqipëria në këtë kuadër sigurisht që, duke qenë një vend me ekonomi me dimensione modeste në kuadër të ekonomisë botërore, dhe duke qenë se zhvillimet e saj të brendshme nuk reflektojnë tendencat e zhvillimit të përgjithshëm, është një vend pësues i faktorëve të krizës ndërkombëtare. I vetmi element që influencon në një shkallë më të gjerë, ka të bëjë me rritjen e çmimeve të mallrave të importit, kryesisht mallrave ushqimore të importit”, është shprehur Bode për mediat.